20-11

Gripi i syve, një tjetër virozë që po përhapet.

Paralelisht me gripin e zakonshëm duket se janë shtuar edhe rastet e pacientëve të prekur me gripin e syrit. Kjo sëmundje quhet keratokonjutiviti epidemik, ose gripi i syrit në gjuhën popullore.

Në përgjithësi ai shkaktohet nga adenoviruset dhe është tepër ngjitës. Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë. Zakonisht sytë preken me duar në mënyrë të pavullnetshme rreth 14 herë në ditë. Kjo ndodh më tepër te fëmijët dhe gjatë përdorimit të produkteve kozmetike.

Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen.

Mjediset e ndotura me këtë virus, peshqirët, këllëfët e jastëkëve të ndotur apo shtrëngimi i duarve, mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit. Gjithashtu ai përhapet nëpërmjet ajrit gjatë kollitjes apo teshtitjes.

Disa nga shenjat

Skuqje e të bardhës së syrit
· Enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës
· Lotim i vazhdueshëm i shtuar
· Shqetësim nga drita
· Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin
· Kruarje, irritim apo djegie e syrit
· Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
· Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë