Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapur pikën e përbashkët kufitare Zatrijebacka Cijevna-Grabom, që ka si qëllim thjeshtimin e procedurave për lëvizjen e qytetarëve nga të dy vendet, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së pikës kufitare, e cila është e dyta e përbashkët, ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga të dyja vendet.
Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoni, kryeministri Rama tha se angazhimi i përbashkët i vendeve mund ta kthejë rajonin, në një hapësirë ku sundojnë katër liritë e Bashkimin Evropian (BE), sipas tij, liria e lëvizjes së njerëzve, lëvizjes së mallrave, lëvizjes së kapitaleve dhe lëvizjes së shërbimeve.
“Ky është edhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë, në kuadër të procesit të Berlinit, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që është një nisëm gjithëpërfshirëse dhe jopërjashtuese, që është një nisëm që synon pikërisht këtë; në të gjitha vendet e rajonit tonë, pra përfshirë edhe Malin e Zi , Kosovën, Bosnjën, njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet siç ndihen sipërmarrësit evropianë kur lëvizin brenda BE-së”, tha Rama.
Kryeministri Krivokapiç tha se ceremonia e inaugurimit të kësaj pike doganore dëshmon për marrëdhëniet midis dy popujve.
“Falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të BE-së tani kemi këto pika kufitare moderne që dëshmojnë për miqësinë dhe besimin mes dy shteteve tona dhe që është më e rëndësishme që iu mundësojnë qytetarëve që të kalojnë, komunikojnë lirshëm pa pritur dhe pa humbur kohë në këto pika kufitare”, u shpreh Krivokapic.
Ai theksoi më tej se duhet të “kemi besim se rruga jone e vetme është ajo drejt BE-së”.
“Mali i Zi ka marrë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Bashkë mundemi të realizojmë shumë, të forcojmë jo vetëm ekonominë, por edhe kulturën, shkencën, arsimin dhe shëndetësinë”, tha kryeministri malazez.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, pika e përbashkët kufitare është hapur në vazhdën e lehtësimit të lëvizjes mes vendeve, në kuadër të iniciativës drejt një “Ballkani të hapur” dhe që pritet të thjeshtojë procedurat për lëvizjen e qytetarëve në të dy vendet.