IMG_8457

Gjermania përsërit kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj planeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar menjëherë në NATO, para samitit të ardhshëm të aleancës ushtarake perëndimore në kryeqytetin lituanez Vilnius, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin rumun, Ion-Marcel Ciolacu, Scholz e bëri të qartë se “askush nuk mund të bëhet anëtar i një aleance mbrojtëse gjatë një lufte”.

Scholz theksoi se një nga kriteret për anëtarësimin në NATO është që “të mos ketë konflikte të hapura kufitare”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u ka bërë presion liderëve të NATO-s që ta vendosin Ukrainën në një rrugë konkrete drejt anëtarësimit, duke kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në samit nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë.

Liderët e NATO-s do të diskutojnë thellimin e lidhjeve me Kievin kur të takohen në Vilnius, pa e futur menjëherë Ukrainën në grup si anëtare, duke marrë parasysh se garancitë e sigurisë së bllokut mund të tërheqin aleatët në konflikt të armatosur me Rusinë.

“Në samitin e Vilniusit dhe në përgatitjet për samitin, ne nuk po diskutojmë çështjen e një ftese zyrtare. Ajo që ne po diskutojmë është se si ta afrojmë Ukrainën me NATO-n dhe ka konsultime të vazhdueshme dhe unë nuk jam në gjendje të parandaloj rezultatin e këtyre konsultimeve”, tha më herët shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg shtoi se samiti i Vilniusit në muajin korrik do të “përcaktojë një vizion për të ardhmen e Ukrainës si një anëtare e pavarur demokratike e familjes euroatlantike”.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Ukraina paraqiti zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim të shpejtë në NATO, pas aneksimit nga Rusia të katër rajoneve të Ukrainës.