Rtv Pendimi

HADITHI (HUTBE)

Vëllezër, i kemi përmendur burimet prej nga i marrim argumentet në fenë Islame:

Kuranin, hadithin apo sunetin, ixhmanë apo konsensusin e dijetarëve islam, kijasin apo krahasimin e dispozitave të kohës së Kuranit me ato të kohës bashkëkohore.

Në fenë tonë nuk kemi vetëm Kuran dhe asgjë tjetër. Të thotë dikush: ‘Atë që shkruan në Kuran e besoj, e nuk i besoj kujt tjetër.’ Kështu nuk ka. Sepse Kurani dhe Hadithi Profetik për ne si besimtarë janë një, e kanë të njëjtën peshë.

Po, sepse Allahu në Kuran na urdhëron me këtë:

﴿ وَمَآ ءَاتَىٰكُمُ ٱلرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَىٰكُمۡ عَنۡهُ فَٱنتَهُواْۚ ٧﴾

“Atë që ua jep i Dërguari merreni, kurse atë që ua ndalon, largohuni prej saj.”(Hashër,7)

﴿وَمَا يَنطِقُ عَنِ ٱلۡهَوَىٰٓ٣ إِنۡ هُوَ إِلَّا وَحۡيٞ يُوحَىٰ٤﴾

“Ai nuk flet nga hamendja. Ajo është shpallje që i shpallet atij.” (Nexhm,3,4)

Madje, një pjesë shumë e madhe e dispozitave fetare janë vetëm në hadith. Në Kuran kemi shpesh herë rregulla dhe parime të përgjithshme, ndërsa në hadith e kemi sqarimin e tyre. Për këtë arsye themi se hadithi nganjëherë e vërteton atë që është në Kuran; siç është rreziku i personit që nuk falet, si në Kuran ashtu edhe në hadith theksohet kjo gjë.

Pastaj kemi dispozita të përgjithshme në Kuran, porse hadithi i detajizon dhe i sqaron ato; siç është urdhri për namaz në Kuran (Faleni namazin)(Bekare, 43), kurse në hadith e kemi të sqaruar çdo gjë, prej tekbirit fillestar e deri në selam. Çfarë thuhet në ruku, e çfarë në sexhde, e çfarë në teshehud etj. Të gjitha këto nuk janë në Kuran, por në hadith.

Po ashtu në Kuran e kemi vetëm urdhrin për t’ju përgjigjur ezanit të xhumasë, ndërsa se janë dy rekate të xhumasë, se ka hutbe të xhumasë, këtë e kemi vetëm në hadithe.

Ndodhë që hadithi të vjen me ndonjë dispozitë që fare nuk përmendet në Kuran, siç është ndalimi i veshjes së mëndafshit për burrat.

Dijeni se hadithi është i ruajtur.

Nëse e shikojmë historinë në përgjithësi, do të gjejmë se ka rregulla për t’u ruajtur, ka argumente e referenca të ndryshme. Duhet të ketë njerëz që ishin të pranishëm në ato ndodhi, të cilët na e transmetojnë atë. Pastaj transmetuesi që ishte i pranishëm në atë ndodhi duhet të njeri besnik e i sigurt, që mos të ndodh ndonjë mashtrim me të dhënat historike.

Sa i përket hadithit kjo punë është e kryer, sepse ka rregulla shumë të sakta e precize. Personat të cilët e transmetojnë hadithin duhet të jenë fetarë të denjë, njerëz të cilët jetën e kishin për Allahun, që kurrë në jetë nuk kanë gënjyer, madje as për punë të dynjasë. Pejgamberinﷺ  e kanë dëgjuar sahabët. Pastaj këta ua kanë transmetuar këto hadithe gjeneratës së dytë, dhe kështu vazhdon mësuesi nxënësit, që njihet si zinxhir i transmetuesve. Këta transmetues nuk guxojnë të njihen me mëkate të mëdha apo të dukshme, përndryshe nuk u merret hadithi. Ata duhet të jenë të saktë dhe të kthjellët në memorizim e në shënim të haditheve. Duhet të kenë kujdes të mos bëjnë gabime gjatë diktimit apo transmetimit të hadithit.

Po, përse të gjitha këto kushte dhe i gjithë ky precizitet: Shënim, mbajte në mend, saktësi, zinxhir, lodhje, udhëtime të gjata, durim…

E tërë kjo, ngase kemi të bëjmë me shpallje, me hadith; sepse me të punohet.

Shikoni: Imam Buhariu i ka kaluar më tepër se dymbëdhjetë mijë km, për t’i mbledhur hadithet. Ai ka takuar më tepër se 1080 mësues. Për të na afruar neve hadithin e saktë.

Për këtë arsye edhe disa dijetarë kanë thënë: Ai që e ka në shtëpi Sunenin e Ebu Davdit, librin e haditheve, është sikur ta ketë në shtëpi Pejgamberin ﷺ .

Çfarë është hadithi? Çfarë shkruhet në hadith?

Fjalët e Pejgamberit ﷺ : P.sh. “Ndër urtësitë pejgamberike, që u ka arritur njerëzve deri më sot, është fjala e urtë: Nëse nuk turpërohesh, bëj ç’të duash.”[1]

Veprat e Pejgamberit ﷺ : Amir ibn Rabia (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se e ka parë Pejgamberin ﷺ duke falur namazin e natës në udhëtim, mbi shpinën e kafshës së udhëtimit, (falej) ngado që kthehej ajo.[2]

Pra falte namaz vullnetar, kur ishte në udhëtim, sipër devesë, madje nuk ishte i kthyer kah kibleja. Porse për namazet farz, zbriste i falte në këmbë dhe i kthyer kah kibleja. Këtu shihet qartë se nuk kemi fjalë të Pejgamberit ﷺ , por vetëm kemi përshkrim të namazit të tij.

Cilësitë e Pejgamberit ﷺ : Gjatësia e tij, flokët, mjekra, veshja, ngjyra e trupit, të mbathurat, shtrati i tij etj. Të gjitha këto i kemi të transmetuara në hadithe. Ju lutem kush mund ta përshkruaj sot, kështu me këtë saktësi, qoftë edhe babanë e vet?!

Pasi i kuptuam këto gjëra, atëherë çfarë është obligimi ynë karshi hadithit të Muhamedit ﷺ ?

T’i besojmë haditheve të sakta.

T’i praktikojmë urdhrat e tij.

Të largohemi nga gjërat që na i ndaloi ai.

Ibadetet apo adhurimet t’i bëjmë ashtu siç i bënte ai.

 

Hutbeja e dytë:

Shërbëtorët e hadithit janë të shumtë në historinë islame. Prej tyre janë të njohur autorët e gjashtë koleksioneve të hadithit dhe të tjerët. Është interesante se shumica e tyre nuk ishin arab. Po, ata ishin muslimanë, por joarab. Kjo është argument se kjo fe është fe botërore, për tërë njerëzimin dhe gara për xhenet nuk është e veçantë për arabët, por është e hapur për të gjithë. Këtë e kuptuan këta dijetarë, andaj edhe i përvolën duart për të hyrë në këtë garë madhështore.

Prej bashkëkohorëve kemi edhe disa dijetarë shqiptarë të shekullit të kaluar, që janë njohur si shërbëtor apo hyzmetqarë të hadithit: Muhamed Nasirudin Albani, Abdulkadir Arnauti dhe Shuajb Arnauti. Mësoni këto emra, është shumë turp për ne mos t’i dimë këta emra, kurse në botën islame nuk mbahet ndonjë ligjëratë e mos të përmendet emri i tyre, e sidomos emri i shejh Albanit. E ka saktësuar Albani, e ka dobësuar Albani.

Po, ata nuk e arritën këtë shkallë vetëm kështu se kishin fat! Por ishte mirësi e Allahut, pastaj përpjeka e madhe e tyre, deri në vdekje. Shejh Albani shkonte në bibliotekë me punëtorët që e hapnin dhe dilte kur ata e mbaronin punën. Pra me orë të tëra qëndronte mbi libra.

Shejh Shujabi, e shfrytëzonte edhe rrugën për dije. Ai tregon se babai i tij, nuk e linte të shkonte për mësim tek disa mësues, kështu që ai e vendosi që sa herë ta falë jacinë, të shkoj me mësuesin e ta përcjellë atë deri tek shtëpia e tij, ndërkohë që mësuesi t’ia shpjegoj atij një mësim të lëndës së gjuhës arabe.

Pra nuk jemi duke folur për njerëz që lexojnë pesë apo gjashtë orë në ditë, sepse të tillë ka shumë, porse këta lexonin edhe më shumë dhe arritën aty ku kanë arritur.

[1] Buhariu nr.3484.

[2] Buhariu nr.1104.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH