Hixhreti – historia, domethënia dhe dobia

Viti i ri yni ka një rëndësi të posaçme në mesin e të gjitha festave islame, sepse, për këtë ditë kremte është e lidhur njëra nga ngjarjet më madhështore në historinë islame, e ai është hixhreti – emigrimi. Sa është kjo ngjarje e madhe dhe e rëndësishme, shihet edhe nga ajo se, është marrë si fillim i Erës islame.

***

الحمد لله 3 ، كَماَ حَمَدَ ذَاتَهُ بِذاتِهِ . و الصلاةُ و السلامُ على سيدِنا محمدٍ كَماَ صَلَّى عليه رِبُّهُ وَ ملائكتُهُ . و أشهد أن لا إله إلاّ الله وحدَهُ لا شريك له ، و أشهد أن محمدا عبدُهُ و رسُولُهُ . صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَ سَلَّمَ وَ على آلِهِ وَ أصْحاَبِهِ وَ تاَبِعِيهِمْ بِإحْساَنٍ إلى يَوْمِ الدين ، أما بعد :

Të nderuar vëllezër!

I falemi Allahut. Atij i jemi mirënjohës, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Tek Ai kërkojmë strehim nga veset dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e përudhë Allahu në rrugë të drejtë – askush në humbje nuk mund ta shpjerë, ndërsa atë që Ai e lë në humbje – askush në rrugë të drejtë s’e përudhë dot. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij, të cilin Ai me të vërtetë e ka dërguar që ta sjellë sihariqin dhe të tërheq vërejtjen para se të vijë çasti i Gjykimit.

Ai që i nënshtrohet Allahut dhe të Dërguarit të Tij është në rrugë të drejtë, ndërsa ai që nuk i nënshtrohet Atij dhe të Dërguarit të Tij është në humbje të madhe. I lutemi Allahut, Krijuesit tonë, që të na radhisë ndër ata që Atij dhe të Dërguarit të Tij i nënshtrohen, që e ndjekin kënaqësinë e Tij dhe i ruhen zemërimit të Tij.

Besimtarë të nderuar!

Ç’është Hixhra apo Hixhreti ? Dhe, pse muslimanët i llogarisin vitet e tyre prej asaj date ?

Mbi këto pyetje do të bëjmë fjalë në hutben e sotme.

Te ne muslimanët nuk ka shumë festa. Ato janë kryesisht, dy bajramet, Viti i ri dhe Mevludi.

Viti i ri yni ka një rëndësi të posaçme në mesin e të gjitha festave islame, sepse, për këtë ditë kremte është e lidhur njëra nga ngjarjet më madhështore në historinë islame, e ai është hixhreti – emigrimi. Sa është kjo ngjarje e madhe dhe e rëndësishme, shihet edhe nga ajo se, është marrë si fillim i Erës islame.

Përse kësaj ngjarjeje, qysh në ditët e para të Islamit i është dhënë aq rëndësi?

Pranë të gjitha atyre ndodhive tjera, përse mu Hixhreti është cek në plan të parë?

Kjo është bërë për arsye se Hixhreti ka paraqitur kthesë në jetën e muslimanëve të parë. Prej asaj ngjarjeje, Islami më nuk ishte i dobët dhe i pafuqishëm, por ai u bë stabil dhe i forcoi themelet e tyre.

Hixhret do të thotë: Shpërngulja – emigrimi i Muhamedit a.s. dhe i sahabëve të tij prej Mekës në Medine.

Gjersa ishin në Mekë, muslimanët e parë kanë jetuar nën presionin e mushrikëve, i kanë duruar zullumet dhe keqtrajtimet e tyre. Kur kaluan në Medine, u çliruan nga këto vuajtje; erdhi ora e shumëpritur e lirisë. U bënë të pavarur dhe e formuan bashkësinë-shtetin e tyre. Nga ai moment Islami me të madhe filloi të përhapet. Ja pra, për këtë arsye Hixhreti është aq i rëndësishëm.

Kalendari islamik:

Para Islamit, arabët kohën e kanë llogaritur sipas ndonjë ngjarjeje të rëndësishme që u ishte thelluar në kujtesë. Kështu p.sh. vitin në të cilin është lindur Muhamedi a.s., ata e kanë quajtur ‘vit i elefantit’. E kanë quajtur kështu, sepse në atë vit, sunduesi i Jemenit Ebreha, u nis me ushtrinë e tij për ta shkatërruar Qabenë, për ta prishur atë shenjtëri rreth së cilës tuboheshin arabët. Mirëpo, u shkatërrua vetë ai dhe bashkë me të edhe ushtria e tij. Pasi që para asaj ushtrie ecte një elefant i madh i cili e kryente rolin e tankut bashkëkohor, arabët atë ushtri të madhe e quajtën ‘ushtria e elefantit’. Kurse vitin në të cilin u bë kjo ndodhi e quajtën ‘viti i elefantit’ ( عام الفيل ).

Jo plotë dy muaj pas kësaj ngjarjeje, u lind Muhamedi a.s. Për këtë arsye kjo ngjarje dhe ky vit janë të rëndësishëm në historinë islame.

Kjo praktikë e llogaritjes së kohës prej ndonjë ngjarjeje të rëndësishme, është ruajtur te arabët edhe në ditët e para të Islamit, gjatë kohës së Alejhiselamit dhe halifit të parë Ebu Bekrit r.a. Sepse, muslimanët e parë, ashabët, duke zhvilluar luftë për ekzistencën dhe përhapjen e Islamit dhe duke shkuar prej beteje në betejë, nuk kanë pasur kohë që t’i kushtojnë rregullimit të shtetit të tyre dhe zgjidhjes së problemeve të brendshme të bashkësisë së tyre. Atë detyrë e mori mbi vete halifi i dytë hz. Omeri r.a.

Në vitin e 17 sipas hixhretit, pra vitin e 4 të halifatit të Omerit, erdhi në radhë çështja e kalendarit.

Si dhe zakonisht, me rastin e zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme, hz. Omeri i fton ashabët më eminent, shokët e tij, që me ta të këshillohet – se si ta zgjidhin atë problem.

U shtrua pyetja: Alejhiselami ka udhëhequr sa e sa beteja, e asnjëra nuk ishte shënuar saktësisht. Krejt ruhej përmendsh në kujtesë, dhe ekzistonte frikë e bazuar, që diçka mos të harrohet a të humbët. Duhej të caktohej një datë, prej së cilës do të njehsoheshin ngjarjet, ditët dhe vitet.

Dhe, atëherë, një ngjarje e tillë me rëndësi, e cila për nga rëndësia shquhet mbi të tjerat, duhej zgjedhur prej ditëve të para të Islamit, e të merret për pikënisje të kalendarit islam.

Në jetën e Alejhiselamit janë dalluar 4 ngjarje, prej të cilave çdonjëra ka mund të merret si fillim i Erës islame. Ato 4 momente janë:

1. Lindja e Alejhiselamit,
2. Shpallja e parë,
3. Hixhreti dhe
4. Vdekja e Alejhiselamit.

Cilën nga këto data ta zgjedhin? Janë pyetur sahabët, të cilët ishin tubuar për këtë.

Disa propozuan që Lindja e Alejhiselamit të merret pikënisje e kalendarit islam. Të tjerët ishin të mendimit, se kjo duhej të jetë Shpallja e parë (fillimi i shpalljes së Kur’anit). Mirëpo, asnjëri prej këtyre dy propozimeve nuk u miratua. Sepse, të dyja këto ngjarje nuk ishin të precizuara mirë.

Propozimi, që prej Vdekjes së Alejhiselamit të fillojnë të njehsohen vitet, edhe më pak kishte gjasa të jetë i miratuar, edhe pse dihej saktësisht dita dhe ora kur Alejhiselami u shpërngul në Ahiret. Pra, sapo kishin kaluar 6 vjet nga ajo ngjarje tronditëse, dhe, të gjithëve ai moment i dhembshëm u kishte mbetur thellë në kujtesë. Mirëpo, pasi që vdekja e Alejhiselamit paraqiste pikëllim të përgjithshëm për mbarë muslimanët, edhe ai propozim u refuzua. Atëherë, hz. Aliu u paraqit me propozimin, që Hixhreti të merret për fillim të Erës islame.

Si do të ishte, që vitet të fillojmë t’i llogarisim prej Hixhretit? – i pyeti të pranishmit. Pastaj duke e arsyetuar propozimin e tij vazhdoi: “Sepse Hixhreti e ka ndarë të vërtetën prej gënjeshtrës. Ai ka kontribuar që Islami të shkëlqejë plotësisht!”

Ky propozim i pëlqeu hz. Omerit, por edhe të tjerëve, andaj menjëherë e pranuan. Sepse Hixhreti, vërtet paraqet kthesë në historinë islame, moment vendimtar në jetën e muslimanëve të parë.

Nga ai moment, për muslimanët filloi jetë e re. Erdhi, pas ditëve të vështira, lehtësimi. Filloi periudha e shkurtër e paqes, në të cilën kanë mundur të përgatitën për beteja të mëdha të ardhshme.

Hixhretit i paraprinë tri takime në Akabe, në të cilat Alejhiselami me përfaqësuesit e Medinës zhvilloi negociata rreth kushteve për emigrimin e muslimanëve të parë, të cilët plotë 12 vjet jetuan në Mekë nën presionin e mushrikëve. Në takimin e tretë, i cili u mbajt në mbarim të muajit dhul-hixhe, u vendos që të fillohet me shpërngulje (hixhret).

Dhe menjëherë, ditët e para të Muharremit, sahabët filluan të shpërngulen prej Mekës në Medine.

Kështu filloi ai viti i parë sipas Hixhretit.

1 Muharrem i atij viti – të parë, ishte të premten, e i përgjigjet datës 16 korrik 622, pas lindjes së Isait a.s.

Ja pra, kjo është pika fillestare e Erës islame.

Për dy muaj, gati të gjithë sahabët u shpërngulën prej Mekës.

Alejhiselami ndër të fundit e lëshoi qytetin e lindjes tij, dhe me shokun e tij besnik, hz. Ebu Bekrin, mbërriti në Medine në fillim të muajit rebiul-evel.

Kështu fillon dhe kryhet kjo shpërngulje e madhe, Hixhreti i muslimanëve të parë prej Mekës në Medine.

Dhe ajo ngjarje më vonë u tregua aq e rëndësishme, sa që u mor për fillim të Erës islame.

Në fillim të vitit të ri musliman, ne i bëjmë lutje Allahut të Madhërishëm që ky vit të na jetë me fat dhe me hajr, që në të të bëjmë edhe më shumë vepra të mira, se sa që kemi bërë në vitin e kaluar. Amin ja Rabbi !

Përgatiti: Miftar Ajdini

Referencë: Libri “Izbor hutbi i vazova”, fq. 267-270.