Hajnat demolojnë dhe vjedhin Këshillin e BI të Kamenicës

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë njofton se sot rreth orës 9.00 janë gjetur të thyera dhe të demoluara zyrat e Këshillit të BI-së. Me këtë rast dyshohet për vjedhje dhe demolim të rëndë i të mirave materiale që gjendeshin në objektin e administratës së KBI-së në Kamenicë.
Kryetari i KBI-së në Kamenicë Ferid ef. Dërmaku ka njoftuar se objekti i KBI-së në Kamenicë është hapur dhunshëm nga dritarja në katin përdheses dhe janë thyer, demoluar, e hapur dhunshëm katër dyer të zyrave të administratës në katin e dytë tek zyra e kryetarit, sekretarit, arkëtarit dhe atë të depos, dhe se hajnat kanë hapur dhunshëm kasafortën e kyçur të arkës në zyrën e arkëtarit, ku ata konsiderohet se nga aty kanë marrë mjete në vlerë prej 1,086.30 Euro. Po ashtu, ata kanë demoluar dokumentacionin e arkivit të këtij Këshillit në zyrën e arkëtarit. Rasti është raportuar edhe në polici, të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë incizimin dhe regjistrimin e dëshmive të mundshme në vendngjarje. KBI në Kamenicë apelon tek institucionet e sigurisë që rasti në fjalë të hetohet sa më shpejt që është e mundur dhe kryesitë e kësaj vepre kriminale të vihen para drejtësisë.