Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas dhe homologet e tij nga Spanja dhe Suedia u bënë thirrje të gjitha fuqive bërthamore të ulin ndjeshëm arsenalet e tyre përpara konferencës së profilit të lartë për çarmatimin bërthamor në Madrid, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke shkruar një artikull të përbashkët për të përditshmen gjermane Rheinische Post me rastin e takimit të Iniciativës së Stokholmit për Çarmatimin Bërthamor, Maas, Arancha Gonzalez Laya dhe Ann Linde u kërkuan fuqive bërthamore “të ulnin rolin e armëve bërthamore në strategjitë dhe doktrinat e tyre”.
Ata gjithashtu bënë thirrje për “zvogëlimin e mëtejshëm të rezervave të armëve bërthamore dhe vendosjen e themelit për një brez të ri të marrëveshjeve të kontrollit të armëve”.
“Ne duhet t’i japim fund testimit të armëve bërthamore një herë e përgjithmonë duke vënë në fuqi Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testimit Bërthamor, duke rifilluar negociatat për një traktat që ndalon prodhimin e materialit të zbërthyeshëm për përdorim ushtarak, dhe rifillimin e aftësive të forta dhe të besueshme për verifikimin e hapave të çarmatimit bërthamor”, shtuan ministrat.
Gjashtëmbëdhjetë vende janë bashkuar në Iniciativën e Stokholmit në kryeqytetin spanjoll për të promovuar reduktimin e armëve bërthamore në gjithë botën.
Shpresat për çarmatimin bërthamor ishin shtuar pas samitit midis Presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe Presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Zvicër në mes të qershorit.
Dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë kishin rënë dakord për të diskutuar çarmatimin bërthamor.
Studiuesit kryesorë ndërkombëtarë të paqes po shohin shenja të një kthimi shqetësues në rezervat bërthamore globale.
Numri i përgjithshëm i kokave bërthamore vazhdoi të bjerë, siç tregonte raporti vjetor i botuar nga Instituti i Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI) në mes të qershorit.
Sipas vlerësimeve, tani ka rreth 13.080 koka bërthamore në gjithë botën, ndërsa më shumë armë bërthamore janë operacionale tani krahasuar me një vit më parë.