Rajoni Daret Izze në Halep, mban të gjalla shenjat e bombardimeve të rënda nga ushtria e regjimit e mbështetur nga grupet terroriste të huaja, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjurmët e tmerrit të bombardimeve të regjimit dhe grupeve terroriste të huaja mund të shihen në çdo godinë të rajonit Daret Izze, zonë kjo që është kthyer në një qytet fantazmë dhe ku çdo godinë është një shenjë e pastër e gërmadhave të luftës.
Ndërsa qytetarët e Daret Izze edhe pse me shumë mundime dhe kushtet negative të jetesës, nuk i kanë braktisur shtëpitë e tyre.
Në zonën ku banesat sociale dhe komunitare janë shkatërruar plotësisht si pasojë e sulmeve ajrore dhe të artilerisë së rëndë, nuk ka as energji elektrike, gjë kjo që e përkeqëson akoma më shumë situatën e qytetarëve që ende janë aty.
Ajo që të bën përshtypje në këtë rajon është fakti se si popullata vendase mbron spitalet dhe qendrat shëndetësore. Ata kanë rrethuar qendrat shëndetësore me thasë me rërë për të penguar sado pak sulmet ndaj tyre.
“20 sulme ajrore ndaj një spitali”
Në një deklaratë për AA, një nga ushtarët e Ushtrisë së Lirë Sirine, Tahir Abu Jasin, thotë se pas lindjes së Halepit Daret İzze është rajoni më i bombarduar i këtij qyteti.
Duke theksuar se ushtria e regjimit të Asadit dhe grupet terroriste të huaja kanë marrë në shënjestër spitalet, qendrat shëndetësore dhe godinat e tjera sociale, Abu Jasin në vijim të fjalës së tij thotë: “Ata nuk kanë respekt as për qendrat shëndetësore, xhamitë, shkollat dhe spitalet. Kanë sulmuar 20 herë vetëm një spital. Popullata këtu nuk di çtë bëjë për shkak të kohës së ftohtë. Kohët e fundit disa familje që kanë ikur nga lindja e Halepit kanë ardhur këtu.” /AA