Duke filluar nga mesnata, në Arabinë Saudite ka filluar të ketë qasje në faqet e internetit të Katarit, përfshirë ato të kanaleve Al Jazeera dhe beIN Sports, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet zyrtare ende nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë lidhur me hapjen e faqeve Al Jazeera, beIN Sports dhe faqeve të tjera të Katarit, të cilët u mbyllën pas krizës mes Katarit dhe disa vendeve arabe.
Megjithatë, Saud el-Kahtani, anëtar i Pallatit Mbretëror, përmes një deklarate në llogarinë personale në median sociale ka thënë se hapja e faqes së Al Jazeeras dhe faqeve të tjera të Katarit buron nga një defekt teknik dhe se faqet në fjalë do të mbyllen sërish pas rregullimit të defektit.
Kriza diplomatike në Gjirin Persik shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Egjipti, EBA-të, Bahreini dhe Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.
Katër shtete që vendosën bllokadë ndaj Katarit i dorëzuan Dohas zyrtare një listë me 13 kërkesa, në të cilën, ndër të tjera, kërkohet mbyllja e bazës ushtarake turke në Katar, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe mbyllja e televizionit Al Jazeera. Ndërkaq, Katari ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është kundër të drejtës ndërkombëtare.