Në Kopshtin Zoologjik të Shkupit është hapur “Dino Parku” i cili do të jetë një atraksion i ri turistik në qytet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Qytetit të Shkupit, qytetarë të shumtë ishin të pranishëm në hapjen e “Dino Parkut” si dhe zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe, kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe të tjerë.
Në fjalimin e tij, Shilegov tha se Kopshti Zoologjik është një nga institucionet që është mbështetur fuqimisht në tre vitet e fundit e gjysmë.
“Dino Parku në Qytetin e Shkupit përbëhet nga 41 figura dinozaurësh nga periudha të ndryshme që janë interaktive, lëvizin, dhe nga ajo pikëpamje është parku më i madh i këtij lloji në Ballkan. Nga aspekti që është i rrethuar posaçërisht, me gjelbërim të veçantë, ne kemi mbjellë mbi 300 fidanë këtu. Kjo e bën këtë Dino Parkun më të madh të gjelbër në Evropë”, tha Shilegov.
Ai theksoi se këto janë standarde për Qytetin e Shkupit dhe se këto standarde hap pas hapi po i ndjekin.
“Investimi arrin në 350 mijë euro nga buxheti i Qytetit të Shkupit, i cili do të na kthehet shumë herë, duke marrë parasysh momentin komercial që do të mbizotërojë këtu në Dino Parkun tonë”, shtoi ai.
Sipas Shilegovit, ky është vetëm fillimi i asaj që tha se po mungonte për shumë vite në Shkup dhe është kënaqësi për të rinjtë dhe fëmijët.
Ai informoi se ka filluar procedura për ndërtimin e parkut zbavitës në Shkup.
“Ajo që është karakteristikë për Dino Parkun është se është parku i parë i dixhitalizuar i këtij lloji dhe kopshti zoologjik është institucioni i parë i dixhitalizuar. Me ndihmën e aplikacionit mund t’i shihni të gjitha të dhënat duke skanuar dinozaurët të cilët janë këtu. Ky park është në një farë mënyre një qendër edukative për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë që të mësojnë diçka më shumë nga historia e planetit tonë. Shkupi po shkon hap pas hapi drejt standardeve botërore”, tha Shilegov.