Rtv Pendimi

Gjirafa.com hapet për të gjithë shqiptarët

Gjirafa.com hapet për të gjithë shqiptarët

Gjirafa, Inc., sot bëri të ditur se Gjirafa.com, makina e parë dhe më e përparuar kërkimore në Gjuhën Shqipe do të jetë në dispozicion për të gjithë shqiptarët, duke filluar nga sot, e enjte, 09 tetor, 2014.

Në Gjirafa.com, përdoruesit do të kenë mundësi të kërkojnë më shumë se 15 milion ueb faqe shqip nga i tërë Interneti, si dhe më shumë se 2000 lajme ditore nga të gjitha portalet shqip të informimit.

Gjirafa ndër të tjera ofron edhe oraret e autobusëve ndërmjet vendeve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe parashikimin e motit për qytetet kryesore. “Krejt në një vend” në Gjirafa.com .

“Nëse është shqip dhe nëse është në Internet, në Gjirafa.com do ta gjeni”, shprehet Mergim Cahani, CEO i Gjirafa, Inc..

“Nëse kërkoni banesa me qira, vetura në shitje, receta gatimi, libra apo ç’ka do tjetër, atëherë vizitoni www.gjirafa.com dhe aty do të keni mundësi të gjeni atë që kërkoni”, shton ai.

Gjirafa, Inc., dega në Kosovë, është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesorë i së cilës është makina kërkimore në Gjuhën Shqipe, Gjirafa.com.

Gjirafa, Inc., është korporatë e themeluar në SHBA, nga Mergim Cahani, CEO dhe dy bashkëthemeluesit, Ercan Canhasi dhe Diogjen Elshani.

Sot nga ora 15:00 në Sheshin 21, në Prishtinë, Mergim Cahani do të prezantojë hapjen e kësaj makine kërkimore përpara të ftuarve.

Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në Internet, ndërsa linkun e transmetimit do të mund ta gjeni në www.gjirafa.com.

TË NGJAJSHME