Gratë “moderne”- viktima të premtimeve feministe

Dr. Adem HARXHI

Lëvizja feministe, revolucioni seksual dhe lëvizja për emancipimin e plotë të gruas tek ne në monizëm bënë shumë premtime për gratë. Këto premtime tingëlluan aq bukur, sa që shumë gra braktisën burrat, fëmijët, flakën gjithë nocionin e martesës e familjes në kërkim të “vetes” dhe të karrierës. Qëllimi ishte i qartë: dëshironin të rrisnin kualitetin dhe të përmirësonin opsionet e jetës së tyre.
Shumë dekada më pas, gratë kuptuan se feminizmi dhe lëvizja për çlirimin e tyre bënë premtime që nuk mund të plotësoheshin. Ja pse sot shumë gra moderne dëshpërohen kur kuptojnë se kanë humbur feminitetin dhe forcën për marrëdhënie çiftore.
Bette Davis në librin e saj “All About Eve” midis të tjerash shkruan: “Karriera më e mirë për një femër është të jetë grua. Nuk ka asgjë më të bukur se të kujdesesh për darkën dhe të vërvitesh në shtratin ku pret ai. Pa këtë ti nuk je grua. Ti je një zyrë provinciale plot dosje me kapsa; por kurrësesi ti nuk je një grua.”
Të jesh grua është më shumë se të jesh thjesht femër. Dashuria dhe jo karriera, ka qenë dhe është preokupacioni i grave, një biznes më shumë për gratë se burrat. Ka shumë arsye që një burrë ta dojë një grua, por më kryesorja sipas specialisteve, është “seksi”.
Edhe gratë nëse duan të jenë të lumtura e të kënaqura, duhet të ndjehen plotësisht si gjysma e një çifti. Kjo është pasojë e të ashtuquajturit “Faktori i Arkës së Noah” sipas të cilit që kur jemi të vegjël e perceptojmë botën të mbushur plot çifte dhe jemi nën influencën e nënës e të babait si një entitet i pandarë.
Grave u pëlqen ndjenja e sigurisë që u jep seksi, u pëlqen të ndjejnë se janë të lakmuara prej burrave. Ato ndjejnë se janë të vlefshme vetëm kur një mashkull tërhiqet seksualisht prej tyre. Shumica e grave, kur bëjnë dashuri ndjejnë se janë më të bukura, më seksuale, më të lakmueshme etj. Por sot, nuk janë pak edhe gratë që dëshirojnë të bëhen Amazona, që përpiqen të largohen nga natyra e tyre e butë, nga personaliteti i tyre si Nëna, si Madona dhe si Kurtizane.
Barazia gjinore është vetëm një premtim feminist që kurrë dhe askund nuk u plotësua, një premtim me pasoja shkatërruese, në radhë të parë për vetë gratë.
Premtimet feministe edhe pse zbukurohen me terma tërheqëse psikologjike, zhgënjyen ndërgjegjen e shumë grave.. Është kjo arsyeja që sot shumë autore, gra të shquara, i quajnë këto premtime “gënjeshtrat e mëdha të çlirimit”.
Le të rreshtojmë disa nga këto gënjeshtra.
1- “Gratë kanë gjithçka që u duhet”
Nën ndikimin e kësaj gënjeshtre, gruaja “luftëtare”, ndeshet me një burrë të vërtetë, por në fakt ajo është e pa pajisur dhe konfuze për këtë duel. Kur nuk arrin ta fitojë, kërkon të vendosen standarde të tjera për të, të ndryshme nga ato të burrave. Amazona është produkt i kohës që jeton, por, shumë syresh nuk ndjehen mirë kur kuptojnë se kanë humbur esencën e tyre femërore, forcën për marrëdhënie çiftore.
Arthur Schopenhauer thotë se gruaja prej natyre është e predispozuar të jetë dependente e burrit. Ai shkruan: “Një grua edhe kur vendoset në pozitën jo të natyrshme të pavarësisë së plotë, do të përpiqet menjëherë t’i ngjitet një mashkulli. Në fund të fundit, ajo do t’i lejojë vetes të drejtohet dhe komandohet nga një mashkull.” Sipas Schopenhauer kjo ndodh sepse “ajo ka nevojë për një lord (superior në fuqi) dhe një mjeshtër (superior në dije). Kur është e re, do të zgjedhë një të dashur; kur është e moshuar, do t’i duhet një prift.”
Lëvizja feministe u përpoq t’i bindë gratë që të besojnë se ato kanë rezerva të pashtershme energjish fizike dhe psiqike. Në të vërtetë ato nuk i kanë këto rezerva. Gratë, ashtu si edhe burrat kanë energji, por jo pakufi. Ato si qenie tokësore, kanë kufizime të njohura fizio-psikologjike. Edhe vetë Simone de Beauvoir, autorja feministe e mirënjohur e “The second sex”, nuk pretendon të ketë gjithçka.
Një grua që shpenzon energjitë e saj për të arritur një karrierë brilante, i ka lënë shumë pak energji vetes për të përmirësuar marrëdhëniet në familje, për të mbështetur burrin dhe për të mirërritur fëmijët e saj. Shumë gra sot e kanë nënvleftësuar kontributin që duhet të japin në forcimin e familjes. Sipas pikëpamjes feministe gruaja që përdor energjitë dhe intelektin e saj në mbështetje të familjes dhe neglizhon sukseset në karrierë, nuk është gruaja moderne. Ajo nuk është as e mençur, as e zhvilluar dhe në një farë mase as adekuate.
Ka qenë një kohë kur gratë ndjeheshin të lumtura sepse ishin gratë e presidentëve, të deputetëve, të doktorëve; sepse ishin nënat e shkencëtarëve dhe artistëve të mëdhenj. Ato ishin të lumtura që ndihmuan burrat dhe fëmijët të përparojnë. Sot është ndryshe. Gratë duan të jenë vetë presidente, deputete, shkencëtare, artiste, gjykatëse etj. Natyrshëm lind pyetja: po fëmijët kush do t’i lindë, do t’i rrisë dhe do t’i edukojë?
Feminizmi mëson se gruaja jo vetëm mund të bëjë atë që bëjnë burrat, por detyrimisht duhet të bëjë atë që bëjnë burrat. Në kushtet kur burrat nuk bëjnë atë që bëjnë gratë (ata nuk bëjnë fëmijë), kjo e ashtuquajtur “barazi” që kërkojnë feministët, është vetëm mbingarkesë për detyra superhumane, që i telekos dhe i bën ato jo efektive.
Edhe kur grave u duket se kanë fituar të gjithë botën, ose një pjesë në të, çmimi që u është dashur të paguajnë për këtë ka qenë shumë i lartë. Ato kanë humbur shpirtin e tyre femëror.
2- “Gratë kanë potenciale që nuk i përdorin, ato janë qenie speciale”
Kjo do të thotë se në çdo gjë që bëjnë gratë, u mbeten akoma potenciale të pashfrytëzuara e që duhet t’i përdorin. Por jeta vërteton se askush nuk i përdor të gjitha potencialet që ka. Madje, vetëm pak burra dhe gra kanë instinktin dhe motivacionin që të përdorin një pjesë të potencialeve të tyre. Gratë që kanë besuar gënjeshtrën se janë “speciale”, mbivlerësojnë veten dhe pushtohen nga një lloj “grandioziteti” . Psikologjikisht ky është një inflacion i vetes, një çrregullim në perceptimin e personalitetit të tyre.
Të gënjyera prej feminizmit gratë “moderne” harxhojnë sasi të jashtëzakonshme energjish fizike dhe psiqike në botën e punës dhe përsëri janë të pakënaqura nga rritja e tyre profesionale dhe satisfaksioni në jetë. Nganjëherë, kjo vjen si pasojë e qëndrimeve seksiste, por shpesh vjen edhe nga fakti i thjeshtë se shumica e grave ashtu si dhe shumica e burrave janë njerëz të zakonshëm. Ashtu si shumë burra edhe gratë e sotme mesatare, janë vetëm dhëmbë në ingranazhin e madh të forcës punëtore, ku ato kanë më pak probabilitete nga burrat për t’u bërë presidente të kompanive.
3-” Të evitojmë mëmësinë”
Gratë “moderne” mendojnë sikur nuk do të moshohen kurrë. Ato e kanë shtyrë pa kufi martesën dhe lindjen e fëmijve me qëllim që të zhvillojnë gjoja individualitetin e tyre dhe të konsolidojnë qëllimet e tyre për karrierë. Kjo sjellje e grave është një refuzim i mëmësisë nga vetë gratë. Ta pranosh jetën në këtë mënyrë do të thotë të mos kuptosh fare realitetin e sistemit tënd riprodhues dhe kufizimet që ai ka në kohë. Fëmijët që lindin nga gra të “plakura” kanë shumë probleme si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Duhet kuptuar mirë se ato ovare të shkreta nëna natyrë nuk u a ka dhënë për gjithmonë. Ja pse sot, shumë gra mbi tridhjetë e pesë vjeçe janë shpesh në panik dhe të dëshpëruara për kohën që u vrapoi. Edhe në Bibël shkruhet: ka një kohë për gjithçka.
4-“Barazia gjinore”
Kjo gënjeshtër e propaganduar gjerësisht nga revolucioni seksual, midis të tjerash, sugjeron se burrat dhe gratë e gëzojnë seksin në të njëjtën mënyrë, gjë që s’është aspak e vërtetë sepse:
a-Shumica e grave kanë nevojë për dashurinë dhe prej saj (jo gjithmonë) shkojnë tek seksi. Ato nuk e ndajnë dot seksin nga dashuria. Po burrat? Ata kërkojnë seksin dhe prej tij (jo gjithmonë) shkojnë tek dashuria. Ata e ndajnë lehtë seksin nga dashuria. Për burrat seksi dhe dashuria janë dy gjëra të ndara.
b-Seksi rastësor i bën shumë gra të ndjehen të dëshpëruara, të pakënaqura dhe të penduara. Kjo gjë nuk ndodh me burrat. Ata janë më të prirë për seksin rastësor.
Duket qartë se teza feministe e barazisë gjinore, nuk është e saktë. Ajo denigron në radhë të parë integritetin femëror. Ajo është kundër vetë grave.
Edhe pas përparimeve të mëdha në fushën e kontracepsionit, në këto pesëdhjetë vitet e fundit shumë gjëra në fushën e marrëdhënieve çiftore as kanë ndryshuar as nuk do të ndryshojnë kurrë. Ne nuk mund të ndryshojmë natyrën e jetës. Krijimi është ashtu siç ka qenë që nga fillimi i jetës në tokë: “nëntë minuta kënaqësi për burrin dhe nëntë muaj shqetësime për gruan”. Në çdo akt të interkursës seksuale, gruaja ndeshet me potencialin e një jete të re. Ja pse akti seksual është me rëndësi të veçantë për një grua. Është realitet i pamohueshëm që gruaja dhe vetëm ajo, mbart brenda vetes aparatin fizik dhe psiqik për riprodhimin e jetës. Ja pse Frojdi kish të drejtë kur deklaronte: “Biologjia është destiny.”
Erik Erikson e çon më përpara idenë e Frojdit. Ai shpjegon: “… observimet klinike tregojnë se, një ‘spacium i brendshëm’ qëndron në qendër të dëshpërimit po ashtu edhe në qendër të kënaqësisë potenciale të grave. Ky boshllëk i bën gratë të ndjehen të mallkuara. Ta lësh siç është atë boshllëk, do të thotë ta lësh të zbrazur, të rrjedhë jashtë gjaku i trupit, ngrohtësia e zemrës, lëngu i jetës. A nuk do të thotë kjo se “anatomia është destiny?” pyet Erikson dhe përgjigjet- “Po, ajo është destiny. Dhe anatomia nuk përcakton vetëm funksionin fiziologjik me kufizimet e tij por në një kuptim më të gjerë konfiguron dhe vetë personalitetin. Mënyrat si sillet dhe është e përkushtuar femra, reflektojnë ndërtimin themelor të trupit të saj.”
Shumë psikoanalistë gjatë procesit të mjekimit të pacienteve femra kanë konstatuar se sjellja femërore është pasojë e konceptit të “enës bosh”. Sipas këtij koncepti, gratë janë të zëna në një “grackë” biologjike që i ka bërë ato të programohen psikologjikisht në vartësi të strukturës së tyre fizike.
Helene Deutsch në librin e saj “Psychology of Women” shkruan: “……anatomia e organeve të seksit nuk lë asnjë dyshim për funksionin e tyre. Organi mashkullor është bërë për penetrim aktiv, femërori për pritje pasive…. Zgjimi i vaginës për të funksionuar seksualisht në mënyrë të plotë është tërësisht i varur nga aktiviteti i burrit. Kjo mungesë e aktivitetit vaginal spontan përbën bazën fiziologjike të pasivitetit femëror.”
Pas këtyre pak fakteve që rreshtuam a nuk tingëllon absurde ideja e “Barazisë Gjinore”?
Ndikimi negativ i kësaj gënjeshtre feministe, të cilën sot e ndjejmë të gjithë është rritja e numrit të grave që përfshihen në marrëdhënie seksuale rastësore, tipike për jetën seksuale të burrave.
5- “Femërore do të thotë dobësi”
Kjo gënjeshtër mohon forcën e feminitetit. Sjelljet tradicionale femërore si butësia, ëmbëlsia, mirësia dhe prirja për marrëdhënie të mira çiftore, sot shihen si tërësisht qesharake. Nazet dhe harlisjet vajzërore që janë shumë natyrale për shumë gra, janë zhdukur për t’i lënë rrugë agresivitetit të tyre mashkullor.
E vërteta është krejt ndryshe. Sjelljet e “buta” femërore janë jashtëzakonisht të fuqishme dhe apeluese, ato janë hipnotizuese për burrat. Këto sjellje rrisin shumë vulnerabilitetin dhe receptivitetin e një gruaje dhe e bëjnë atë shumë të dëshiruar dhe të lakmuar. Këto ndjenja i inspirojnë burrat për nivele të larta të devocionit dhe proteksionit. Burrat pëlqejnë gra që janë dhe sillen ndryshe nga ata dhe jo gra që janë e sillen si burra.
Aftësitë mashkullore që kanë fituar gratë moderne në kërkim të të drejtave të tyre mund të jenë efektive në treg, por ato janë të papërshtatshme (jo konforte) dhe destruktive si për burrin dhe për gruan në marrëdhëniet personale. Shumë gra sot nuk dinë të operojnë në mënyrë femërore dhe për këtë ato duhet të mësohen.
Dobësia është parë gjithmonë dhe vazhdon të shihet si një atribut i admirueshëm dhe i shkëlqyer femëror. Përfytyroni gratë në përrallat e frikshme të moçme. Kujtoni atë që shkruan Shekspiri “Dobësi, ky emër është femër” (Frailty, thy name is woman). Gjenerata pas gjeneratash, zalisjet, lotët me vend e pa vend, ngjitjet pas burrit në situata të vështira që i kemi parë në jetë, në filma, në libra na kanë mësuar se gratë janë specie të rrezikuara. Ja, kjo është një grua pa burrë, qoftë dhe ajo me karrierën më të suksesshme.
6- “Që të jesh e lakmuar nga burrat, duhet të jesh e suksesshme”
Feminizmi gënjen gratë kur u thotë se ato janë më tërheqëse për burrat kur rrisin shkallën e sukseseve të tyre në karrierë; se janë sukseset profesionale dhe rritja e forcës së tyre që do t’i bëjë ato më të lakmuara prej burrave. Kjo tezë nuk është e vërtetë. Burrat natyrisht admirojnë dhe respektojnë gratë e suksesshme ashtu siç admirojnë dhe respektojnë edhe burrat e suksesshëm, por në marrëdhëniet mashkull-femë r të natyrës personale veprojnë të tjera nevoja dhe instikte. Në dashuri një grua është e pëlqyer dhe e adhuruar jo për sukseset në karrierën e saj, por për atributet unikale femërore që ka. Në këto atribute bëjnë pjesë vlerat e dashurisë, të marrëdhënieve, të inspirimit, të spiritualitetit e shumë të tjera. Statistikat, kudo në botë, tregojnë se sa më të lartë ta ketë shkollimin dhe karrierën një grua, aq më pak ajo do të hyjë në marrëdhënie intime me burrat, aq më pak shanse do të ketë për t’u martuar, aq më pak burra (prej të cilëve asaj i duhet të zgjedhë) do të vërtiten rreth saj. E thënë thjesht: Edukimi formal për një grua është një asset në tregun valutor, por në punët e zemrës ai është një borxh që do t’i duhet ta shlyejë. Sa më karrierë të suksesshme të ketë një grua, aq më pak “seksi” është ajo për burrat dhe kjo i dëshpëron shumë gratë e suksesshme. Ndodh krejt ndryshe me burrat, më të suksesshmit prej tyre, janë edhe më “seksi” për gratë. Burrat duan gra që janë dhe sillen ndryshe nga ata e jo gra që janë e sillen si burra.
Burrat para se ta bëjnë një grua partneren e tyre seksuale kërkojnë që ajo të ketë shumë kualitete, ndërsa gratë kërkojnë vëmendjen e burrit. Ato e duan këtë vëmendje sepse kjo i bën të besojnë tek pamja e tyre e mirë.
Marrëdhënia seksuale duhet të jetë e tillë, që të ruajë shëndetin mendor dhe fizik. Largimi nga këto marrëdhënie, me qëllim që t’i kushtohesh karrierës, nuk është një vendim i mençur.
7-“Androgynya”
Feminizmi propagandon konceptin mitologjik të androgynysë. Sipas mitologjisë, në fillim, qeniet njerëzore ishin androgynous (pa seks, hermafroditë) , pra të gjitha njësoj, krijesa të unifikuara. Si të tilla ato fituan fuqi dhe ishin gati të dilnin mbi zotat. Që t’u pakësonte fuqinë, Zoti, i ndau njerëzit në dy gjysma: mashkull dhe femër. Të ndarë më dysh, ata ndjehen si qenie jo komplete. Nostalgjia dhe uria, për tërësinë e tyre të humbur, i shtyn që vazhdimisht të jenë në kërkim të gjysmës tjetër, duke shpresuar se në momentin e bashkimit seksual, ata do të riprovojnë ekstazën dhe kënaqësinë që e humbën kur humbën tërësinë. Sipas legjendës, dëshira jonë seksuale është pasojë e ndjenjës së inkompletes që na shtyn drejt së tërës.
Pikëpamja feministe se burrat dhe gratë janë njësoj, është huazuar nga androgynya mitologjike, gjë e cila nuk është e vërtetë. Burrat dhe gratë janë të ndryshëm jo vetëm biologjikisht, anatomikisht dhe fiziologjikisht. Ata ndryshojnë njeri prej tjetrit edhe psikologjikisht. Është provuar në mënyrë të padiskutueshme se gratë janë më intuitive, më të ndryshueshme, më të ndërlikuara dhe më misterioze. Ato, në mënyrë të pakrahasuar, janë më të interesuara për dashurinë dhe marrëdhëniet çiftore. Të sugjerosh, ashtu siç bëjnë feministët, se të gjitha këto epërsi janë tërësisht kulturore, është absurde. Në librin e saj të mrekullueshëm ” In a Different Voice”, psikologia klinike e Universitetit të Harvardit Carol Gilligan, tregon për konkluzionet e shumë studimeve lidhur me sjelljet në lojërat e djemve dhe vajzave të reja. Studimet tregojnë qartë se në lojërat e tyre ndryshe sillen djemtë dhe ndryshe sillen vajzat. Djemtë e rinj lozin me rregulla rigoroze, ose bien dakord me parime. Respektimi dhe përqafimi i këtyre rregullave dhe parimeve prej tyre është me shumë rëndësi. Thyerja e këtyre rregullave konsiderohet gabim i madh dhe dënohet. Vajzat kanë pak rregulla. Edhe kur i vendosin ato rrallë lozin sipas tyre. Ato janë më të prira për ndjenjat. Kjo do të thotë se vajzat dëshirojnë të bëjnë gjithkënd të ndjehet mirë dhe i lumtur. Parimet dhe rregullat me të cilat rrojnë vajzat e reja janë rregulla të marrëdhënieve, rregulla që kanë të bëjnë me mënyrën se si njerëzit duhet të sillen me njeri-tjetrin.
E thënë thjesht: Vajzat e vogla dhe gratë e rritura, kujdesen më shumë për dashurinë se sa kujdesen për ligjin. Kjo është esenca e të qënurit grua.

Perktheu Omer Berisha