burri-gruaja

GRUAJA, FAMILJA DHE EKUILIBRI I RËNDË

Kur i kthehem kujtesës së mëhershme, më vijnë ndërmend kujtimet e mia që i kisha rreth pamjes së një burri, të cilin e parafytyroja në ndërgjegjen time dhe doja të ishte bashkëshorti im. Dëshiroja të ishte me veti të mira dhe cilësi të larta, si babai im, i cili ishte burrë në plot kuptimin e fjalës. Por, kur e bëj një kra­hasim mes burrit të asaj kohe dhe atij të sotmes, vërej dallime të mëdha dhe të qarta, që padyshim s’janë në favor të burrit të sotëm në shumicën e rasteve.

Pavarësisht nga ajo se ata s’ishin të ditur dhe nuk zotëronin diploma universitare, në krahasim me burrat e sotëm, shumica e tyre ishin të edukuar dhe me vetëdije të lartë rreth çështjeve fetare dhe asaj jetësore, ndoshta edhe më shumë se ata çka zotëronin sot diploma të larta.

Deri dje burri ishte ai i cili e edukonte familjen, e mbronte prej çdo mendimi të huaj joislam që e rrezikon atë personalisht apo familjen e tij. Fjala e tij ishte e respektuar dhe e dëgjuar. Familja e nderonte dhe respektonte me plot dëshirë dhe vullnet. Çdo mosmarrëveshje në familje e zgjidhte me mend dhe urtësi. Marrëdhëniet dhe sjelljet brenda familjes dhe jashtë saj, i mbante në dorën e tij, dhe s’lejonte t’i ndodh asgjë askujt prej anëtarëve të familjes. Gruas ia mbronte pozitën e saj, ishte i kujdesshëm për fëmijët e tij dhe i gëzonin të gjitha të drejtat e tyre familjare dhe personale.

Por, nëse kthehemi dhe i shikojmë shumicën e bu­rrave të sotëm, do të vërejmë çudira. Marrëdhëniet e burrit me gruan në shumicën e shtëpive, kanë marr një pasqyrë trishtuese, plotësisht larg asaj pasqyre që duhet të jenë marrëdhëniet bashkëshortore.

Zakonisht marrëdhëniet bashkëshortore ndahen në tre lloje:

Lloji i parë: Burrë sundues dhe dominues mbi gruan e tij

Në këtë rast burri është ai i cili sundon mbi çdo gjë, duke i përbuz të drejtat dhe ndjenjat e të gjithëve, edhe atë duke filluar prej gruas së tij. Shpeshherë tenton ta dobësojë personalitetin e saj, t’i neglizhojë të drejtat e saj, fisnikërinë e saj, natyrshmërinë e saj, e pastaj e ofron për familjen e tij si kafshatë të lehtë të nën­çmuar.

Ka raste të shumta dhe të llojllojshme, ku gratë ankohen nga sjellja e keqe e burrave të tyre. Ja se si na rrëfen njëra prej tyre dhe thotë:

Jam një zonjë dyzetvjeçare dhe e martuar prej moshës njëzet e dyvjeçare. Kam katër fëmijë, që janë në nivel të lartë të moralit, fesë dhe predominimit shkollor dhe atij sportiv. Kam një problem në jetë, e ai është burri im. Problemet mes nesh filluan pasi që u martuam, dhe shkaktar kryesor është familja e tij. Ata e nxisin kundër mua duke shpifur gjëra që s’i bëj, dhe ai i beson, kurse mua s’më dëgjon. Tani ka filluar të më bërtas dhe qorton haptazi pa asnjë shkak, dhe të më nënçmon para vajzave tona, të cilat janë para martesës.”

Na rrëfen një zonjë tjetër e cila thotë:

“Jam një zonjë e martuar që shtatë vite e gjysmë dhe i kam dy fëmijë. Pavarësisht se i kalova ato vite në martesë, dëshiroj të ndahem prej burrit, për shkak problemeve që mi shkakton. Faktor kryesor për problemet tona është familja e tij, e nxisin me të madhe kundër mua, e ai i respekton dhe i dëgjon shumë, pavarësisht se a e kanë të drejtë apo jo. Më nënçmon para tyre dhe atyre ua lejon të më nënçmojnë. Bëj durim sa mundem dhe e rikujtoj veten se unë veproj me ato vetëm për hir të Allahut. Tani jetoj tek ai vetëm s’i trup pa shpirt, ia plotësoj të gjitha dëshirat dhe i gëzon të gjitha drejtat bashkëshortore, por tani atë e urrej shumë për shkak se jetën ma shkatërroi. Tani jam e sëmurë, me dep­resion të thellë dhe mendoj vetëm për vdekje”.

Këto shembuj e shumë të tjerë ndodhin si rezultat i personalitetit të dobët të burrit para familjes së tij dhe mosrespektimit të gruas duke e përdorur forcën si mjet për sundim. Gabimi i tij në këtë rast vjen si shkak i padijes për menaxhimin e jetës së tij të re, dhe mos­veprimi i tij me baraspeshë mes të drejtave familjare që duhet t’i plotësojë, dhe mes lidhjeve farefisnore, mirësisë ndaj tyre, përfitimin e dashurisë dhe këna­qësisë së tyre, dhe mes të drejtave të gruas së tij mo­rale, materiale dhe mbrojtjen e natyrshmërisë dhe fisnikërisë së saj.

Harron se është përgjegjës për gruan e tij para Allahut azze ue xhel me përgjegjësi të plotë, dhe harron porosinë e krijesës më të mirë dhe më të drejtë Muha­medit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili në Haxhin e Lamtumirës, na porositë të kujdesemi për gratë, qof­shin vajza, gra të martuara apo nëna: “O njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe silluni mirë me gratë, sepse ju i keni marrë ato amanet nga Allahu dhe me fjalën e Allahut ju është lejuar t’i keni gra”.

Prandaj, o ti burrë sundues dhe i padrejtë: Gruaja jote është robëreshë e dobët që babai i saj e ka lënë ama­net tek ti dhe Zoti yt do t’i llogarisë sjelljet e këqija dhe të liga ndaj saj. Vepra jote është shumë larg mo­ralit të lartë dhe besimit të kulluar. Transmeton Ebu Hurejra prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai i cili ka moral më të mirë, dhe më i miri prej jush është ai i cili është i sjellshëm me gratë e tij dhe unë jam më i sjellshmi me familjen time”.

Për gruan në këtë rast s’mbetet tjetër vetëm se të bëj sabër dhe të kërkojë ndihmë prej Allahu, azze ue xhel, së pari dhe së fundi. Pastaj, le të kërkon çdo rrugë e cila e drejton në përmirësimin e gjendjes së burrit të saj, të sillet mirë me të, të tenton ta rikujton se Allahu e mbikëqyrë çdo sjellje të tij dhe të bëj dua vazhdi­misht që Allahu ta udhëzojë dhe ta përmirësojë gjen­djen e tij.

Nëse dështon çdo mund i saj dhe burri i saj nuk drejtohet, atëherë le të kapet për litarin e Allahut dhe të kërkojë pandërprerë ndihmë prej Tij, dhe të rikujtojë se për durimtarët Allahu ka premtuar shpërblime pa llogari. Kjo do t’ia lehtësojë asaj gjendjen dhe dhimbjen në shpirt.

Lloji i dytë: Personalitet i dobët me gruan e tij:

Ky lloj është krejtësisht i kundërt me llojin parë. Në llojin e parë e vërejtëm se si burri e flijon gruan për familjen e tij, injorancën dhe epshet e tij, ndërsa në llojin e dytë do të shohim një burrë që e flijon familjen dhe jetën për gruan e tij.

Ky lloj i burrave ia dhuron gruas jetën e tij, men­djen e tij, jetën e tij, i nënshtrohet asaj tërësisht, i respekton urdhëresat e saj dhe i përgjigjet të gjitha dëshirave dhe nevojave të saja. E flijon për atë çdo send, familjen, fisnikërinë, burrninë, dëshirat e tij, dhe krejt botën çka e rrethon. E harron porosinë e Zotit të tij, që t’i respekton prindërit dhe të sillet mirë me ata. E harron flijimin e prindërve të tij që ta edukojnë, ta rrisin, e ta shkollojnë, vetëm se për hir të gruas.

Na rrëfen një nënë, dhe thotë:

“Jam nënë e një djali, që e rrita me shumë vështirësi. Babai i tij ndërroi jetë herët dhe unë e sëmurë tentoja t’ia plotësoj të gjitha kushtet. Sot jetoj së bashku me familjen e tij, por më detyron që të jetoj e vetme në dhomë, të ha vetëm që mos t’i pengoj atij dhe gruas së tij, s’më lejon të largohem prej shtëpie vetëm se një orë në ditë edhe atë duke më shoqëruar shërbëtorja. Jetoj e vetmuar dhe çdo moment e pres vdekjen. Më duket se jam e burgosur dhe e kaloj kohën e dënimit në regjim izolimi, ndërsa biri im është ai i cili më dënoi dhe më burgosi”.

Na rrëfen një baba, dhe thotë:

“Jam një plak i cili i kam të kaluar të shtatëdhjetat. Kam tre fëmijë, dhe asnjëri s’më pranon të jetoj së bashku me familjet e tyre. I propozova që të jetoj në dhomë plo­tësuese, vetëm që të jem afër atyre dhe të kujdesen për mua, se para do kohe fillova ta humbas edhe shikimin. Të gjithë e refuzuan kërkesën time dhe më thanë se do të më vendosin në shtëpi pleqsh (azil)”.

Lloji i tretë: Burrë i drejtë, i mençur, i eku­ilibruar:

Ky është lloji i cili sot shumë rrallë mundet të vërehet. Burri i këtij lloji është ai i cili frikohet Allahut azze ue xhel, i frikohet dënimit të Tij dhe urren ta takon Zotin e tij duke qenë i padrejtë ndaj dy palëve. Me urtësinë e tij, me mençurinë e tij dhe me vetëdije të plotë mundohet t’ia plotëson të drejtat të gjithëve. Mundohet të kuptojë dhe të respektojë nevojën e çdokujt. Kupton nevojat familjare dhe të drejtat e tyre, i përgjigjet kërkesave të tyre, i dëgjon këshillat e tyre, dhe është i ekuilibruar mes nevojave të tija personale dhe atyre familjare dhe nevojave të gruas dhe fëmijëve të tij. Gruan e tij e kupton si shok jete, e respekton si krijesë të dashur, e respekton natyrshmërinë e saj, fisnikërinë e saj, dhe në fund s’i harron detyrat e tij ndaj prindërve dhe familjes.

Prezenca e këtij lloji të burrit është shembull i asaj kohe të bukur, kur çdo grua ëndërronte një bashkëshort të tillë dhe një prind për fëmijët e saj.

Autor: Selva El Magribi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU