Hoxhë Hfz.Idriz Dërmaku

Hoxha, veprimtari, veterani i davetit, Idriz Hydë Dërmaku u lind në fshatin Shipashnicë e Epërme komuna e Kamenicës në Kosovë më 15.11.1934. Rrjedh nga një familje fshatare e njohur si familje fetare. Është një nga tetë fëmijët e babait Hydë, respektivisht vëllai i tretë nga katër vëllezërit sa ishin. Ashtu siç ishte zakon i myslimanëve në këto treva, që t’i dërgonin fëmijët në xhami për të mësuar mësimet e para islame, edhe Idrizi i vogël i vijoi mësimet tek hoxha i fshatit mulla Ramadan Dërmaku që në moshën 6 vjeçare. Për një kohë të shkurtër u dallua nga bashkëmoshatarët e tij dhe përfundoi së lexuari Kur’anin (bëri hatme). Prirja e tij për dije, memoria e tij e fortë si dhe talenti që i kishte dhënë Allahu, i bëri familjen të interesoheshin edhe më tepër që Idrisi të mësonte. Kështu që në moshën 14 vjeçare mësoi përmendësh të tërë Kur’anin te mulla Ramadani në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Hafizi i ri, me zërin shumë të bukur filloi të bëhej imam në namazin e teravive në vende të ndryshme në territorin e Kosovës. Nga detyra e imamit që e kryente, u pa e nevojshme që hafizi i ri të komunikonte edhe këshilla islame. Në kërkim të shkollimit u drejtua tek hoxhallarë të ndryshëm për të kërkuar bashkëngjitje në ndonjë hallkë të mësimit, pasi medresetë mungonin. Në Tërnoc të Bujanocit, hoxha mulla Hysen Hyseni, i cili ende është gjallë, posa kishte mbaruar mësimet e tij te hafiz Nexhatiu në Preshevë dhe kishte hapur derën për të mësuar gjeneratë më të re në Xhaminë e Mesme në Tërnoc. Idrisi 17 vjeçar vijou mësimet aty ku mësoi gjuhën arabe dhe u aftësua që të kuptonte literaturën arabe, akiden, fikhun në mënyrë më eksplicite si dhe shkencat e tjera islame. Pas përfundimit të shërbimit dyvjeçar ushtarak, sa ishte në atë kohë, hafiz Idriz efendiu fillon edhe zyrtarisht detyrën e rregullt të imamit në fshatin Kopërnicë të Kamenicës, prej nga i vinte edhe e ëma e tij. Aty shërbeu 11 vite. Në vitin 1972 shkon për të shërbyer imam në Prejlep të Deçanit. Aty qëndron deri në vitin 1978. Prej Prejlepit shkon në Gjakovë në xhaminë “Mulla Jusuf” dhe shërben deri në vitin 1980. Prej Gjakovës transferohet në një regjion tjetër të Kosovës në Lap, ku deri në mars të vitit 1985 shërben si imam, hatib dhe mual-lim në xhaminë e Podujevës. Dhe në fund kthehet përsëri afër familjes dhe vije si imam në xhaminë e fshatit Roganë të Kamenicës ku shërben deri në vitin 1992. Për të qenë imam i rregullt, prej viteve të 70-ta, nevojitej diplomë e shkollës së mesme. Hafiz Idrizi edhe pse shkrim-leximin në gjuhën shqipe kishte arritur ta mësojë nga disa fëmijë që vijonin shkollimin në atë kohë, që ishin shumë të paktë, asnjëherë nuk ishte ulur në bankat e shkollës fillore. Për një afat shumë të shkurtër merr privatisht shkollën fillore dhe regjistrohet me korrespodencë në medresenë e mesme “Alauddin” në Prishtinë, e cila kishte filluar si shkollë e mesme pak vite më herët. Hoxha nuk pati vështirësi aspak të përfundonte provimet e parapara, pasi që mësimet private që i kishte marrë më herët në Tërnoc ishin shumë më të avancuara se sa plani dhe programi arsimor i medresesë “Aëlauddin”. Gjatë periudhës sa shërbente në dukagjin, hafiz Idizi shfrytëzoi rastin dhe kreu me sukses shkollën e lartë pedagogjike dega histori-gjeografi, në Gjakovë në vitin 1980, pra në moshën 44 vjeçare. Ky nivel i arsimimit, hoxhës i hapi horizonte të rëndësishme në dawet me botën intelektuale mu në valën e komunizmit. Me dinjitet shumë të lartë arriti të mbijetojë si thirrës në ato kohë kur feja ishte e ndaluar për masat e gjëra të popullit. Dashamirësia e mulla Idizit për dije dhe dijetarë, e bëri që të jetë i afërt me shumë personalitete të larta shkencore nga vendi dhe jashtë territorit të ish Jugosllavisë. Pati oferta nga nivele të larta, që të jetë nëpunës i lartë në aparaturën e qeverisë së Shqipërisë rreth viteve të 80-ta, por për shkaqe ideologjike nuk kishte pranuar të jetë pjesë e qeverisë në shtet komunist. Personalitete të larta intelektuale patën kontakte të shpeshta dhe marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me hafiz Idrizin, edhe pse kishte rrezik në periudha të ndryshme të shoqërohej me ta. Në vitin 1990 pas rënies së Lidhjes Socialiste në Kosovë, pasi që vëllavrasja dhe hakmarrja ishin të përhapura në mesin e qytetarëve të Kosovës, u morr iniciativa për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave, që kishin ndodhur në mesin e myslimanëve dhe ishte iniciativë tejet e suksesshme. Fama dhe autoriteti që kishte, nuk lë dyshim që hz. Idrizi duhej të ishte nga organizatorët. Nga këshilli iniciues u vendos që hoxhë Idrizi të ishte përfaqësues i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve për Anamoravë. Vlen të përmendet se transferimi i hoxhës nëpër shumë vise të Kosovës e bëri që të jetë i njohur në mbarë vendin. Më e rëndësishmja në jetën e tij prej thirrësi, falë përkushtimit të pazakonshëm ndaj diturisë si dhe dashurisë së flaktë dhe respektit, që kishte ndaj dijetarëve, ishte takimi dhe shoqërimi i hoxhës së mirënjohur nga Damasku (Istogu) shejhit Abdulkadir Arnautit. Shejh Abdulkadri vinte shpesh në Kosovë gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta me qëllim të dawetit. Pasi u takua hoxhë Idrizi me Abdulkadrin për herë të parë në vitit 1974, për vizitat e tjera të hoxhës nga Damasku, shtëpia e hz. Idrizit ishte bërë selia e tij në Kosovë. Nga ai kishte përfituar shumë në mësimet fetare dhe i kishte shfrytëzuar maksimalisht vizitat e tij në Kosovë. Këto marrëdhënie të mira në mes të tyre, bënë që të vizitohej shejh Abdulkadri edhe në Damask. Në vitin 1989 deri sa hz. Idrizi ishte nisur me veturë për në haxh, si kalimtarë me shoqëruesit e tij vizituan hoxhë Abdulkadrin. Kur vazhduan për në Mekke, shejh Abdulkadri e porosit që ta vizitojë hoxhën e madh, muftinë e Arabisë Saudite, shejhin Abdulaziz bin Bazin. Dhe kjo vizitë tepër e mrekullueshme u realizua, gjë që është në kujtimet e mira të hz. Idrizit gjatë tërë jetës së tij. Hafiz Idrizi shquhet me mençurinë e tij të rrallë. Ishte dhe vazhdon të jetë referencë e shumë njerëzve për shumë konsultime të rëndësishme. Fjalët e tij të urta, shembujt e shumtë nga jeta praktike, por mbi të gjitha shpjegimet e ëmbla të mësimeve islame, e joshin gjithmonë vizitorin për ndeja më të shpeshta. Edhe sot kur i ka kaluar 72 vite, është i papërtueshëm për të zhvilluar ndeja dhe biseda. Prezenca e tij në mexhlis, e ndryshon atmosferën rrënjësisht. Ka qëndrim dinjitoz dhe gjithmonë kur është ai zhvillohen biseda serioze dh të rëndësishme për shoqërinë islame. Serioziteti i tij, falë mjeshtërisë së tij dhe urtësisë që e posedon, nuk është monoton aspak edhe atëherë kur kalohen me të orë të tëra. Të gjithë e njohin si fanatik në mësimet islame, si njeri që nuk “falë” në kurriz të fesë. Disa bile nganjëherë e quajnë ekstremist. Nuk mbahet mend, të ketë qenë ndonjëherë i nevrikosur me njerëz për çështje personale. Ka një asketizëm të pahetueshëm në dynja. Nuk i bën aspak përshtypje pasuria e as gjëra të tjera nga bukuritë e kësaj bote. Kurrë nuk ngopet në ushqim. Ushqehet sa për të jetuar dhe kurrë nuk jeton në të ushqyer. Ka virtyte të larta të burrërisë. Oda e tij shquhet për gosti. I mërzitur ndihet, vetëm atëherë kur nuk ka mysafirë. Është i mirë për familjarët dhe i ndien shumë afër fëmijët. Është baba i 6 fëmijëve, dy djemve dhe katër vajzave.Djali i tij Muhamed Dermaku tash eshte duke magjistruar për fe në Liban.Të gjithë i ka orientuar ne fejen islame.Mundohen të jetojnë për islam e jo të jetojnë prej tij.Një njeri si Hafiz Idrizi veshtir qe mund te gjindet sot ne Kosove.