Hasan Nahi banner

Hasan Nahi (1905 – 1991 )

Hoxhallëkun e kishte pasion e jo profesion. Jetoi, veproi – punoi për popullin, me popullin e jo nga populli.

Të flasësh për këtë burrë të burrave është sikur të hedhësh një pike ujë në oqean!
Ai ishte një personalitet i rrallë në sytë e rinisë, të cilët e mbanin dhe e çmonin për misionar, alim, profesor dhe vizionar të shquar. Pleqtë, në anën tjetër, e respektonin shumë miqësinë e tij, nga se edhe ai i nderonte pa masë.
Kur më 1956, u vendos mbyllja e gjimnazit në Gjakovë, Hasan Efendiu u tha hapur e prerë pushtetarëve: “Ma mirë kallne Gjakovën, se sa ta mbyllni Gjimnazin”.
Hasan Efendi (Xhehnemi) Nahi është nga personalitetet islame që la një emër të nderuar dhe një vepër që jeton në pasardhësit e vet, që me aq kujdes, dashuri e besim i përgatiti që të shërbejnë në gjuhën e vet amtare. Atdhetar, alim – dijetar – intelektual dhe hoxhë -myderriz i shquar, burrë i mençur, i matur, i vendosur, trim sy pa trembur, la emër dhe gjurmë në Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë e në tërë Kosovën dhe gjithandej në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Me mbylljen e medresesë, në vitin 1948 e deri në vitin 1958 e kryen detyrën e imamit në Gjakovë.
Kishin biseduar gjegjësisht ishin marr vesh me Hfz. Fahri Efendi Iljazin se do të rijmë së bashku në Gjakovë, mirëpo një ditë i kishte thënë Fahri Eefendisë, shkova! Ku po shkon, qysh i patëm fjalët?! Po shkoi se filluan xhemati të mi numërojnë kusuret, tani e tutje vaza ime nuk ka më efekt. Shkoi në Prizren. Ishte vaiz shëtitës prej Prizrenit e gjer në Istog. Gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit ka krye detyrën e imamit në fshatin Rastavicë të KK-së së Deçanit.
Thuhet se gallapin Xhehnemi e kanë marr për shkak se, një vit paskan pas ble dru shumë, kur i kanë pa kojshit, paskan pas thënë: “ Sha kini bërë kështu, gjithë këto dru a doni mi bo xhehenem a? “
Kurse gallapi Nahi i ka mbet për shkak se i ati i Hasan Efendis, Islam Efendiu paska qenë njohës shumë i mirë i gramatikës arabe – nahvit, dhe për këtë thuhet se thirren Nahi.
Hasan Efendia ishte i popullit, jetonte me popullin, me hallet, dertet, brengat dhe me vuajtjet e tyre. Gjithnjë në lëvizje në të gjitha anët e Kosovës. Xhemati e mban në mend si hoxhë pedant, gjithnjë i veshur me Ahmedijen – Qallmen e bardhë me xhyben e gjerë ngjyrë të kaltër, të kishte imani hajr (siç e përdorin gjakovarët) kur e shihje.
Ishte shumë i interesuar që brezi i ri të vazhdoi shkollimin për fenë Islame, sidomos në komunën e Gjakovës, meqenëse Gjakova, si lokalitet ishte vendi më i rrezikuar dhe më i ndikuar nga regjimi komunist dhe hoxha i nderuar e kishte dertin – frikën se ndoshta Gjakova do të mbetet pa trashëgimtarë të fesë – pa imam. Për arsye se prej vitit 1948 gjer në vitin 1968 Gjakova, nuk ka pasur as një talebe. Tek pas këtij viti filluan të shkojnë të rinjtë në shkollë për fe në Medrese. I pari ka qenë Elez Osmani nga fshati Morinë KK Gjakovë, tani jeton dhe vepron ne SHBA, dy vjet pas kam shkuar unë. Hasan efendia, Allahi past bo rahmet në shpirtin e tij, kënd e njihte dhe kishte besim i fliste apo i bënte da’vet për fenë Islame dhe i nxiste që të i dërgojnë fëmijët e tyre në Medrese, në atë kohë, të Prishtinës. Unë e mbajë mend shumë mire kur vinte në shtëpinë tone dhe bënin muhabet me gjyshin tim, i cili i ka dashur, i respektuar, i ka nderuar dhe i ka pasuar në të gjitha porositë e fesë, tani rahmetliu, Allahu në xhennet i pas qu të dytë, për fenë dhe pa da i fliste se është mire ta dërgosh ndonjë prej nipave në Medrese. Pasi e kisha kryer klasën e VIII, por edhe më parë gjyshi më fliste për fenë Islame, për hoxhallarët etj. Gjatë pushimeve verore shkonim në fshat me gjyshin dhe me gjyshen për verime. Një ditë erdhi hoxha i nderuar me gjithë një njeri tjetër, h.Sylejman Haxhiavdyli e quanin dhe i than gjyshit se kësmet ta kemi rregulluar punën për nipin për mi regjistruar në Medrese. Jam gëzuar pa masë, nën një se do vazhdoja shkollën, nën dy se do shkoja në Prishtinë dhe nën tre se do bëhem hoxhë. Unë këtij burri dhe gjyshit tim i kam borxh shumë. Iu jam mirënjohës gjatë gjithë jetës………
Gjatë kohës sa kam qenë nxënës në Medrese, Hasan Efendia na binte Hatme për të lexuar, që e porositnin besimtarët, na jepte pare, gjithashtu na jepte iskat dhe qefarete, (kontribute fetare vullnetare) të cilat ia jepnin besimtarët për shpirt të familjarëve të tyre….. Për festa fetare dhe shtetërore kur shkonim në shtëpi gjithmonë na jepte pare për rrugë. Pra ka qenë njeri me zemër të gjerë dhe shpirt të pasur e të pastër. Ishte i vetmi ndër Hoxhallarët e asaj kohe që bënte një vepër të tillë, sepse ai ka mund lirisht t’i merr për vete……
Hasan Efendia shpeshherë vinte për vizitë në KBI-së në Gjakovë, interesohej për mbarëvajtjen e jetës fetare. Më së shumti i interesonte mësim besimi me të rinjtë. Vazhdimisht na këshillonte, neve imamëve të rinj që mësim besimin ta forcojmë dhe mos ta lëmë anash sepse pa mësim besim nuk mund të ketë jetë fetare.
Kur vinte në Gjakovë, e vizitonte motrën e tij, e cila ishte e martuar në familjen Grezda në lagjen Haxhi Imer, ku unë jam imam, dhe vinte për tu falur në xhami. Për respekt e qitshim imam, gjithnjë pas faljes së namazit, na ndalte dhe na tregonte nga një mesele të fesë, e përcjellë me ajete dhe hadithe.
Ai luftoi hapur për shkollën në gjuhën shqipe dhe për ruajtjen e medresesë nga sulmet për ta shkatërruar, duke filluar me mbylljen e saj. Kur më 1956, u vendos mbyllja e Gjimnazit në Gjakovë, Hasan Efendiu u tha hapur e prerë pushtetarëve: “Ma mirë kallne Gjakovën, se sa ta mbyllni Gjimnazin”.
Në shtator të vitit 1958 caktohet profesor në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, ku shërben dy dekada, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në përgatitjen e kuadrit të ri, në arsimimin e disa gjeneratave të vetme në gjuhën shqipe, të arsimit islam.
I dalë në pension në vitin 1978, Hasan Efendiu nuk pushoi së punuari për fe e atdhe, duke u marrë me studime, e sidomos me përkthimin e Kur’anit të Madhëruar, duke i dhuruar lexuesit shqiptar, pas dhjetë vjetësh punë, një vepër aq shumë të pritur (në vitin 1988-R.Z.). Ai ishte një personalitet i rrallë në sytë e rinisë, të cilët e mbanin dhe e çmonin për misionar, alim, profesor dhe vizionar të shquar. Pleqtë, në anën tjetër, e respektonin shumë miqësinë e tij, nga se edhe ai i nderonte pa masë.
All-llahu e pastë graduar me xhen-neti firdevs. Amin!

Përgatiti: Esat Rexha
Gjakovë