Gjermania ka njoftuar planet për të vendosur raketa ‘Patriot’ në Poloninë fqinje për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit mes tensioneve në rritje me Rusinë, transmeton Anadolu.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se vendosja do të fillojë në janar të vitit 2025 dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
“Ne do të mbrojmë një qendër logjistike në Poloni që është e një rëndësie qendrore për dërgimin e materialit në Ukrainë. Ne po sigurojmë furnizimin me automjete, armë dhe municione për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente”, tha Pistorius.
Raketat ‘Patriot’ do të vendosen në zonën Rzeszow në pjesën juglindore të Polonisë, e cila është një pikë e rëndësishme tranziti për ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, misioni fillimisht është planifikuar për gjashtë muaj.
Sistemet gjermane ‘Patriot’ më parë ishin vendosur në Poloni nga janari deri në nëntor të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, afër 320 ushtarë gjermanë operuan lëshuesit ‘Patriot’ në dy lokacione afër kufirit ukrainas.
Sistemet ‘Patriot’ të forcave të armatosura gjermane (Bundeswehr), që janë ndër më të avancuarit në nivel global, mund të kapin aeroplanët dhe raketat e armikut në rreze deri në 100 kilometra dhe lartësi 30 kilometra, në varësi të variantit të raketës së përdorur.