Rtv Pendimi

Gjykata do të vendosë për lirinë e fjalës në Facebook

Gjykata Supreme Amerikane ka dëgjuar të hënën argumentet nëse gjuha e dhunshme e postuar në rrjetet sociale mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane që ka të bëjë me lirinë e shprehjes.

Amendamenti i parë përveç që mbron fjalën e lirë, ai mbron edhe lirinë e fesë dhe të grumbullimit paqësor.

Argumentet që dëgjoi Gjykata lidhen me rastin e ashtuquajtur Elonis kundër Shteteve të Bashkuara, rreth çështjes nëse një mesazh në Facebook mund të konsiderohet si një “kërcënim i vërtetë,” pasi “kërcënimet e vërteta” nuk mbrohen me Amendamentin e Parë. Kjo nuk do të jetë një çështje që zgjidhet lehtë pasi duhet të vendoset nëse dallon kërcënimi i bërë gojarisht, nga kërcënimi i postuar në internet.

Një gjykatë themelore në shtetin Pennsylvania e kishte dënuar të pandehurin Anthony Elonis me rreth katër vjet në burg për shkak të postimeve të tij në Facebook ku kërcënonte ish gruan e tij që e kishte braktisur.

Postimet e tij kishin qenë ‘shprehje artistike’, përmes vargjeve të muzikës ‘rap’ sipas tij, të mbrojtura me amendamentin e lirisë së fjalës ndërsa ndër kërcënimet që kishte përdorur ishte edhe shprehja ‘do të prej në fyt.’

Por si do të vendosë Gjykata Supreme Amerikane? Ka të tillë që mendojnë se nëse ‘kërcënimi’ do të sanksionohet me ligj atëherë një vendim i tillë mund të mbysë lirinë e shprehjes në internet, veçanërisht në mesin e artistëve. Ai mund të ketë një efekt censurues tek rrjetet sociale si Facebook deri edhe tek portalet informative.

Në anën tjetër, një vendim ndryshe mund të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve të ngacmimeve dhe kërcënimeve online. Sidoqoftë vendimi për këtë rast mund të ketë implikime të mëdha për mënyrën se si i përdorim rrjetet sociale, jo vetëm në Amerikë, ndërsa vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jepet në fund të qershorit të vitit të ardhshëm. /rtk/

TË NGJAJSHME