Gjermania dhe Jordania mbështesin thirrjen për “armëpushim të menjëhershëm” midis Izraelit dhe Palestinës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe mbreti i Jordanisë, Abdullah II, në një bisedë telefonike janë pajtuar për të mbështetur thirrjen për “armëpushim të menjëhershëm” midis Izraelit dhe Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Të dy u pajtuan se iniciativat për një armëpushim të menjëhershëm duhet të mbështeten në mënyrë që të krijojnë kushtet për rinisjen e negociatave politike”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 213, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra. Të paktën 1.400 persona po ashtu janë plagosur.

Dhjetë izraelitë po ashtu janë vrarë si pasojë e raketave të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit.

Ushtria izraelite po kryen sulme ajrore që nga 10 maji, duke lënë pas gjurmë masive shkatërrimi. Zyra të medias dhe qendra shëndetësore po ashtu janë ndër strukturat e shënjestruara.

Tensionet që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet xhamia Al-Aksa, në vitin 1967 në luftën arabo-izraelite. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.