Rtv Pendimi

GRUAJA E DITUR E UDHËZUAR, KRENARIA E NJË POPULLI

Në mënyrë shumë të veçantë dhe me një kujdes shumë të denjë Zoti i Lartësuar flet për një grua besimtare dhe të devotshme, ku nga ky varg na këshillon që ta kemi model shembullin e saj: “E atyre që besuan, Allahu u solli shembull gruan e Faraonit, kur ajo tha: “Zoti im, më bëj një vend pranëmëshirës Tënde në xhenet dhe më shpëto prej Faraonit e brutalitetit të tij, dhe më shpëto prej popullit mizor.” (Kur’an 66/11).

Nëse studiojmë gjendjen e kësaj gruaje besimtare, Asjes, kësaj gruaje mendjemprehtë, a nuk do të vijmë tek përgjigja se kjo grua ka qenë një grua e denjë, e mençur, e ndershme, vizionare, e shkathtë, e devotshme e mbi të gjitha besimtare e lidhur fort për besimin në Zotin Një?

Vërtet, një grua madhështore, me mençuri dhe trimëri të bashkëlidhura i tha burrit të saj (faraonit) në mënyrë të drejtpërdrejtë fjalën e drejtë për besimin që kishte ajo. Me gjithë torturat e rënda që përjetoi nga tirani i asaj kohe, të cilin e kishte burrë, Asjes nuk i bëri aspak përshtypje luksi i tij, ”kënaqësitë“ e tij, që kjo t’i kthehej e të vazhdonte me të, saqë ai (faraoni) nuk e trajtoi as si marionetë të paktën, por e trajtoi si skllave, duke mos ia ndaluar torturat e njëpasnjëshme, por, përkundrazi ai (faraoni) me këtë i dha shansin dhe mundësinë që Asja të bëhet e nderuar tek Allahu, duke u bërë shëmbëlltyrë për të gjitha besimtaret deri në Ditën e Gjykimit.

Ndoshta mund të lindë pyetja: A mundemi edhe ne të bëjmë diçka madhështore siç bëri Asja? Pa dyshim që po, ngaqë njëra prej dhuntive të shumta të Allahut është që edhe mirësitë i ka lënë të llojllojshme. Madje, atë që mund ta bëjë një grua me punët e saj të dobishme, nuk e bëjnë dot ligjëratat e leksionet e shumta.

Nëse je bijë, kujdesu për prindërit e tu, bëhu urë kaluese për ta me edukatën dhe moralin që ata të kultivuan, nëse je nënë, kujdesu për fëmijët e tu që t’i edukosh me edukatë të shëndoshë që në të ardhmen të bëhen barrikada të forta në mbrojtje të Islamit dhe të bëhen ndjekës të sinqertë të tij. Nëse je grua (bashkëshorte), bëhu e dashur dhe ndihmëse e sinqertë në çdo gjendje të bashkëshortit, me synim që të arrish kënaqësinë e Zotit, e nëse je gjyshe, bëhu e urtë dhe mbill urtinë tënde në brezat e rinj.

Me të gjitha këto virtyte mund të bëhemi lehtë krenaria e një populli, sepse Zoti ynë ka bërë që floriri ynë të jetë feja Islame, stolia jonë morali i lartë e pasuria të jetë karakteri ynë, ku këto të tria janë përbërës bazë për kënaqësitë e kësaj bote dhe amshueshmërisë.

Motër e nderuar !

Kjo botë me gjërat e saj kalimtare s’duhet të joshin mendjen tënde. Përkundrazi, ti duhet të jesh e lumtur vetëm kur analizon vetitë e gruas besimtare dhe asaj jo besimtare. Krahasoi këto dy dukuri të ndryshme, dhe do të shohësh se ti je me plot epërsi dhe e ngritur. Mos të harrojmë se në këtë botë jeton edhe pronarja e pallatit edhe pronarja e kasolles, por neve na intereson të dimë se kush është e lumtur, kush jeton në lumturi?

Le të na mjaftojë një copë buke e thatë, e rreshkur, por hallall, sesa një gjellë me mishra të kombinuara por haram. Të kujtojmë se shumë gra në botë janë të privuar nga begatitë që kemi ne. A thua vallë janë të lumtura ato gra që zënë shtretërit e spitaleve nga sëmundjet e rënda (sida, droga etj.) , apo ato gra që gjenden prapa grilave të burgjeve për vepra penale degjeneruese, madje sa prej grave në botë e kanë të humbur kujtesën për shkak të dëshpërimeve në jetën e tyre?

Jo vetëm këta, por shembuj që nuk cekëm ka plot, lidhur me çfarë vuajnë gratë e joudhëzuara në Islam, prandaj bëhu falënderuese, sepse nder dhe privilegj më të lartë se udhëzimi i Zotit nuk ka. Nuk themi që në mesin e grave të udhëzuara nuk ka prej atyre që vuajnë nga sëmundje të ndryshme jo shëruese si kanceri, por besimtarja e sinqertë di se si ta trajtoj këtë gjendje , sepse sëmundjen e pranon si një mesazh përgëzues, ngaqë e di se me durim pastrohet nga mëkatet e bëra.

Gruaja inteligjente dhe e dashur di se si të jetë admiruese, ngaqë çdo vepër që bën e ka plotësisht të qartë se vetëm tek Allahu janë çelësat e botës dhe e fshehta e rehatisë dhe shpëtimit. Ajo në çdo çast mbjell një ide, në çdo orë një vepër të mirë e me këto gjëra vetëm se ia shton edhe më shumë krenarinë vetes së saj, familjes dhe popullit të saj.

Gruan besimtare, nëse e godet ndonjë sprovë si, humbja e fëmijës, bashkëshortit, prindit, vëllait, motrës, ajo di se si ta mbajë veten, ngaqë shembull ka elitën krenare të botës islame që lanë gjurmë të besimit, devotshmërisë, mirësisë, bujarisë e ato janë: Asja, Merjemja, Hatixhja, Aisheja, Esmaja, Fatimja, Rukaja etj…

Besimtarja e mençur e di që jeta përbëhet nga gëzimi, hareja, qetësia dhe kënaqësia, si dhe nuk lejon në zemrën e saj të ketë ankth, lakmi dhe zili, sepse e di që janë kundër shëndetit dhe bukurisë.

Gruaja e udhëzuar që është e kapur fortë te litari i Allahut është porsi bleta që Ushqehet mirë dhe jep vetëm të mira, saqë kur ulet në bar nuk e thyen barin, kur e prek nektarin nuk e dëmton lulen, e jep mjaltin dhe nuk kafshon, fluturon dhe shkon me dashuri, zërin e ka përgëzues ku i ngjan një meleku dhe lë vetëm kënaqësi. A thua vallë nuk janë këto karaktere dhe virtyte të larta që bulëzojnë dhe shpërndajnë vetëm krenari?

Ja vlen t’i shkoqisim disa shembuj madhështorë nga historia e grave të udhëzuara: Në periudhën e Haxhaxhit, një nëne të shtyrë në moshë armiqtë ia mbyllën djalin në burg, veç kësaj, armiqtë e kërcënuan nënën besimtare se do t’ia vrisnin djalin. Pa u thyer dhe me plot vendosmëri burrërore, i tha: “Edhe po të mos e vrisni ju, do të vdesë vetë.” Pastaj shembulli i Esmas , bijës së Ebu bekrit , e cila kur e pa djalin e saj Abdullah b. Zubejrin të vrarë tha: “A erdhi koha që ky kalorës të bëhet burrë!?”

Mandej rasti me qëndrimin dhe mbajtjen e Hansajës kur mori lajmin e vdekjes së katër bijve të saj në flijim për besimin në Zotin Një, tha: “Falënderimi i takon Zotit që më respektoi me vrasjen e tyre si dëshmorë në rrugë të Tij”. Ndoshta, gjithsecila prej nesh, kur i përfytyron a sjell ndër mend këta shembuj, sheh t’i rrjedhin lot, dhe thotë se, butësia dhe urtësia e tyre i ngjajnë butësisë së erës së lehtë dhe qëndrueshmëria e tyre maleve të larta. Nuk e mohojmë atë se edhe nga bota e grave të pa udhëzuara në Islam ka gra të afta dhe të guximshme, por duhet ta dimë se çfarë dallon mes atyre dhe të tjerave që janë të udhëzuara.

Të udhëzuarat, me plot vetëdije qëndrojnë në rrugën e cila të shpie në kopshtet e lumturisë së përjetshme, ndërsa gratë e tjera qëndrojnë në “kopshtet e lumturisë” për të pat llogari të majme bankare, rroba moderne, shërbime luksoze, shërbime nga shërbëtorët… etj. E këto janë gjëra vetëm për këtë botë kalimtare.

Ndër shkaqet e tjera të lumturisë që ka gruaja e udhëzuar, është edhe njohuritë shkencore krahas atyre fetare. Ajo me zgjuarsinë e saj mundohet që shtëpinë ta shndërrojë në një universitet të dashur me ambient joshës. Me kursimet që bën, ndërton një dhomë studimi me vitrina nga libri i shkencës dhe Kur’anotekës, duke dhënë shembull që nuk e shpenzon kohën kot si dëgjim muzike, shikim të serialeve të ndyra dhe të pa vlera, po e kalon dhe e shpenzon kohën e saj në vepra dhe gjëra të pranuara tek Allahu. Jo rastësisht të urtët e kanë vlerësuar pozitën e gruas së ditur dhe të udhëzuar si më prestigjiozen, duke e vendosur bukurinë e saj me bukuritë e universit.

Me një kujdes të veçantë i përshkruajnë bukuritë e universit si, pamjen e llojllojshme të yjeve në qiellin e bukur, mandej, hënën e kthjellët që gjallëron duke thyer errësirën e natës etj. Bukuri këto, që syri i njeriut nuk i përkufizon nga gjerësia që kanë dhe shpirti kënaqet nga bukuritë që ato çlirojnë, por bukuria që jep gruaja e udhëzuar as nuk mund të krahasohet me bukuritë e universit. Duke lënë këtë shkrim të pambyllur, për shkak që vlera e gruas besimtare i ngjan një oqeani që s’ka mbarim, po ndalemi tek një thënie e bukur që thotë: “Ndoshta për botën gruaja besimtare duket vetëm një person, por mos harrojmë se kjo grua në botë është më e vlefshme se vetë bota.”

Valbona Kelmendi

 

 

 

TË NGJAJSHME