Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Turqi për bashkëpunimin në fushën e arsimit

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit ka hyrë në fuqi pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë të datës 2 mars është publikuar vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë i datës 24 shkurt 2021 për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht për AA se marrëveshja në fjalë ka hyrë në fuqi pasi nuk ka nevojë për ratifikim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Qëllimi i marrëveshjes është të rrisë bashkëpunimin, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Fusha e bashkëpunimit sipas marrëveshjes përfshin nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit, shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim dhe kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit.

Gjithashtu përfshin edhe shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet, inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet dhe promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve.

Gjithashtu palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Sipas marrëveshjes, pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke. Gjithashtu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ndërkohë, Turqia do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

Gjithashtu dy vendet do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje dhe do të japin reciprokisht bursa.

Marrëveshja e cila do të mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare, është nënshkruar në Ankara, më 6 janar 2021, nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk.