Alkig - Muhidin Ahmeti

I dashur Mr. Muhidin Ahmeti! I nderuari Kryeimam i ALKIG-ut!

Ne mergimtarët gjithmonë i gëzohemi udhëtimit për në vëndlindje, por kësaj radhe gëzimin tim gjatë rrugës e mbuloi pikëllimi sepse morra lajmin për ndarjen tonë. Bashkarisht kaluam shumë kohë dhe realizuam shumë projekte. Derisa ti udhëhiqje Unionin unë isha pranë teje argat i yti e kur unë udhëhoqa atë ti ishe këshilltari më i afërt i imi. Unë po udhëtoja për në vendlindje njëkohësisht ti paske udhëtuar për ahiret. Ti fizikisht po ndahesh nga ne por mesazhet tua na mbesin përgjithmonë. Ti u transferove në ahiret kurse veprat tua do të na shoqërojn neve përjetë. Gjatë ramazanit e ndiem thellë mungesën tënde dhe u lutëm që të na bashkangjitesh sa më shpejt, por Allahu këtë nuk e paska bërë kismet. Ne asnjëherë nuk do të harrojm, se herët apo vonë atje tek ti do të udhëtojm.

I dashur Muhidin, sëmundja të gjeti në momentet kur ti ishe intenzivisht duke punuar për xhaminë dhe ALKIG-un, prandaj lutemi që Allahu xh.sh. të të shpërblej me gradën e dijetarëve dhe shehidëve sepse asnjëherë nuk u ndale të punosh për fe e atdhe.

Ne jemi të pikëlluar sepse humbëm një shtyllë të ALKIG-ut dhe një kolos të dijes, por do të pajtohemi me caktimin e Allahut sepse ne jemi të Tij dhe tek Ai do të kthehemi.

Allahu të shpërbleft me xhenetet e premtuara.

Vahidin Beluli
Kryetar i ALKIG-ut