Rtv Pendimi

Hoxhë Iljas efendi Rrahmani

Mulla Iljas efendi Rrahmani lindi më 15.05.1923 në fshatin Sharban dhe pas dy viteve zhvendoset me familje në Prapashticë. I takon gjeneratës së fundit të nxënësve të Medresesë “Pirinaz” të Prishtinës. Mësimet e para i filloi në Mektebin e Keqekollës, për të vazhduar në Medresenë “Pirinaze” tek myderrizi i njohur Ahmet efendi Mardoqi, e pas Luftës së Dytë Botërore mësoi edhe në Medresenë e madhe të Gjakovës, tek alimi i njohur Fahri efendi Iljazi. Mulla Iljasi, si i ri mori detyrën e imamit, mualimit e hatibit në fshatin Prapashticë, për ta vazhduar në Majac e pastaj në Dumnicë të Llapit, dhe më vonë në Burim (ish-Istog) e Podujevë, ku edhe u pensionua me 1993. Edhe pas pensionimit, mulla Iljasi vazhdoi kontributin e tij si imam në qytetin jugor të Shqipërisë, në Vlorë. Gjithkund ku punoi, hoxha i nderuar dha një kontribut të çmuar në përhapjen e fjalës islame, prandaj gëzon një respekt të madh si në xhemat ashtu edhe ndër kolegët dhe hoxhallarët e rinj, për të cilët është një shembull se si duhet angazhuar në misionin e imamit. Hoxha ynë i dashur kontributin më të madh e ka dhënë në mbajtjen e mësim-besimit me të rinjtë, ku këtë mision e ushtroi nën trysninë e madhe të ish-sistemit të egër komunist. Mulla Iljasi veprimtarinë e tij ende e vazhdon në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku nga duart e tij kanë dalur me mijëra lexues të mirë të Kur’anit dhe shumë hoxhallarë të rinj. Në muajin Janar të vitit 2013 studenti i sociologjisë nga Prishtina Labinot Kunushevci intervistoi mulla Iljas Rrahmanin në klasën ku ai i mësonte nxënësit e tij dhe nga kjo intervistë nxori shumë kujtime, përvoja historike të hoxhës dhe mësime nga sfidat me të cilat qe ballafaquar mulla Iljasi dekada me radhë.

 

TË NGJAJSHME