Rtv Pendimi

HOROSKOPI – T’I BESOJMË APO JO?

Në kokën e njeriut përplasen gjithmonë këto gjëra:

– Dje, sot dhe nesër!

– E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja!

– Ç’ndodhi, ç’po ndodhë dhe ç’do të ndodhë?

Njeriun më shumë e brengos fati i së ardhmes, dhe gjithmonë e ardhmja i bëhet synim studimi, dhe faktet, qofshin ato të vërteta apo jo, e që flasin për të ardhmen, i duken kurreshtare dhe interesante, nganjëherë njeriu duke u brengos shumë për të ardhmen, bie në pus të pa fund, sepse futet aty ku nuk i takon dhe ku nuk ka përgjigje për njeriun, i lë mangu obligimet gjatë ditës duke u dhënë pas “zbulimit të së ardhmes”, ende pa e jetu të sotshmen e kërkon të nesërmen, sa çudi!

E njeriu është qenie fizike, psikike dhe shpirtërore, është krijesa e fundit e Zotit në tokë dhe më e nderuara, shkaku pse njeriu bart një përgjegjësi para Zotit dhe para njerëzve është mendja, ai jeton në mes të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, e kaluara ka shku dhe s’mund ta kthejmë asesi, e tashmja jetohet dhe në të tashmen duhet të investohet, ndërsa e ardhmja është e fshehtë dhe sekrete, mund të përgatitemi për të, por nuk na takon që të mundohemi të fshehtat e së ardhmes “t’i bëjmë të njohura”, sepse kjo i takon dikujt tjetër, e jeta në këtë botë për njeriun është sikur leximi i një libri, duke e lexu një faqe libri, nuk e din çka pason në faqen tjetër, pra, ti jeton sot, por nuk e din sigurt se a do të jetosh edhe nesër apo jo. 

Andaj, për të kaluarën mos u mërzit shumë, ajo ka shku dhe nuk kthehet më, veprat e mira që i ke bë në të kaluarën mos i zhvlerëso kurrë, për gabimet, qofshin ato të mëdha apo të vogla, me dije apo pa dije, në raport me Krijuesin tënd apo në raport me njerëzit, pendohu dhe kërko falje, e përmirësoje veten dhe nisu drejt ardhmërisë, e investo në jetë si të ka hije, e ardhmja të të mos brengos shumë, ti që po e lexon këtë temë, besoj se e ke zemrën e shëndoshë, pra, besoj se ti e beson Allahun për Krijues sikur unë e nuk je ateist/e, këtu e kam qëllimin, andaj, ji aktiv në leximin e kësaj teme deri në fund me zemrën tënde të shëndoshë dhe të hapur, ashtu do ta kuptosh qartë dhe drejtë çështjen e kohës, çështjen e fatit dhe çështjen e atij apo asaj që na shpie drejt fatit të mirë apo të keq.

Ti që ke nda diçka nga koha jote për ta lexu këtë temë, këtë kohë ku e morre, a e din se Allahu është betu në kohën, a e din se koha është si shpata, po s’preve me të, të pret ajo ty?! Ti je në mirësi, sepse ti tani je mik i kohës e jo armik, siç ka thënë një dijetar: “Me pas koha gojë na kish sha, çka jemi na t’u i ba”. A thua tani sa njerëz do t’i shante koha po të kishte gojë, ajo do të kishte të drejt, madje po të kishte mundësi edhe do t’i privonte prej vetes, sepse shumë njerëz sot kohën e lirë e kalojnë në robëri të epsheve, gjërave të kota dhe devijimeve, ndërsa ty s’të ka hije të radhitesh në mesin e tyre, ti mos e shaj kohën, se koha nuk të ka faj pse ti s’din nganjëherë të ballafaqohesh me sfidat e kohërave të ndryshme që të vijnë, dhe mos ec me kohën, ajo duhet të ec me ty, sepse ti s’je krijuar për kohën, por koha është kriju për ty, Zoti ta ka nënshtru kohën ty që ti ta mbushësh atë me vepra të mira dhe frytdhënëse, anadaj, mos u bëj neglizhues, por mbjell ditë e natë në arat e duhura, se ke për të korr pa dyshim, e akrepat po ecin, dikush ende po sheh ëndërr, ec o vëllai im dhe motra ime para duke shiku përpara, e jo prapa, asnjë njeri nuk e kam pa deri sot duke vozitur veturë para me fytyrë prapa!

Sot koha shumë dinamike, globalizimi po vjen duke na gëlltitë kohë pas kohe, shkenca dhe teknologjia dita ditës në avancim e sipër, vetëm shqiptarët më duken vazhdojnë ta kenë ende fatkeqsisht mikun më të mirë jastëkun e gjumit, siç thoshte hoxha, dijetari, komandanti, oratori dhe atdhetari i ndjerë i shqiptarëve, mulla Jakup Asipi: “Me ba botën luan, ne as në bisht s’kemi vend!” Pra, me të vërtet jemi prapa, por prapë se prapë dikush që është i verbër në zemër dhe në kokë e sheh vetën në birën e hardhucës, por ja që i duket vetja “në maje të malit”, e mu këta persona mendojnë se janë “ndërtuesit e ardhmërisë”, bile pretendojnë se e kanë në dorë “qelsin e fshehtësisë”, dhe ja që me dinakritë e tyre i ngufatin zemrat dhe mendjet e të rinjve dhe të rejave të popullit tonë dhe si model që “të udhëzon drejt një të ardhme më të mirë” ta propozojnë horoskopin, sa çudi! 

– A do të jem fatlum/e apo fatkeq/e?!

– I/e lumtur apo i/e dëshpëruar?!

– I/e pasur apo i/e varfër?!

– I/e shëndoshë apo i/e sëmurë?!

– I/e dashur apo i/e urrejtur?!

– I/e martuar apo i/e vetëm?!

– I/e suksesshëm apo i/e dështuar?!

– I/e respektuar apo i/e nënçmuar?!

Dhe pyetje tjera me radhë, që të gjitha preokupime të së ardhmes, ndërtimi i të sotshmes është zbehë, tani rinia e ka syrin vetëm te e ardhmja, mirëpo këtyre pyetjeve që i parashtruam kush mund t’u jap përgjigje, “me siguri horoskopi”, ta shohim!

O ti që je ithtar i horoskopit dhe zemrën tënde ia ke dorëzu besimit në dash, gaforre apo bricjap, dhe mendon se horoskopi e ka me vend, të tjerët që të gjithë duhet të heshtin, shembull, ti je njëzet vjeçar, më trego sipas horoskopit, ku ke qenë ti para 21 viteve?!

Nëse s’mund të të jap përgjigje për një të kaluar, si mund të të jap përgjigje për të ardhmen dhe si ti aq lehtë mund t’ besosh?!

Mirë, në rregull, nëse ti je akrep në horoskop, po akrepi çka është në horoskop, për të a nuk vlen horoskopi a, fati i mirë apo i keq nuk i takojnë edhe atij a, së pari pse akrep, kush të krijoi ty dhe kush e krijoi akrepin, i njëjti Krijues apo jo, me çfarë qëllimi, pse jeton në shek.XXI e jo para 3000 viteve?!

Kam pyetje që më burojnë nga brendësia e zemrës, të mos më përgjigjesh vetëm se me zemër, të lutem:

– Kush është Pronari i Gjithësisë dhe Krijuesi i njerëzisë, “horoskopi rastësisht”?!

– Kush e sjellë diellin nga lindja në perëndim, “horoskopi rastësisht”?!

– Kush e nxjerrë prej natës ditën dhe prej ditës natën, “horoskopi rastësisht”?!

– Kush i jep leje kohës të ec para duke ia ndalu të ndalet qoftë edhe një sekond, “horoskopi rastësisht”?!

– Kush ma mundësoi mua ta shkruaj këtë temë dhe ty ta lexosh, “horoskopi rastësisht”?!
Shiko ç’thotë horoskopi për rënien e shiut, sa pika uji kanë ra në vitin 1912 në gjithë Atlantikun, sa në det, sa në të thatë, sa në Tiranë e sa në Prishtinë, pastaj, kur ka fillu dhe kur ka mbaru dhe ku është sot ai ujë, uji është bazë kryesore e jetës, është “turp mos ta dijë”?!

Çka din horoskopi, përveç se me ta trubullu mendjen dhe zemrën, ai të thotë ty se nesër paradite do të zgjohesh i mërzitur, ndërsa pasdite do të disponohesh, se sot ke humbë kaq dhe ke fitu aq, se pas një muaji ke mu shkurorëzu me gruan, dhe ti zemrën e gjorë, së cilës ia ke zhvesh besimin në Allahun, ia dorëzon horoskopit dhe ai ta prangos dhe bën që çdo bestytni e pjellur të zë vend aty dhe pastaj ti mendon se “planifikuesi dhe parashikuesi më i mirë i jetës tënde është horoskopi”!

A e njeh konceptin e sekretit, çka din ti për sekretin, kush meriton të jetë ruajtës dhe zbulues i sekretit, çfarë kritere duhet pas, pastaj, sa sekrete i ka sot bota, njeriu më i ditur në botë nga sekretet din sa një pikë ujë në deti, merre vesh tash sa din horoskopi!

Horoskopin po e quajnë kinse “hartë dhe planprogram të jetës së njeriut, i cili bën lidhshmëri në mes të kozmosit natyror dhe kozmosit të njeriut, ku tregon pozicionin e yjeve në qiell, gjë që sipas tyre ajo ka të bëj direkt me situatën e njeriut, pra, të besuarit se fati i njeriut është i lidhur ngusht me pozitën dhe lëvizjen e trupave qiellor, të cilat na i paraqesin përmes disa shenjave të marra sipas tyre nga astrologjia”, përrallë pas përralle, devijim pas devijimi, bestytni pas bestytnie, çfarë të vërtete ka këtu, astrologjia s’është shkencë që duhet studiu dhe besu, kush rrin prapa horoskopit, a e dini?!

Paramendo ti, e lidhin çështjen e fatit të njeriut me yje, këta nuk e dinë se yjet i ka kriju dikush, s’janë vetvetiu në qiell, ato i ka kriju Allahu, bile është betu në to dhe na ka mësu se edhe yjet i përkulen në mënyrën e vet Atij, se si ato janë zbukurim në errësirë, se si me to mund të orientohemi, se si ato janë gjuajtëse kundër shejtanëve të mallkuar, dhe në fund, në ditën e gjykimit, ato do të shkapërderdhen, ja se si i përshkruan Allahu yjet:
“Ne ua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr”. (Kur’an, kaptina nr.67, ajeti nr.5).

“Ai është që krijoi yjet për ju që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det. Vërtet Ne i shpjeguam argumentet tona për një popull që di të mendojë”. (Kur’an, kaptina nr.6, ajeti nr.97).

“Yjet i përulen urdhrit të Tij”. (Kur’an, kaptina nr.7, ajeti nr.54).
U bëj tash pyetje mendjeve të mëdha dhe të arsyeshme, si ka mundësi të lidhet fati jonë me yje, pasi që yjet paskan krejt tjetër rol dhe ndikim në jetën tonë, ashtu po i përshkruan Krijuesi dhe Arkitekti i tyre e jo ne?!

Do t’i ceku me radhë pesë sekrete për të cilat ka fol Allahu në librin e Tij më të lexuar në botë, në Kur’an, libër, të cilit nuk i sosen kurrë çuditë dhe mrekullitë, e një nga mrekullitë e pafund të këtij libri janë edhe ato fshehtësitë e Tij që Ai i ka përmend, për të cilat ka thënë se i din vetëm Ai dhe askush tjetër, as më të dashurit dhe më të zgjedhurit e Tij, pejgamberët, nuk i kanë ditë, “e po e din horoskopi sot”, sa çudi!
Allahu thotë:

“S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun, Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do të ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i Dijshmi, më i Njohuri”. (Kur’an, kaptina nr.31, ajeti nr.34).
Në komentin e këtij ajeti me këto pesë fshehtësi, mulla Jakup Asipi, Zoti e mëshiroftë, thoshte: 

– Allahu po thotë se vetëm Unë e di kur merr kjo botë fund, kush e din pos Tij kjo botë kur e ka fundin?!

(A e din horoskopi, ku mund ta gjej orën e fundit të botës, a te dashi, a te binjaku, a te virgjëresha, ku?!)

– Pastaj ka thënë se vetëm Unë e di kur bjen shi, po çka bëjnë meteorologët? Ata s’bëjnë asgjë, me të vërtet ata s’bëjnë asgjë, ata studiojnë një shkencë, shkenca e tyre është shkencë pa matematikë, ata a duhet ta vazhdojnë atë? Po, ata duhet ta vazhdojnë, sepse është një nga shkencat që s’ka matematikë, sepse jo çdo send ka matematikë, shkenca e bujqësisë gjithashtu s’ka matematikë, unë mbjelli grurë për 5000 kg hektar, ajo mi qet 500 kg, pra, s’ka matematikë, por bujqësinë a duhet me e mbytë? Jo, ajo duhet të vazhdon, por s’ka matematikë. Njëri ka këmbëngulë duke thënë se ne saktësisht e dijmë, pastaj ne kemi thënë se ajo që flitet në Kur’an nuk është e lidhur me mendjen tënde, Allahu ka thënë se Unë e di kur bjen shi, pra, në cilën minutë fillon, sa pika bijnë në krejt Atlantikun mbi det, sa pika bijnë në të thatin e tokës, i cili është 31% në vit, sa pika shiu bijnë krejt në vitin 2004, kur fillojnë ato dhe sa mililitra bijnë gjithësej? Pra, ka thënë se vetëm Unë e di kur edhe sa.

(Çka na thotë horoskopi në këtë rast?! Po horoskopi nuk e din sa goja ujë i ke pi ti dje, e lëre më shumë.)

– Pastaj ka thënë se Unë e di çka ka në barkun e nënës, disa njerëz kanë nxitu dhe kanë thënë se po e dika Allahu çka ka në barkun e nënës, a mashkull a femër, jo, këtë e dijnë edhe mjekët, nëpërmjet ultrazërit, Allahu kurrë këtë se ka pas për qëllim, kjo s’është nga mrekullitë kur’anore, Allahu ka thënë se Unë e di çka ka në barkun e nënës, është fjala për ato punë që me të vërtet i din vetëm Ai, unë tash do t’i shtroj në formën e pyetjes ato sende, ai fëmiu që krijohet në barkun e nënës fazë pas faze, a trim do të jetë, a tuc kur të lind, kush e din?! A i varfër do të jetë, a i pasur do të jetë?! A do të jetë i devotshëm, apo do të jetë i poshtër?! A mundet dikush të shkoj në spital dhe t’i thotë mjekut se ky fëmijë që po e pres me lind, a do ta agjëroj Ramazanin?! Allahu ka thënë se Unë e di a do të jetë i devotshëm apo jo, Unë e di a do të jetë hajn, apo do të jetë i ndershëm, a do të jetë i madh, apo do të jetë i vogël, a do të jetë i trashë, barkalec, dardalec, a do të jetë vital, apo s’do të jetë vital, këto i din Allahu dhe askush tjetër, më në fund ka thënë se Unë e di a do të jetë prej grupit të xhenetlive apo grupit të xhehenemlive.

(Horoskopi a jep informacione në këtë rast, çfarë “argumente dhe të dhëna” na jep tash horoskopi, a?!)

– Pastaj Allahu ka thënë se Unë e di çka ka me të ndodhë ty nesër, qu tash ti thuaj se po unë nesër ka me shku në ora 14:00 deri në ora 16:00 me luajt futboll, unë kam me të thanë se ti ke me shku me luajt sipas teje, po sipas Allahut ti nuk e din a ke me shku me luajt apo jo.

(Ta pyesim horoskopin çfarë agjende na propozon për nesër dhe ta shohim sa “do të ia qëlloj” … !)

– Pastaj ka thënë se askush prej jush nuk e di se ku ka me vdekë, në cilin vend ka me nxënë vdekja, a ka me vdekë në shtrat, a ka me vdekë në aeroplan, njëri i ka thënë krye-kapitenit të anijës se çka të ka punu baba ty? Ai i ka thënë se baba më ka punu si kapiten anije, pastaj i ka thënë se ku të ka vdekë baba? Ai i është përgjigj se baba më ka vdekë në anije, ky i ka thënë si po pranon të vazhdosh në anije kur baba të ka vdekë në anije? Ia ka kthy e ty ku të ka vdekë baba? Ka thënë në shtrat, i ka thënë a ke ra me flejtë në shtrat ndonjëherë natën, si po pranon me ra në shtrat kur baba të ka vdekë aty?

(Kur do të na skadoj afati, edhe sa frymëmarrje do t’i marrim ne, a na tregon horoskopi për këtë?!)

Horoskopi as për së afërmi e as për së largi s’mund t’u afrohet sekreteve të Krijuesit, e lëre më “të ia qëlloj”, e ardhmja është në diturinë e Allahut, por Ai disa sende që i referohen ardhmërisë na i ka zbulu në Kur’an, por ato janë vetëm disa, e natyrisht se ashtu si na ka thënë Allahu, ashtu edhe ka me dal, sepse premtimet e Tij nuk devijojnë, dhe kjo është pjesë e besimit të muslimanëve. Atë që Allahu e ka paralajmëru për një të ardhme, ne e besojmë, sepse nëse s’besojmë, pra, i kemi mohuar fjalët dhe argumentet e Zotit, e kjo është mosbesim që të shpie në shkatërrim, andaj, t’i referohemi asaj që e thotë Zoti për të ardhmen dhe do të na mjafton, e të mos ngutemi duke e kërkuar të ardhmen aty ku falsifikohen të vërtetat dhe shtrembërohen argumentet, sikur tek horoskopi dhe përrallat e bestytnitë e tjera të ardhura nga besimet pagane, ateiste dhe epshore, e që bien ndesh drejtpërdrejt me të vërtetat e pamohueshme të Zotit, sikur leximi i dorës, leximi i filgjanit, shkrirja e plumbit, bërja e hajmalive, lidhja e penjve, etj. 

Por prapë s’quditemi edhe shumë, një gotë të shprazur mund ta mbushësh me çka të duash, pra, zemra, së cilës i mungon besimi dhe mbështetja në Allahun, lehtë mund të mbushet dhe ndytet me besime të kota, kush do që derdh diçka aty, lë gjurmë, por duhet ta dijnë ithtarët e horoskopit se pasojat e dhënies pas veprimtarisë dhe besimit në horoskop janë fatale, sepse ai që zemra e tij i është kap pas të rejave të horoskopit, zemra e tij i ka vdekë dhe besimi në Allahun veç i ka fluturu, sepse besimi në horoskop është idhujtari, që në gjuhën fetare do të thotë “shirk”, fjalë e njohur për popullin tonë, e për këtë çështje Allahu ka thënë:

“Ata kanë trilluar zota të rreme si ortakë të Allahut për t’i larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: Kënaquni, se përfundimi juaj është zjarr!” (Kur’an, kaptina nr.14, ajeti nr.30).

“Mirëpo, ata (idhujtarët) në vend të Tij adhuruan zota të tjerë, të cilët nuk krijuan asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk posedojnë për vetvete as dëm e as dobi, ata nuk kanë në dorë as vdekje, as jetë e as ringjallje”. (Kur’an, kaptina nr.25, ajeti nr.3).

“S’ka dyshim se ata që po i adhuroni pos Allahut, janë të krijuar sikur ju (njerëzit janë më të përsosur). Thirrni pra ata, e le t’ju përgjigjen juve nëse thuani të vërtetën”. (Kur’an, kaptina nr.7, ajeti nr.194).

Ku ka të vërteta në horoskop, dikush ju thotë “është e vërtetuar shkenctërisht”, të mos i besoni, ti je më i përsosur se vet horoskopi, shëndeti, sëmundja, jeta, vdekja, robëria, liria, lumturia, dëshpërimi, suksesi, dështimi e të tjera, që të gjitha janë nën pushtetin e Allahut, sepse krejt çka ka në qiej e në tokë është e Tij, çdo të mirë që e kemi, e kemi prej Tij dhe ato s’kanë fund, ti je krijesa më e nderuar në tokë, sepse çdo gjë ka vë Zoti në shërbimin tuaj, a nuk është ashtu?! 

E pse t’i gjunjëzohesh horoskopit, s’po ke punë më të mençur a, s’po të mjafton besimi në Allahun a, s’po kënaqesh duke e adhuruar Krijuesin a?! 

Kthjellu vëlla dhe motër i/e dashur, bëhu rob dhe robëresh vetëm i/e Zotit dhe mos iu nënshtro askujt pos Zotit, mos ju nënshtro horoskopit, mos ia jep zemrën horoskopit me ta shkatërru dhe me ta prangos, mos lejo me ra viktimë e propagandave anti-fetare, se vetëm sherrin ua sheh, ji vetvetja, beso në Allahun dhe mos adhuro askënd pos Tij, lutju Atij për çdo gjë, se Ai ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua, prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”. (Kur’an, kaptina nr.2, ajeti nr.186).

Mirëpo, o ju ithtarë të horoskopit, shpresat mos i humbni, sepse Ai gjithashtu po ju thotë: “Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’ua shlyejë gabimet e t’ju shpie në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj”. (Kur’an, kaptina nr.66, ajeti nr.8).

Mos humbni diçka që nuk arrihet vetëm se me besim të shëndoshë në Allahun, për një horoskop të pa vlerë, është budallaki e madhe të zgjohesh në mëngjes dhe drejt e tek të rejat e horoskopit për atë ditë!

Pra, edhe nëse ju mahnit horoskopi me të rejat e tij, të mos i besoni, vetëm njerëzit e ulët dhe të ligë zemrën ia dhurojnë horoskopit, ndërsa të mençurit zemrën e tyre e lidhin direkt me Allahun, Krijuesin e tyre, ata e besojnë Atë për të vetmin Zot, besojnë në njëshmërinë e Allahut në krijim, njëshmërinë e Allahut në adhurim dhe në njëshmërinë e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij të përsosura, ata nuk adhurojnë askënd tjetër pos Allahut, sepse faktikisht nuk e meriton askush, është turp dhe absurd i madh t’i orvatesh horoskopit, ku është besimi yt i vërtetë në Zotin e gjithësisë, ku janë dituritë e tua shkencore dhe fetare, ku është ndërgjegjja dhe arsyeja, ku gjenden tek ti këto nëse ti kapesh pas horoskopit, ku?!

Ti a dëshiron të jesh i suksesshëm në të ardhmen dhe të korrësh sukses në planet e tua, atëherë puno, mos u mbështet në horoskop, sepse ai të josh dhe mashtron, është gënjeshtar i madh, por ti puno, merri shkaqet që të ndihmojnë në realizimin e një projekti, i cili ta rregullon mirëqenien e së ardhmes, dhe në fund mbështetju Zotit se Ai të mjafton, mbështetju të Fortit, të Pasurit dhe të Gjithëmundshmit, lidhe zemrën fort me Të, merri shkaqet e mundshme, lutju sinqerisht Atij dhe të jetë kërkesa jote hallall, ashtu do të korrësh suksese, përndryshe ta dish se kurrë sukses nuk ke me pas nëse i referohesh dhe mbështetesh horoskopit, sepse mendoj që zemra jote nuk është aq e pavlerë sa t’i dorëzohet dhe gjunjëzohet horoskopit, sepse horoskopi nuk është shkencë dhe art, ai është askush-hiqi, atë e refuzojnë mendjet e ndriçuara, atij i mungon baza dhe i mungojnë argumentet, i mungon çdo vlerë çdo e vërtet, andaj, na dhimbsen disa musliman injorant, të cilët edhe duan të jetojnë dhe të vdesin si musliman duke e besuar Allahun, por edhe në anën tjetër zemrën, mendjen dhe preokupimin e tyre e lidhin edhe me horoskop, nuk mundet kështu, edhe uji edhe zjarri në një enë a munden?!

E vërtetë se sot horoskopit i bëhet një vend i veçantë në media, qofshin ato televizive apo të shkruara, pra, propagandimi i horoskopit është zgjeruar edhe nëpër media, kritikë mbi kritikë për ato media, cilat do qofshin ato, që i bëjnë vend horoskopit dhe me të ua prishin muslimanëve besimin në Allahun. 

I këshillojmë mediat televizive dhe ato të shkruara, qofshin edhe radio, që ta kuptojnë realitetin e horoskopit sa më shpejt dhe për interese të caktuara të mos lejojnë që të ndytet mediumi i tyre me përrallat horoskopike, se vAllahi, betohem në Allahun, e vërteta prej horoskopit është më larg se lindja prej perëndimit, andaj, edhe të gjithë dijetarët Islam në botë e konsiderojnë prej mëkateve shkatërruese.

A nuk ju kujtohet thënia profetike e mësuesit të njerëzimit, pejgamberit të Zotit, Muhamedit alejhi selam, i cili ka thënë: “Vërtet, çdonjëri nga ju formohet në barkun e nënës së tij katërdhjetë ditë si pikë, pastaj bëhet e varur ngjashëm me këtë periodë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periodë, pastaj i dërgohet meleku dhe i jep jetën (ia fut shpirtin), dhe këtij meleku i urdhërohen katër gjëra: ta shkruaj nafakën (riskun) e tij, exhelin – jetëgjatësinë e tij, veprat e tij që do t’i kryejë dhe a do të jetë i mjerë apo i lumtur.” (Hadith i vërtetë, transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Pra, qysh në barkun e nënës sipas mësimeve të Krijuesit tonë njeriut i caktohet fati i mirë apo i keq, këtë të vërtet na e jep Allahu, e jo horoskopi, s’kemi pse të lodhemi dhe preokupohemi së tepërmi në kërkimin e së ardhmes, ajo është e definuar nga Zoti, atë që e ka caktu Zoti për ty ka për të goditë, edhe nëse mbarë njerëzimi mundohen me ta largu, dhe atë që Zoti nuk e ka caktu për ty kurrë s’ka për të goditë, edhe nëse mbarë njerëzimi mundohen me ta sjellë, andaj, Allahu po thotë: “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar”. (Kur’an, kaptina nr.54, ajeti nr.49). 

Çka ka gisht horoskopi këtu?! Asgjë fare, e pse ta besojmë dhe t’i kushtojmë kohë kot … ?!

Mos u dorëzoni para sfidave të kësaj jete, këtu ti punon dhe nuk llogaritesh, e para Zotit kur të dalësh ditën e gjykimit s’ke për të punu, vetem se për t’u llogaritë, jeta është e tillë, e kurdisur në mënyrë të përsosur nga Zoti jonë. 

Jeto për hir të Allahut dhe ke me qenë i lumtur, horoskopi, plakë e shëmtuar nën një vello tërheqëse, kuptoje shëmtinë e tij sa më parë, para se me të skadu afati e me të ardhë momenti i vdekjes, si mendon ta takosh Allahun, i Cili të ka pajisur me të gjitha të mirat, e ti duke i besu horoskopit?!

Allahu po thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti përgëzoj durimtarët. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!” Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (Kur’ani, kaptina nr.2, ajeti nr.155-157).

Pra, nuk po na e cek Krijuesi jonë se në situata të caktuara duhet t’i referohemi bestytnive idhujtare, por Atij duhet kërku ndihmë duke qenë të durueshëm, dhe gjithmonë duke shpresu se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, andaj, o ju vëllezër dhe motra që deri dje ishit ithtarë të horoskopit, nga sot, a po ia jepni besën Allahut, Zotit, Krijuesit dhe Furnizuesit tuaj se do të bëheni adhurues të Tij, e jo të horoskopit, se paskeni qenë viktimë dhe gabimisht të informuar, se shejtani ka luajtur me ndjenjat e juaja, dhe se gjithashtu disa mediume ua kanë deviju të vërtetën, por ja që tash falë dhuntisë së Tij, e Ai ua don të mirën gjithmonë, ju erdhi vetëdijësimi dhe ja nga sot i besoni vetëm Allahut dhe nuk i bëni rivalitet në besim dhe adhurim, kërkoni falje dhe pendohuni te Ai sinqerisht se pa dyshim Ai që sa kohë po ju thërret të pendoheni dhe t’i kërkoni falje që t’ua falë, lidhni kontratë me Zotin, filloni një jetë të re, rregulloni raportet me Të, Ai do t’ua falë mëkatet dhe do të ju begatojë me të mirat e Tij të pashterrshme.

Le të jetë sot dita jote e re, me zemër të flladitur dhe të freskuar, larg nga ndryshku i besimit në horoskop, nga sot thuaj lamtumirë horoskopit e ktheju jetës reale, si duhet jetuar me Allahun.

Sepse horoskopi nuk të jep asgjë, lexoje ajetin kur’anor: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij”. (Kur’an, kaptina nr.24, ajeti nr.32). 

Kush tjetër pos Tij të furnizon, çdo të mirë e ke nga Allahu, ato janë të panumërta, që të gjitha për ty, e ti në vend se ta adhurosh Krijuesin, zemrën ia dorëzon shenjave budallaqe të horoskopit, kthjellu pak!

Horoskopit nuk i takon dituria absolute, ta kemi të qartë, nuk e meriton besimin tonë, Allahu po thotë: 

“Juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (Kur’an, kaptina nr.17, ajeti nr.85).

“Dituria e Tij përfshin çdo gjë”. (Kur’an, kaptina nr.20, ajeti nr.98).

“A nuk logjikoni?!” (Kur’an, kaptina nr.6, ajeti nr.32).

“Vërtet, Allahut i përket çdokush që gjendet në qiej dhe në tokë. E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota ortakë? Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë”. (Kur’an, kaptina nr.10, ajeti nr.66).

“Vetëm Allahut i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në qiej dhe çka në tokë, dhe se vetëm i Tij është i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi, e Ai është i Gjithfuqishëm për çdo send”. (Kur’an, kaptina nr.64, ajeti nr.1).

Andaj, ta ruajmë besimin, sepse Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kush shkon te një falltor dhe i beson çfarë thotë, ai ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit”. (Hadith Sahih, transmeton Buhariu).

Pra, të rrijmë sa më larg përrallave, iluzioneve, bestytnive, idhujtarive, falleve, magjive dhe besimeve të kota, përndryshe do të na merr pusi, ta dini se edhe horoskopi është një lloj falli i kotë që të fut në tunel të errët pa drita, i tëri është injorancë dhe gënjeshtër, andaj, o ju vëllezër dhe motra, ju mjafton për plan-program dhe katalog të jetës libri i Allahut, Kur’ani, aty është lumturia, suksesi, shërimi, pasuria dhe fitorja për çdo gjë, jashtë tij të humbër gjithmonë, Allahu ka thënë: “Në të vërtetë, ky Kur’an është këshillë për tërë botën!” (Kur’an, kaptina nr.38, ajeti nr.87).

Ju që s’jeni të martuar dhe s’keni fëmijë, kërkoni partnerin e jetës dhe pasardhës nga Allahu, ju që s’keni pasuri, kërkoni pasuri nga Allahu, ju që s’keni sukses, kërkoni sukses nga Allahu, e Ai do t’ju jap, nuk është koprrac, kërkoni gjithçka, mos e harroni Xhenetin, Ai për ju është kriju, atje është kënaqësia absolute, jetë e pafund, andaj, ta adhurojmë vetëm Allahun, Ai është Bujar, Ai gëzohet kur ti i kërkon Atij dhe kur Ai të jep, nga sot qasju jetës ndryshe, filloje ditën me emrin e Tij, organizoje jetën gjatë ditës me pesë kohë namaz, në mes të namazeve puno dhe vetëm puno, ke me arritë sukses dhe kanë me ta pas lakmi edhe të tjerët, ju kërkoj falje, ma bëni hallall, se ndoshta pak e kam zgjatur, shpresojmë të kemi përfituar të gjithë, takohemi inshAllah përsëri në temën e radhës, ju dëshiroj të gjitha të mirat e Allahut, me shpresë se çdo synim tonin ta mbështesim vetëm tek Ai.

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.

(Kur’an, kaptina nr.1, ajeti nr.4).

Es-Selamu Alejkum!

Autor: Labinot Kunushevci

Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH