5D9A1DEA-D027-4189-931A-285F29212B8D

Gjykimi në Hagë, Thaçi dhe të tjerët deklarohen sërish të pafajshëm

Ish-krerët e Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat ndaj tyre para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, transmeton Anadolu.

Thaçi në seancën e parë kur fillon procesi i gjykimit ndaj tij, tha se konfirmon deklarimin e tij të parë, se është i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Kadri Veseli, duke konfirmuar pafajësinë tha: “Shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë 2 vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”.

Edhe Rexhep Selimi tha se është i pafajshëm “për të gjitha pikat në aktakuzë”.

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha se është i pafajshëm dhe s’ka asnjë lidhje me akuzat që u lexuan nga Prokuroria Speciale.

“S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtoj pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.

Jashtë ndërtesës së Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë një numër i qytetarëve nga Kosova dhe ata të cilët jetojnë në diasporë po protestojnë me thirrje për drejtësi. Aty po merr pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me familjarë të të akuzuarve.

Aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.