Është rritur në 95 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat intensivë në rajonet Rheinland-Pfalz dhe Rajna Veriore-Westphalia që ndodhen në perëndim të Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme e rajonit Rajna Veriore-Westphalia thuhet se është rritur në 43 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve në rajon.
Kryeministrja e rajonit Rheinland-Plalz, Malu Dreyer njoftoi se një orë më parë shifra zyrtare e personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet në rajon është 52.
Duke vënë në dukje se situata mbetet ende serioze, Dreyer tha se “Edhe dhimbjet nuk mbarojnë”.
Ajo informoi se me tërheqjen e ujërave janë gjetur trupa të njerëzve të mbytur dhe se situata është e tmerrshme.
Pasi vuri në dukje se ka shifra shumë të ndryshme lidhur me numrin e personave të zhdukur, Dreyer tha se nuk mund të konfirmojnë shifra sepse nuk mund të arrijnë të kontaktojnë me shumë persona nëpërmjet telefonit.
Nga shtëpitë vijnë thirrje “emergjente”
Në një deklaratë nga administrata e rajonit Këlln thuhet se janë shembur disa shtëpi në zonën Blessem në qytetin Erfstadt dhe se shumë persona po kërkohen.
Ndër të tjera thuhet se nga shtëpitë vijnë thirrje emergjente por që shumë herë shpëtimi nuk është i mundur.
Po ashtu është ndarë informacioni se autostrada A1 në Leverkusen është mbyllur për shkak të ujërave.
Për shkak të përmbytjeve në shumë zona të të dy rajoneve, janë shembur shtëpi ndërsa bulevardet dhe rrugët kanë mbetur nën ujë dhe shumë shtëpi janë të rrezikuara.