GRUAJA, FAMILJA DHE EKUILIBRI I RËNDË

Kur i kthehem kohëve të mëparshme më rikujtohen gjërat e mia që imagjinoja rreth pamjes së një burri, të cilin e parafytyroja në ndërgjegjen time dhe doja të ishte bashkëshorti im. Dëshiroja të ishte si babai im, i cili ishte burrë me plot kuptimin e fjalës. Por kur e bëj një krahasim mes burrit të asaj kohe dhe atij të sotmit vërej dallime të mëdha dhe të qarta, që padyshim s’janë në favor të burrit të sotëm në shumicën e rasteve.

Pavarësisht nga ajo se ata nuk ishin të ditur dhe nuk zotëronin diploma universitare në krahasim me burrat e sotëm, shumica e tyre ishin të edukuar dhe me vetëdije të lartë rreth çështjeve fetare dhe atyre jetësore, ndoshta edhe më shumë se sa ata që zotërojnë sot diploma të larta. Deri dje burri ishte ai që e edukonte familjen, e mbronte prej çdo mendimi të huaj jo-islam, që e rrezikon atë personalisht apo familjen e tij. Fjala e tij ishte e respektuar dhe e dëgjuar. Familja e nderonte dhe e respektonte me dëshirë dhe vullnet.

Çdo mosmarrëveshje në familje e zgjidhte me mend dhe urtësi. Marrëdhëniet dhe sjelljet brenda familjes dhe jashtë saj qëndronin në dorën e tij, dhe nuk lejonte t’i ndodhte asgjë askujt prej anëtarëve të familjes. Gruas së vet i mbronte pozitën e saj, dhe ishte i kujdesshëm për fëmijët e tij, ku i gëzonin të gjitha të drejtat e tyre familjare dhe personale. Por nëse kthehemi dhe i shikojmë shumicën e burrave të sotëm do të vërejmë çudira. Marrëdhëniet e burrit me gruan në shumicën e shtëpive kanë marrë një pamje trishtuese, plotësisht larg asaj pasqyre që duhet të jenë marrëdhëniet bashkëshortore. Zakonisht marrëdhëniet bashkëshortore ndahen në tre lloje:

Lloji i parë: Burrë sundues dhe dominues mbi gruan e tij.

Në këtë rast është burri ai që sundon mbi çdo gjë, duke i përbuzur të drejtat dhe ndjenjat e të gjithëve, duke filluar prej gruas së tij. Shpeshherë tenton ta dobësojë personalitetin e saj, t’i anashkalojë të drejtat e saj, fisnikërinë e saj, natyrshmërinë e saj, e pastaj ia ofron për familjen e tij, si një kafshatë e lehtë e nënçmuar. Ka raste të shumta dhe të llojllojshme, ku gratë ankohen nga sjellja e keqe e burrave të tyre. Ja se si na rrëfen njëra prej tyre dhe thotë:

“Jam një zonjë dyzetvjeçare, dhe e martuar prej moshës njëzet e dy vjeç. Kam katër fëmijë, që janë në nivele të larta morali, feje dhe predominimit shkollor dhe atij sportiv. Kam një problem në jetë, e ai është burri im. Problemet mes nesh filluan pasi u martuam, dhe shkaktar kryesor është familja e tij. Ata e nxisin kundër meje, duke shpifur gjëra që nuk i bëj, dhe ai i beson, kurse mua nuk më dëgjon. Tani ka filluar të më bërtasë dhe më qorton haptazi pa asnjë shkak, dhe më nënçmon para vajzave tona, të cilat janë para martesës.”

Na rrëfen një zonjë tjetër dhe thotë:

“Jam një zonjë e martuar që prej shtatë vite e gjysmë dhe kam dy fëmijë. Pavarësisht se i kam kaluar ato vite martesë, tashti dëshiroj të ndahem prej burrit, për shkak të problemeve që m’i shkakton. Faktor kryesor për problemet tona është familja e tij, e nxisin me të madhe kundër meje, e ai i respekton dhe i dëgjon shumë ata, pavarësisht se a kanë të drejtë apo jo. Më nënçmon para tyre dhe ua lejon atyre të më nënçmojnë. Bëj durim sa mundem dhe e rikujtoj veten, se unë veproj me ato vetëm për hir të Allahut. Tani jetoj tek ai vetëm si trup pa shpirt, ia plotësoj të gjitha dëshirat dhe i gëzon të gjitha të drejtat bashkëshortore, por tani e urrej atë shumë, për shkak se jetën ma ka shkatërruar. Tani jam e sëmurë, me depresion të thellë dhe mendoj vetëm për vdekjen”.

Këto shembuj e shumë të tjerë ndodhin si rezultat i personalitetit të dobët të burrit para familjes së tij, dhe mosrespektimit të gruas, duke e përdorur forcën si mjet për sundim. Gabimi i tij në këtë rast vjen si shkak i padijes për administrimin apo menaxhimin e jetës së tij të re, dhe mosveprimi i tij me ekuilibër mes të drejtave familjare, që duhet t’i plotësojë, dhe mes lidhjeve farefisnore, mirësisë ndaj tyre, përfitimin e dashurisë dhe kënaqësisë së tyre, dhe mes të drejtave të gruas së tij morale, materiale dhe mbrojtjen e natyrshmërisë dhe fisnikërisë së saj.

Ky burrë harron se është përgjegjës për gruan e tij para Allahut me përgjegjësi të plotë, dhe harron porosinë e krijesës më të mirë dhe më të drejtë Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili në Haxhin e Lamtumirës, na porosit të kujdesemi për gratë, qofshin vajza, gra të martuara apo nëna: “O njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe silluni mirë me gratë, sepse ju i keni marrë ato amanet nga Allahu dhe me fjalën e Allahut ju është lejuar t’i keni gra”.

Prandaj, o ti burrë sundues dhe i padrejtë: Gruaja jote është robëreshë e dobët, që babai i saj e ka lënë amanet te ti, dhe Zoti yt do t’i llogarisë sjelljet e këqija dhe të liga ndaj saj. Vepra jote është shumë larg moralit të lartë dhe besimit të kulluar. Na përcjell Ebu Hurejra prej Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moralin më të mirë, dhe më i miri prej jush është ai që është i sjellshëm me gratë e tij dhe unë jam më i sjellshmi me familjen time”.

Për gruan në këtë rast nuk mbetet gjë tjetër vetëm se të bëjë sabër dhe të kërkojë ndihmë prej Allahut, së pari dhe së fundi. Pastaj, le të kërkojë çdo rrugë, e cila e drejton në përmirësimin e gjendjes së burrit të saj, të sillet mirë me të, të përpiqet të rikujtojë, se Allahu e mbikëqyr çdo sjellje të tij, dhe të bëjë dua vazhdimisht, që Allahu ta udhëzojë dhe ta përmirësojë gjendjen e tij.

Nëse dështon çdo mund i saj dhe burri i saj nuk drejtohet, atëherë le të kapet pas litarit të Allahut dhe të kërkojë pandërprerë ndihmë prej Tij, dhe të rikujtojë se për durimtarët Allahu ka premtuar shpërblime pa llogari. Kjo do t’ia lehtësojë asaj gjendjen dhe dhimbjen në shpirt.

Lloji i dytë: Personalitet i dobët me gruan e tij:

Ky lloj është krejtësisht i kundërt me llojin parë. Në llojin e parë vërejtëm se si burri e flijon gruan për familjen e tij, injorancën dhe epshet e tij, ndërsa në llojin e dytë do të shohim një burrë që e flijon familjen dhe jetën për gruan e tij.

Ky lloj burrave i dhuron gruas jetën e tij, mendjen e tij, i nënshtrohet asaj tërësisht, i respekton urdhëresat e saj dhe i përgjigjet të gjitha dëshirave dhe nevojave të saj. E flijon për atë çdo send, familjen, fisnikërinë, burrërinë, dëshirat e tij, dhe krejt botën që e rrethon. E harron porosinë e Zotit të tij, që t’i respektojë prindërit dhe të sillet mirë me ata. E harron sakrificën e prindërve të tij, që e edukuan, e rritën, e shkolluan, vetëm se për hir të gruas.

Na rrëfen një nënë dhe thotë:

“Jam nënë e një djali, që e rrita me shumë vështirësi. Babai i tij ndërroi jetë herët dhe unë e sëmurë përpiqesha t’ia plotësoj të gjitha kushtet. Sot jetoj së bashku me familjen e tij, por më detyron që të jetoj e vetme në dhomë, të ha vetëm, që mos ta pengoj atë dhe gruan e tij, nuk më lejon të largohem prej shtëpie vetëm se një orë në ditë edhe atëherë duke më shoqëruar shërbëtorja. Jetoj e vetmuar dhe çdo moment pres vdekjen. Më duket se jam e burgosur dhe e kaloj kohën e dënimit në regjim izolimi, ndërsa biri im është ai që më dënoi dhe më burgosi”.

Na rrëfen një baba dhe thotë:

“Jam një plak, i cili i ka kaluar të shtatëdhjetat. Kam tre fëmijë, dhe asnjëri nuk më pranon të jetoj së bashku me familjet e tyre. I propozova që të jetoj në dhomë plotësuese, vetëm që të jem afër atyre dhe të kujdesen për mua, se para pak kohësh fillova ta humb edhe shikimin. Të gjithë e refuzuan kërkesën time dhe më thanë, se do të më vendosin në një shtëpi pleqsh”.

Lloji i tretë: Burrë i drejtë, i mençur, i ekuilibruar:

Ky është lloji, i cili gjendet shumë rrallë sot. Burri i këtij lloji është ai që i frikësohet Allahut, i frikësohet dënimit të Tij, dhe e urren ta takojë Zotin e Tij, duke qenë i padrejtë ndaj të dy palëve. Me urtësinë e tij, me mençurinë e tij dhe me vetëdije të plotë mundohet t’ia plotësojë të drejtat të gjithëve. Mundohet ta kuptojë dhe të respektojë nevojat e çdokujt. I kupton nevojat familjare dhe të drejtat e tyre, i përgjigjet kërkesave të tyre, i dëgjon këshillat e tyre, dhe është i ekuilibruar mes nevojave të tij personale dhe atyre familjare, dhe nevojave të gruas dhe fëmijëve të tij. Gruan e tij e kupton si shok jete, e respekton si krijesë e dashur, e respekton natyrshmërinë e saj, fisnikërinë e saj, dhe në fund nuk i harron detyrat e tij ndaj prindërve dhe familjes së vet.

Prezenca e këtij lloji burrit është shembull i asaj kohe të bukur, kur çdo grua ëndërronte një bashkëshort të tillë dhe një prind për fëmijët e saj.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU