321651025_440182958180228_845365084613704223_n-780x439

Hava Maloku emër suksesi në SHBA, si arriti të bëhet shqiptarja e vetme që punon në “LinkedIn” – kompaninë me mbi 20 mijë punëtorë

E lindur dhe rritur në Prishtinë, Hava Maloku sot ka arritur të jetë një emër suksesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka përfunduar studimet master dhe doktoraturën në SHBA, ku aktualisht jeton në San Francisco dhe është pjesë e një ndër kompanive më të fuqishme si platformë “LinkedIn”, ku ushtron pozitën e menagjers së marketingut.

Në një kompani që ka të punësuar mbi 21,000 punëtorë, Hava Maloku arriti të kaloj të gjitha sfidat ku prej tyre ishin edhe dhjetë intervista që të bëhet pjesë e “LinkedIin”.

Në një intervistë për Telegrafin, Maloku ka treguar rrugëtimin e saj të suksesshëm nga Kosova drejt SHBA-ve.

I gjithë suksesi i saj nuk ishte aksidental, por ishte fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një ekonomiste të përkushtuar.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Na flisni në pika të shkurta për veten tuaj. Kush është Hava Maloku për ata që nuk e njohin?

Hava Maloku: Jam rritur në Prishtinë ku edhe kam përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm. Ndërsa fakultetin, masterin dhe doktoraturën e kam përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për momentin jetoj dhe veproj në San Francisco të Kalifornisë dhe punoj në LinkedIn si menagjere e marketingu.

Telegrafi: Pse zgjodhe SHBA-të dhe jo Kosovën për të vazhduar karrierën tuaj?

Hava Maloku: Që në fëmijëri kam pasur ëndërra të mëdha e njëra prej tyre ka qenë të studjoj në SHBA. Kjo ëndërr ka marrë më tepër kuptim kur kam udhëtuar për herë të parë në Amerikë në vitin e dytë të gjimnazit për të ndjekur një program një-mujor si “exchange student” në West Chester të Pensylvanisë.

Aty jam njoftuar me Amerikën, sistemin e studimit dhe të punës si student. Pas kthimit në Kosovë jam angazhuar në përvestësimin edhe me të madh të gjuhës angleze dhe kam aplikuar nëpër univesizitete të ndryshme për bursë. Amerikën e kam zgjedhë për shkak të kushteve dhe mundësive që më ka ofruar për studim.

Telegrafi: Jeta mes Kosovës dhe SHBA-ve, sa ka qenë e vështirë për ty ambientimi me jetën në Amerikë?

Hava Maloku: Sa i përket integrimit, nuk ka qenë fare e vështirë pasi që kam shku si studente, dmth mjaft e re. Fillimisht e kam përvetësuar gjuhën e pastaj edhe jam ambientuar edhe me kulturën e zakonet. Amerika eshtë një vend shumë divers dhe ka njerëz me prejardhje nga vendet më të ndryshme.

Kështu që ata në përgjithësi janë shumë të hapur dhe i pranojnë, besa edhe i pëlqejnë ushqimet, traditat, veshjet e shumë popujve dhe kulturave të tjera. Në San Francisko ka restaurante nga pothuajse çdo vend i botës. Në Amerike nuk është shumë vështirë për tu integruar se të pranojnë ashtu siq je, në fakt edhe të çmojë me shumë nëse je vetvetja.

Telegrafi: Aktualisht jeni e punësuar si menaxhere në kompaninë e njohur “LinkedIn”. Si të erdhi mundësia që të bëhesh pjesë e kësaj kompanie?

Hava Maloku: Magjistraturën e kam përfunduar në vitin 2008. Fatkeqësisht, ka rastistur me krizën financiare që ka ndodhur në SHBA. Miliona njerëz humbën punën dhe shtëpinë. E për mua si student e huaj mu zvogëluan shumë shancat për punësim, duke marre parasysh që kompania që do të më punësonte duhej sponzoronte edhe vizën.

Kjo ndikoj që unë të ndërroj edhe kahjen e karierës, nuk vazhdova me financa por e mora punën e parë që më eshtë ofruar e që në këtë rast ka qenë për marketingun dixhital.

Në fillimet e para të karierës kam punuar për disa startups në fushën e edukimit dhe financave si “Quinstreet” dhe “Adchemy”. Pastaj kam ndërruar produktin dhe kam vazhduar të punoj për “Expedia”, që eshtë një nga brendet kryesore të udhëtimit në bote. Kam punuar edhe shkurt për një kompani në fushën ligjore të quajtur “Legalzoom” dhe se fundi në “LinkedIn”.

Për me arritë deri këtu është dashtë një punë e përvojë e madhe. Kur kam aplikuar kam pasë një përvojë të gjerë në fushën e marketingut dhe një shkollim të duhur. Dihet që punësimi në LinkedIn nuk eshtë i lehtë, duhet të kalojmë nëpër shumë intervista, deri në dhjetë prej tyre.

Por mendoj që është edhe pak fat se shumë e shumë njerz të kualifikuar aplikojnë në çdo moment e nuk përzgjedhen për intervistë. Ndonjëherë për një rol të vetëm numri i aplikuesve shkon në mbi 1500 persona. E kuptohet që shumica prej tyre janë të aftë dhe të suksesshëm. Nganjëherë ndodhemi në vend të duhur dhe në kohë të duhur.

Telegrafi: Na shpjego pak punën që kryen ti brenda “LinkedIn”-it dhe sa punëtorë numëron kjo kompani?

Hava Maloku: Linkedin është një shërbim biznesi dhe punësimi që operon nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve. Unë menagjoj produktin më të madh në “LinkedIn”, LinkedIn Premium. Me fjalë tjera e managjoj marketingun online përmes emailës dhe web faqeve për “Linkedin Premium”.

Premium është një produkt me pagesë që i shtohet profilit dhe si rezultat anëtari me premium ka qasje në “LinkedIn Learning” ku mund të ndjekë klasa online duke marre parasysh librarinë prej me shumë se 16,000 klasa.

Gjithashtu ka mundësi me dërgu mesazhe edhe anëtarëve që nuk janë pjesë e shoqërise, ka mundësi në mënyrë anonime ti shiqoj profilet e anëtarëve te tjerë dhe kur të bëjnë aplikimin për punë e kuptojnë se ku radhiten në krahasim me aplikuesit e tjere.

Psh Top 10% do të thotë je në top 10% e anëtarëve me të kualifikuar prej të gjithëve që kanë apliku. Roli që kam ka përgjegjësi të madhe, vetëm në një javë kam dërguar mbi 130 milion emaila anëtarëve. Që do të thotë se kujdesi duhet të jetë maksimal që gjithçka të jetë korrekte se ndikon në tërë imazhin e kompanisë. “LinkedIn” ka të punësuar mbi 21,000 punëtorë.

Telegrafi: Si e vlerëson rininë kosovare dhe sa janë të aftë ata për në tregun e jashtëm?

Hava Maloku: Rinia kosovare është mjaft e aftë për tregun e jashtëm. Shumica e tyre e zotërojnë gjuhën angleze dhe kanë pregatitje të duhur akademike dhe profesionale. Unë njoh shumë persona që punojnë nga Kosova për kompani të ndryshme në Evropë dhe Amerikë. Sa i përket atyre që ende nuk dinë se nga të fillojnë këshilla ime është të krijojnë një profil në “LinkedIn” dhe një portfolio online ku pasqyrohet në detaje projektet që i kanë realizu, CV-ja, dhe rekomandimet nga kolegë apo klientë.

Punëdhënësi dëshiron kredibilitet dhe sa ma shumë dëshmi e rekomandime që ke aq më lehtë e merr një punë. Këshilla e dytë eshtë të fokusohen me një drejtim dhe të bëhen ekspert në atë fushë. Kuptohet ajo nuk ndodh për një kohë të shkurtë. Malcom Gladëell ka thënë shumë mirë në librin e tij “Outliers” që për tu bërë ekspert në një fushë të duhen me i pase mbi 10 000 orë praktike dhe ka marrë shembull Bill Gates para se ta krijon Microsoftin ka punu 10,000 orë në programim.

Ndërsa këshilla e tretë është ta zgjerojmë networking apo lidhjen me njerëz. Networking kontribuon në mirëqenien tuaj sociale, çon në shkëmbimin e ideve dhe ju ndihmon të takoni njerëz në të gjitha nivelet profesionale. Nëse krijoni atë rrjetin tuaj profesional, shumë më lehtë përparoni.

Telegrafi: Mesazhi juaj për vitin që po vjen dhe për të gjithë ata që po e lexojnë këtë intervistë?

Hava Maloku: Mesazhi im për vitin që vjen është të mundohemi me mendu ma pozitivisht në jetë. Të menduarit pozitiv është praktikë e përqendrimit në të mirën e çdo situate të caktuar.

Të menduarit pozitiv ka një ndikim të madh në shëndetin fizik (rezistencë më e madhe ndaj sëmundjeve si ftohja e zakonshme, presion më të ulët të gjakut, mundësi më të ulëta për të pasur një atak në zemër) dhe shëndetin mendor (mendimi më i qartë, më shumë kreativitet, më pak depression).

Kjo nuk do të thotë që duhet injoruar realiteti ose ti shmangni problemet. Thjesht do të thotë që i afroheni të mirave dhe të këqijave në jetë me shpresën se gjërat do të shkojnë mirë.