86634B9F-3A04-41BD-9789-E521D9A270F8

Historiku i xhamisë dhe mektebit në fshatin Skorobisht të Prizrenit

Historiku i xhamisë dhe mektebit në fshatin Skorobisht të Prizrenit

Xhamia është ndërtesa e parë e përbashkët e ndërtuar në fshatin Skorobisht pas zhvendosjes së paraardhësve të lagjeve Bajra, Rexha, Jusufi, Alija, Shabani dhe Xhaferi. Koha e ndërtimit është viti 1790.

Komuna e Prizrenit gjeografikisht shtrihet në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, jo shumë larg kufirit shqiptar. Në përbërje të Komunës së Prizrenit gjendet fshati Skorobisht, i vendosur në një distancë prej 12 kilometra në verilindje të Prizrenit, në lartësi mbidetare prej 960 m (te xhamia e fshatit), sipas hartave ushtarake, duke përfshirë zonën midis fshatrave Lubizhdë, Korishë, Kabash, Sevcë, Planjane dhe Dojnicë. Në territorin e fshatit Skorobisht jetojnë rreth 1566 banorë, të cilët jetojnë në 286 familje, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i brendshëm i vitit 2020.(1)

XHAMITË E VJETRA TË FSHATIT SKOROBISHT

Xhamia është ndërtesa e parë e përbashkët e ndërtuar në fshatin Skorobisht pas zhvendosjes së paraardhësve të lagjeve Bajra, Rexha, Jusufi, Alija, Shabani dhe Xhaferi. Koha e ndërtimit është viti 1790.(2) Sigurisht që është ndërtuar me aksion pune dhe fonde të mbledhura për blerjen e materialit të drurit, tjegullave, dyerve, dritareve dhe materialit tjetër të nevojshëm për ndërtim. Objekti i xhamisë u ndërtua në vendin e xhamisë së sotme nga materiali i rrënuar (guri dhe balta).(3)
Xhamia u përdor për të kryer ritet fetare, me siguri, për shumë vite. Meqenëse ishte bërë nga materiali i rrënuar, u amortizua. Kishte nevojë për të ndërtuar një xhami të re. Xhamia e vjetër u rrënua dhe u ndërtua një xhami e re shumë më e madhe se xhamia e vjetër në të njëjtin vend. Brenda saj ndërtua edhe një minare. Kjo xhami ka shumë të ngjarë të jetë ndërtuar në fund të shekullit XIX ose në fillim të shekullit XX. Kishte një hapësirë për t’u falur për burrat në katin përdhes dhe një pjesë të hapësirës lart për t’u falur gratë, dhe ajo hapësirë ishte në lidhje me atë të mëparshme, një paradhomë për ruajtjen e gjërave të nevojshme për të përgatitur të vdekurit për varrim dhe një dhomë për qëllime të shumta.(4)

ROLI I MEKTEBIT NË SHKOLLIMIN E BREZAVE TË FSHATIT SKOROBISHT

Emri mekteb vjen nga folja e gjuhës arabe “ketebe”- shkrimi, të shkruarit.(5) Ndërsa mektebe quhet vendi në të cilin mësohet apo studiohet dhe për këtë arsye janë quajtur mektebe, sepse roli dhe funksioni i tyre ka qenë mësimi, arsimi. Mektebi është institucioni themelor edukativo-arsimor që ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit. Mektebet e para, së bashku me xhamitë, ishin simbol i njohur i lagjes apo fshatit të caktuar. Nga shkollat e para fetare brenda sistemit shkollor për fëmijët myslimanë, mektebet gradualisht rritën në shkolla që ishin pjesë e sistemit zyrtar.
Në mënyrë që fëmijët e fshatit Skorobisht të fitonin shkollimin në bazë dhe mësimin fetar, në fillim të shekullit XX u ndërtua ndërtesa e mektebit (sibjan mejtepi ishte shkollë fillore fetare gjatë sundimit të Perandorisë Osmane). Ata ndërtuan ndërtesën e mejtepit me synimin për të kërkuar nga autoritetet osmane hapjen e një shkolle fillore fetare – sibjan mejtepin.
Duke ardhur në këto hapësira, osmanlinjtë futën një sistem të ri arsimor në të cilin mektebi ishte një formë e shkollës fillore dhe përkrah xhamisë ishte simbol i krijimit të një qeverie të re. Prandaj termi mekteb, në gjuhën tonë, në fakt, erdhi përmes gjuhës turke. Mektebi, mejtepi ose mejtefi, siç quhej në pjesë të ndryshme, ishte shkolla fillore myslimane gjatë sundimit turko-osman në këto troje. Për një periudhë të gjatë kohore, për shumicën myslimane, veçanërisht për fëmijët e varfër, kjo ishte forma e vetme e arsimit fillor, kështu që përveç lëndëve fetare, mësoheshin edhe lëndë të përgjithshme. Ashtu siç ndryshoheshin rrethanat shoqërore, u ndryshua edhe mektebi, duke e ndryshuar formën, por edhe rolin e tij brenda sistemit arsimor.(6)
Kjo ndërtesë e mektebit, sikurse edhe xhamia më parë, u ndërtua me një aksion pune dhe vetë kontribut të fondeve nga banorët e Skorobishtit. Ndërtesa e mejtepit ishte ndërtuar nga materiali i rrënuar dhe kishte këto hapësira: një hapësirë në katin përdhes për shumë qëllime, një bodrum për akomodimin e druve të zjarrit dhe gjëra të tjera të nevojshme; në katin e parë, dy hapësira më të mëdha sigurisht u kushtohen banorëve për klasa për mësim besim, një hapësirë

për zyrën për mësuesit e shkollës dhe një dhomë për qëllime të shumta.
Pas përfundimit të asaj ndërtese në vitin 1908, u hap shkolla e parë fillore fetare – sibjan mejtep, e cila funksionoi deri në vitin 1912. Ajo pushoi së punuari për shkak të luftërave ballkanike dhe tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, si dhe për shkak të ardhjes së një pushtuesi të ri – si Serbia e Parë).

Lufta e Parë Botërore filloi së shpejti në 1914, duke përfunduar në vitin 1918. Kosova, si dhe fshati Skorobisht, u pushtua nga një shtet i ri – Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Në vitin 1918, kjo Mbretëri dekretoi shkollën fillore të detyrueshme me katër klasa. Ajo shkollë filloi të punojë në ndërtesën e mejtepit dhe punoi në të deri në vitin 1927, dhe vetëm për fëmijët meshkuj nga fshati Skorobisht.
Shkolla, ndërsa punonte në ndërtesën e mektebit, shfrytëzonte dy hapësira si klasa, një hapësirë të vogël si zyrë mësuesi dhe një hapësirë të vogël si hapësirë për banim të mësuesit. Sigurisht, bodrumi u shfrytëzua për të vendosur dru zjarri dhe për të vendosur gjëra të tjera të nevojshme. Në vitin 1946, ndërtesa e mejtepit u nda nga xhamia dhe u shndërrua në një shkollë fillore të dekretuar nga Jugosllavia Socialiste, e cila punoi në atë ndërtesë deri në vitin 1954, kur u transferua në një ndërtesë të re shkollore. Pas kësaj, ndërtesa e mejtepit u shndërrua në Qendrën Kulturore të fshatit Skorobisht.(7)
Sot, fëmijët arsimohen në shkollë dhe edukohen në mekteb. Shkolla do t’i udhëzojë ata gjatë rrugëtimit të tyre për t’u bërë ekspert në ndonjë fushë të jetës, kurse mektebi do t’i udhëzojë dhe drejtojë ata përgjatë rrugës në të cilën do të bëhen “njeri“ në plot kuptimin e fjalës.

NDËRTIMI I XHAMISË SË RE NË FSHATIN SKOROBISHT

Në vitin 1984, përfundoi ndërtimi i xhamisë në fshatin Skorobisht, i cili filloi në vitin 1981. Xhamia u ndërtua në të njëjtin lokacion ku ishte xhamia e vjetër që u rrënua. Ajo u rrënua sepse ishte mjaft e amortizuar dhe ishte bërë nga materiali i rrënuar dhe nuk i plotësonte nevojat e fshatarëve të Skorobishtit. Xhamia u ndërtua me fonde të vetëkontributit nga fshatarët e Skorobishtit. Duhet të theksohet veçanërisht se përqindja e pjesëmarrjes vullnetare me fonde ishte mjaft e lartë nga punëtorët e përkohshëm në vendet e Evropës Perëndimore dhe Veriore, si banorët e fshatit Skorobisht ashtu edhe banorët e fshatit Lubizhdë, të cilët ishin me origjinë nga fshati Skorobisht. Organizatorët e mbledhjes së fondeve ishin Adem (Mujdin) Bajra dhe të tjerë që u mblodhën për marrëveshje në qendrën tregtare Letzipark në Cyrih (Zvicër).(8)

IMAMËT E XHAMISË NË FSHATIN SKOROBISHT

Imamët e fshatit Skorobisht në periudhën e kaluar në xhamitë e përmendura ishin:

1. Imami, mulla Mehmed Ademi nga fshati Korishë, komuna e Prizrenit, në mesin e fshatrave të tjera, ka mbajtur edhe fshatin Skorobisht, periudha kohore nuk dihet. Në atë kohë, Imamati i Korishës përfshinte fshatrat: Korishë, Kabash, Novo Sellë, Skorobisht, Lubizhdë dhe Lutoglavë, me 2837 banorë myslimanë, por periudha kohore nuk dihet;

2. Imami, mulla Selim (Bilo) Bajra nga fshati Skorobisht, komuna e Prizrenit, koha e fillimit të tij si imam nuk dihet (me sa duket ai filloi në vitin 1908) dhe ai punoi si imam i fshatit Skorobisht deri në vitin 1925, kur vdiq si rezultat i torturave nga xhandarmëria serbe;
3. Imami, mulla Mali nga fshati Korishë, komuna e Prizrenit, punoi si imam në fshatin Skorobisht mes viteve 1926 dhe 1930, periudha e saktë nuk dihet;
4. Imami, mulla Amze Kusho nga Prizreni, ai punoi si imam i fshatit Skorobisht mes viteve 1926 dhe 1930, periudha e saktë nuk dihet, vetëm në atë periudhë ka punuar imami i mëparshëm dhe ky imam;
5. Imami, mulla Azmit (Selim) Bajra, nga fshati Skorobisht, komuna e Prizrenit, punoi si imam i fshatit Skorobisht nga viti 1931 deri në vitin 1977, pra deri në pension;

6. Imami, mulla Nijazi Sylejmani nga Prizreni, punoi si imam në fshatin Skorobisht gjatë viteve 1978 dhe 1979. Ai lindi në vitin 1927 dhe vdiq tragjikisht më 24 gusht 1979, në një aksident me makinë në fshatin Lubizhdë, pas përfundimit të namazit të Bajramit dhe të xhumasë. Edhe pse ishte imam i fshatit vetëm dy vjet, ai mbeti në kujtesën e mirë dhe të përhershme të të gjithë banorëve të fshatit Skorobisht;

7. Për shkak të mungesës së imamit, Imami, mulla Azmit (Selim) Bajra punoi përsëri vetëm për namazin e xhumasë nga viti 1980 deri në vitin 1983;
8. Imami Bushrah Rexhepi nga Prizreni, punoi si imam i fshatit Skorobisht nga viti 1984 deri në vitin 1988;
9. Për shkak të mungesës së imamit, si imam në fshatin Skorobisht në vitet 1989 dhe1990 punoi Avzi (Shaip) Rexha nga fshati Skorobisht, komuna e Prizrenit, dhe

10. Imami, mulla Enes (Elez) Xhaferi, nga fshati Skorobisht, komuna e Prizrenit, filloi punën si imam i fshatit Skorobisht në vitin 1990, ku vazhdon të punojë si imam i këtij fshati.9

_________________________
1 Ajdar Redža, Monografija sela Skorobište (1348-2020), IK “Fidani”,
Prizren, 2021, f. 9.
2 S. Bajgora, “Kumtesë e lexuar në Seminarin V me imamë në Prishtinë, më 27-28 tetor 2001”, Dituria Islame, Nr. 138, Prishtinë, 2001, f. 43.
3 Ajdar Redža, op. cit., f. 55.
4 Ibid., f. 55.
5 Teufik Mufti?, Arapsko-bosanski rje?nik, El-Kalem, 2017, f. 1267. 6 Amira Trnka-Uzunovi?, “Uloga mekteba u historiji obrazovnog
sistema Bošnjaka”, Novi Muallim, nr. 34, Sarajevë, 2008, f. 72.
7 Ajdar Redža, op. cit. 55-56.
8 Ibid., f. 63.
9 Ibid., f. 63-64.