HIPOKRITËT

Allahu i dalloi besimtarët prej atyre që zemrat i kanë të sëmura e të dobëta me besim, disa popuj i ngriti në grada të larta e disa prej tyre i uli në grada të ulëta dhe njerëzit i dalloi mes të gëzuarve dhe të pikëlluarve.

Njerëzit para shpërnguljes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine ndaheshin në besimtarë dhe në jobesimtarë dhe nuk ekzistonte grup i tretë i pavendosur në mesin e tyre. Pas shpërnguljes dhe vendosjes së Profetit, alejhi salatu ue selem, në Medine këtyre dy grupeve iu shtua edhe një grup tjetër i ri, kështu që ndarja e njerëzve u bë në besimtarë të përpiktë në mbrojtjen e fesë, në jobesimtarë të qartë e armiq të fesë, dhe në hipokritë me pamje të jashtme islame, mirëpo me zemër jobesimtare mohuese. Allahu këtë e përmendi në fillim të sures Bekare duke i zbritur katër ajete në përshkrimin e besimtarëve, dy në përshkrimin e jobesimtarëve dhe më shumë se dhjetë ajete në përshkrimin e hipokritëve. Kjo, që të dallohen dhe qartësohen zemrat dhe të shpërblehen besimtarët për besimin e çiltër të tyre dhe të dënohen hipokritët me vullnetin e Allahut ose t’ua falë atyre me mëshirën e Tij. Allahu në Kur’an na paralajmëroi prej hipokrizisë dhe prej vetive të hipokritëve në më shumë se treqind ajete të përfshira në shtatëmbëdhjetë sure dhe e veçoi për to një sure të veçantë të plotë, deri sa Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kur’ani pothuajse gati zbriti i tëri në lidhje me ta”.

Hipokritët ndahen në grupe dhe lloje. Prej tyre ka që beson e pastaj devijon, prej tyre ka që i jep përparësi devijimit para udhëzimit, prej tyre ka që njëherë u bëhet e qartë e vërteta e njëherë dyshojnë në të. Gjatë historisë islame telashet me to janë më të rëndat, e pretendojnë Islamin e në fakt janë armiqtë e tij, janë të hutuar mes besimit dhe kufrit, e kërkojnë dynjanë me jobesimtarët ose me besimtarët, janë të pa orientuar se me cilin grup të shkojnë, nuk janë as besimtarë të pastër e as jobesimtarë të qartë, nuk dinë nga t’ia mbajnë as me këta e as me ata, në pamje të jashtme janë me besimtarët e me zemrat e tyre janë me jobesimtarët. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Shembulli i hipokritit është sikurse shembulli i deles së lëkundur në mes dy kopeve, herë shkon te njëra e herë te tjetra, nuk e di se cilën (kope) të ndjekë”.

Allahu ia çori maskën hipokritëve dhe i demaskoi fshehtësitë e tyre që të jenë muslimanët më të vetëdijshëm rreth ideologjisë së tyre, planeve të tyre kundër Islamit dhe muslimanëve dhe pretendimeve të tyre se ata janë që përmirësojmë në tokë e jo që shkatërrojnë: Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! (El-Bekare: 11) Si mund të jenë ata përmirësues kur janë të shurdhër, memecë e të verbër, njerëz që shpresojnë veprimin e të keqes dhe përhapjen e saj nëpër shoqëri, e ndalojnë të mirën, e urrejnë stemën e thirrjes në të mirë dhe ndalimit nga e keqja dhe i urrejnë ata që thirrin në të: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar”. (Et-Teube: 76) Shpifin kundër muslimanëve se janë mendjelehtë, por Allahu i përshkroi se ata janë të tillë: “Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë”. (El-Bekare: 13) Tentojnë t’i mashtrojnë muslimanët dhe t’i shkatërrojnë shoqëritë e tyre, mirëpo: “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë”. (El-Bekare: 9) Nxisin fitne, urrejtje dhe bartin fjalë: “Ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshi”. (Et-Teube: 47)

Kur i shohin muslimanët në begati pikëllohen e kur i godet ndonjë e keqe gëzohen, paraqiten kryeneç, i nënçmojnë të tjerët dhe mahniten me vetveten: “Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!” (El-Munafikun: 9) Marrëveshjet nuk i realizojnë, besëlidhjet nuk i respektojnë, premtimet i tradhtojnë, amanetet nuk i mbajnë, e tradhtojnë shokun kur është më së e nevojshme ndihma e tyre, prandaj mos shpreso prej tyre ndihmë e as besë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

Hipokritët janë njerëz me fjalor më të butë, me gjuhë më magjepse, me zemra më të prishura, e paraqesin të kotën të vërtetë, dhe kur i dëgjon ndokush sprovohet me ëmbëlsinë e fjalëve të tyre: nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre”. (El-Munafikun: 4) E megjithatë, trupat i kanë të boshatisur si trungje të mbështetura, ndërsa në mexhlise fjalët e tyre janë vetëm se gënjeshtra dhe Allahu është dëshmitarë për këtë që e themi: “Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë”. (El-Munafikun: 1) Madje rrenat e tyre i shfajësojnë me betime të rrejshme: “Ata me vetëdije betohen në gënjeshtar”. (El-Muxhadele: 14) Në kohën e paqes dhe sigurisë sulmojnë Islamin dhe muslimanët me gjuhë të mprehtë dhe fjalë të llojllojshme fyese, ndërsa gjatë vështirësive janë më frikacakët dhe braktisin njëri-tjetrin. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur frikësohen, ata të shikojnë ty (o Muhamed) për ndihmë, duke i rrotulluar sytë sikur të ishin në agoni. Por, sapo t’u kalojë frika, ata ju sulmojnë me gjuhë të mprehtë dhe janë koprracë me ju për çfarëdo të mire”. (El-Ahzab: 19)

Hipokritët vuajnë prej frikës dhe fobive, ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Janë njerëz që nxitojnë në vërtetimin e lajmeve jo të mira dhe përgënjeshtrimin e lajmeve të mira, njihen si koprracët më të mëdhenj që nuk ia zgjasin asnjëherë dorën të varfërve dhe të mjerëve. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata janë më të fëlliqurit, më të këqijtë dhe më të shëmtuarit prej bijve të Ademit”. Të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe shokët e tij i fyenin më së rëndi, talleshin me to dhe i përqeshnin, udhëheqësi i tyre Abdullah ibën Ubeji me tërheqjen e një të tretës së ushtrisë i braktisi muslimanët në betejën e Uhudit kur ata ishin më së zori për ndihmë dhe ushtri, ndërsa në luftën e Tebukut në mesnatë tentuan ta vrasin të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Janë njerëz që kur ngrihen për faljen e namazit ngrihen me dembeli e përtaci, namazin nuk e falin për Allah, madje as nuk e besojnë ligjësimin e tij. Namazi i tyre kryhet vetëm me trup pa zemër. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Ai (namazi i shpejtë) është namazi i hipokritëve, ulet ndonjëri prej tyre derisa të skuqet dielli (afër perëndimit), ku në këtë kohë është mes dy brirëve të shejtanit, pastaj ngrihet dhe i falë shpejtë katër rekate, në të cilat nuk e përmend Allahun vetëm se pak”.

Allahun nuk e përmendin vetëm se pak, për shkak se i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Nuk shpenzojnë përveç se me urrejtje dhe pa vendosmëri dhe shpenzimet e tyre janë të papranuara tek Allahu: Thuaj: “Shpenzoni me hir a me pahir, nga ju nuk do të pranohet kurrsesi, sepse ju jeni vërtet një popull i mbrapshtë”. (Et-Teube: 53) Pasuria dhe fëmijët e tyre janë shkak për ndëshkimin e tyre: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë”. (Et-Teube: 55)

Në zemrat e tyre nuk gjen përveç se hipokrizi. Sinqeriteti për Allahun në veprat e tyre nuk ekziston dhe mu për këtë arsye e braktisin shumë namazin me xhemat. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: “Asnjë namaz nuk është më i rëndë për hipokritët se namazi i sabahut dhe i jacisë, por sikur ta dinin ata shpërblimin për faljen e këtyre namazeve me xhemat, do të merrnin pjesë edhe sikur t’u duhej të shkojnë të zvarritur”.

Numri i tyre është i madh, janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, ka prej tyre lloje të ndryshme dhe secili prej tyre karakterizohet me vetitë e veta. Hudhejfeja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia sot është më e përhapur se sa në kohën e Profetit, alejhi salatu ue selem”. Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hipokrizia vazhdoi të zë vend edhe pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, madje edhe të rritet numri i tyre”. Pasi që hipokrizia ka qenë e pranishme në atë periudhë kur besimi ishte në një nivel të lartë pa dyshim se më vonë do të rritet prezenca e saj në shoqëri edhe më tepër. Prandaj Hudhejfeja kur e dëgjoi një njeri duke thënë: “O Zot, shkatërroj hipokritët”, u përgjigj: “Po të ishin shkatërruar hipokritët do të mbeteshin rrugët të boshatisura pa njerëz”.

Profeti, alejhi salatu ue selem, i dinte disa prej hipokritëve dhe emrat e tyre ia tregoi vetëm se Hudhejfes, radijallahu anhu, dhe këtij të fundit ia ndaloi që t’ua tregojë të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë”. (Et-Teube: 101) Pasi që të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, iu lejua që mos t’i dijë të gjithë hipokritët dhe ata jetonin me të në Medine, në rend të parë është që ata që do të vinë pas tij të mos i njohin hipokritët edhe më tepër. Ne gjykojmë sipas të jashtmes ndërsa zemrat i di vetëm se Allahu, mirëpo pa dyshim se ka shenja që aludojnë në njohjen e hipokrizisë dhe hipokritëve. Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Sa do që njeriu t’i fsheh fshehtësitë e zemrës atë e tradhtojnë paraqitja e shenjave në fytyrë dhe rrëshqitjet e gjuhës së tij”. Prej vetive të tyre është se kur forcohen muslimanët ata dobësohen, kur dobësohen muslimanët ata paraqiten, sprova e muslimanëve me to është shumë e rëndë, madje edhe më e rëndë se me jobesimtarët, prandaj edhe Allahu thotë: “Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre”. (El-Munafikun: 3)

Hipokrizia ka grada. Ka hipokrizi të madhe dhe hipokritët e këtij lloji do të jenë në thellësi të Xhehenemit, dhe kjo, për shkak të mohimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, ose mohimit të diçkaje me çka ka ardhur me të, urrejtja e tij, mosbesimi në detyrimin e pasimit të tij, etj. Po ashtu ka hipokrizi të vogël. Në këtë lloj hipokrizie bien njerëzit të cilët veprojnë ndonjë vepër prej veprave të hipokritëve duke qenë edhe imani prezentë në zemrën e tyre. Këta njerëz në zemrën e tyre kanë edhe iman edhe hipokrizi dhe sa më shumë që i shtojnë veprat e hipokritëve aq më shumë bëhen hipokritë të pastër edhe pse e falin namazin dhe agjërojnë. Profeti, alejhi salatu ue selem, thotë: Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet gënjen, kur besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë dhe kur premton nuk realizon”.

Bashkimi i të gjithë këtyre cilësive në një njeri e bëjnë që të jetë hipokrit i vërtetë, ndërsa paraqitja e një prej këtyre cilësive e bën njeriun që të posedon një prej vetive të tyre. Hipokrizia e vogël është mjet për arritjen deri tek hipokrizia e madhe dhe për mu këtë arsye të parët e tanë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, kishin drojë të madhe prej hipokrizisë dhe secili prej tyre mendonte se ka veti prej vetive të hipokritëve. Ibën Ebi Melijkeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “ Kam takuar më tepër se tridhjetë vetë prej shokëve të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem. Që të gjithë kishin frikë se mos ishin hipokritë”.

Prandaj, ti o musliman, bëhu i kujdesshëm që mos të biesh nën ndikimin e hipokritëve dhe hipokrizisë, bëj përpjekje më të madhe që ta shtosh sinqeritetin në veprat tua qofshin ato të jashtme apo të brendshme, me plotë dëshirë fale namazin me xhemat dhe shpeshto përmendjen e Allahut. Dijetarët thonë: “Po të kishte qenë dobia e vetme prej përmendjes së Allahut largimi dhe mbrojtja prej hipokrizisë do të mjaftonte”. Bëhu i drejtë kur flet, realizo marrëveshjet, bëhu besnik, bëhu i butë dhe i drejtë gjatë konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, largohu prej dëgjimit të muzikës dhe veglave muzikore se ajo e kultivon hipokrizinë në zemër sikur se uji që i kultivon drithërat dhe kërko prej Allahut dhurimin e besimit të pastër dhe mbrojtje prej hipokrizisë dhe vetive të saj.

O Zot, mbrona prej hipokrizisë dhe vetive të saj, mbrona prej përçarjeve dhe moralit të keq dhe shtona besimin e pastër dhe diturinë e dobishme.

Shejh Abdulmelik El Kasim  

Nga arabishtja: Irfan JAHIU