thumbs_b_c_de7385aa57b40d0db4fd40e4160110a0

Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhuron 100 karroca për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë dhuroi gjithsej 100 karroca për invalidë, 25 aparate dëgjimi dhe 500 pako higjienike për nevojat e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Donacioni nga organizata humanitare turke për personat me aftësi të kufizuara u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut dhe Kryqin e Kuq të këtij vendi.

Gjatë dorëzimit të donacionit në Radovish, Drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Ibrahim Altan, tha se sot janë në Radovish në mënyrë që të dhurojnë gjithsej 100 karroca, 25 aparate dëgjimi dhe 500 pako higjienike për personat me aftësi të kufizuara, të identifikuar më parë me Ministrinë e Punës dhe Politikën Sociale së Maqedonisë së Veriut.

“Ne si Gjysmëhëna e Kuqe Turke, që nga viti 1995 punojmë me partnerin tonë, Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut. Këtij bashkëpunimi i shtuam edhe një tjetër. Edhe tani e tutje, do të vazhdojmë të punojmë me ta për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, tha Altan.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husejin, duke deklaruar se Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut janë dy institucione simotra që kanë bashkëpunim të ngushtë, theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mbështet angazhimet e tyre.

“Ne jemi këtu sot për shkak të donacionit që mbërriti nga Republika e Turqisë. Nëpërmjet Gjysmëhënës së Kuqe të Republikës së Turqisë, kemi rreth 100 karroca për personat me aftësi të kufizuara, rreth 25 aparate dëgjimi, dhe në të njëjtën kohë një sasi të mirë të pajisjeve higjienike që do t’u jepen familjeve”, tha Husejin.

Dragi Stojanov, sekretar në Komunën e Radovishit, u shpreh mirënjohës për donacionin e sotëm, duke shtuar se bashkëpunimi midis Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut është i dyanshëm.

“Kurdoherë që ka nevojë, ne e kemi ndihmën e tyre. Unë gjithashtu dua të theksoj se Këshilli i Komunës së Radovishit mori një vendim për të ndarë mjete në qytetin e Izmirit pas tërmetit katastrofik”, tha Stojanov.

Verica Beqarova, sekretare e degës së Kryqit të Kuq në Radovish, shprehu falënderime deri te Drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe tha se 25 karroca do të dhurohen në Komunën e Radovishit, kurse karrocat e mbetura do të dorëzohen në pjesë të tjera të Maqedonia së Veriut.

Pas deklaratave për mediat dhe takimit zyrtar në komunë, Ibrahim Altan dhe Enver Husejin vizituan fshatin Ali Koç, ku karrocat dhe aparatet e dëgjimit iu dorëzuan personave me aftësi të kufizuara në fshat.

Në të njëjtën kohë, ata u njohën me jetën e tyre dhe problemet me të cilat përballen në fshat.