Për 10 vitet e fundit, agjencia e madhe turke e ndihmave ka ndihmuar sirianët të cilët janë zhvendosur në vendin e tyre ose janë detyruar të kërkojnë strehim në vendet fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, Gjysmëhëna e Kuqe Turke tha se rreth 600 mijë jetë u shkatërruan pa mëshirë si rezultat i konfliktit që filloi në Siri më 15 mars të vitit 2011.
Kjo tragjedi njerëzore zhvendosi 5,6 milionë njerëz, nga të cilët 3,6 milionë vazhdojnë të jetojnë në Turqi, theksohet më tej.
Sipas deklaratës, më shumë se 11,5 milionë njerëz të cilët ishin zhvendosur në vend u desh të jetonin në çadra që kishin ngritur jashtë vendbanimeve të tyre përmes mjeteve të tyre ose në kampe të krijuara nga organizatat e ndihmave humanitare dhe 5,9 milionë njerëz kishin nevojë për strehim.
Rreth 80 për qind e atyre që jetojnë në kampe janë gra dhe fëmijë dhe 60 për qind e fëmijëve në vend përballen me rrezikun e urisë, ndërsa 5 milionë fëmijë dhe nënat e tyre kanë nevojë urgjente për ushqim, theksohet në njoftim.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke aktualisht vepron në pesë provinca në shtatë qendra akomodimi.
Rreth 60.000 njerëz janë pritur në këto ambiente dhe 300 milionë lira turke (thuajse 40 milionë dollarë) ndihmë humanitare duke përfshirë ushqim, veshmbathje dhe materiale higjienike dhe materiale arsimore janë dorëzuar në kampe.
Agjencia tha se 14 kalime përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Sirisë vazhdojnë të pandërprera.
Në bashkëpunim dhe donacione, afërsisht 55.000 kamionë me ndihma janë dorëzuar në Siri deri më sot.
Agjencia turke po ashtu mori një rol aktiv në evakuimin e Halepit, Gutës Lindore dhe Al Waer dhe themeloi depot logjistike dhe qytetet e çadrave në Siri për të ndihmuar njerëzit që u evakuuan.
Që nga viti 2016, Turqia ka nisur operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve. Bëhet fjalë për operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).
Agjencia ofron mbështetje të rregullt për ata që kanë nevojë në zonat e operacioneve “Burimi i Paqes”, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke po ashtu ndihmon nevojtarët në 12 kampe dhe 14 jetimore në rajonin Idlib të Sirisë dhe më shumë se 8 milionë njerëz në rajon janë mbështetur me ndihma.
Siria është përfshirë në luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it shtypi protestat pro-demokracisë me një egërsi të papritur.
Turqia pret rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.