I nderuar hoxhë! Nganjëherë futem në mendime të thella lidhur me Allahun xh.sh.. Çfarë duhet të bëj atëherë?

Pyetja: I nderuar hoxhë! Nganjëherë futem në mendime të thella lidhur me Allahun xh.sh.. Çfarë duhet të bëj atëherë?

 

Përgjigjja: Kësaj i thonë cytje nga shejtani i mallkuar, ves ose ngacmim.

 

Këtë e bën i mallkuari ngase e di që muslimani nuk kthehet nga Islami në kufër, ose është i dëshpëruar nga muslimanët sepse ata adhurojnë Allahun. Në pamundësi për t’i larguar nga besimi, në pamundësi për t’i ndaluar nga namazi, ai mundohet së paku të mos i lërë rehat duke e bërë këtë me ngacmime e cytje, qoftë në namaz apo jashtë tij.

 

Në hadithin e Ebu Hurejrës r.a. ka ardhur se i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shejtani i vjen ndonjërit prej jush dhe e pyet: ‘Kush e ka krijuar këtë? Kush e ka krijuar këtë?’  Derisa ta pyesë: ‘Kush e ka krijuar Zotin tënd?’  Andaj, atij që i ndodh diçka e tillë, le të kërkojë strehim (mbrojtje) tek Allahu dhe le ta ndërpresë (t’i flakë tej ato mendime)”.[22]

 

Ebu Hurejra gjithashtu transmeton se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shejtani i vjen ndonjërit prej jush dhe e pyet: ‘Kush e ka krijuar këtë? Kush e ka krijuar këtë?’  Derisa ta pyesë: ‘Kush e ka krijuar Zotin?’  Andaj, atij që i ndodh diçka e tillë, le të thotë: Amentu bil-lah (kam besuar Allahun)”.[23]

 

Kjo nënkupton se shejtani i mallkuar nuk e fillon futjen e dyshimeve nga Allahu xh.sh., në të besuarit në Të, por fillon dalëngadalë, p.sh. duke thënë: ‘Kush e ka krijuar njeriun? ‘Ti në vetvete thua: -Zoti. Pastaj ai të thotë: ‘Po qiellin kush e ka krijuar?’ Ti sërish thua me vete: ‘Zoti’. Kështu vepron me radhë, pyetje pas pyetjeje derisa të të pyesë: ‘Po Zotin, kush e ka krijuar?’

 

Kur ta ndiesh këtë, thuaj: ‘Kam besuar Allahun xh.sh.’ (amentu bil-lah), ose thuaj: ‘Eudhu bil-lahi minesh-shejtani rraxhim’ (kërkoj strehim e mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar) dhe shejtani i mallkuar largohet me emrin e Allahut.

 

Vlen të ceket se këto cytje janë edhe shenja të imanit, apo të besimit, tek personi në fjalë, sepse vetë fakti që shejtani po e ngacmon tregon se ai ka iman, ndërsa shejtani mundohet t’ia humbë atë iman, siç kanë thënë se hajduti nuk hyn në shtëpinë e zbrazët. Për këtë arsye kur është pyetur Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] për cytjen ka thënë: “Ajo është iman i qartë”.[24]

Madje në bazë të kësaj, varësisht se sa i përballon njeriu cytjet e shejtanit, njerëzit ndahen në besimtarë dhe në jobesimtarë. Edhe vetë besimtarët ndahen në besimtarë të fuqishëm dhe në besimtarë më të dobët.

 

Ndërsa Aliu r.a. ka thënë: “Namazi në të cilin nuk ka cytje (nga shejtani) është namazi i të krishterëve dhe hebrenjve.”[25]

 

Prandaj nuk duhet të merakosesh shumë, sepse këto cytje i vijnë apo i ndodhin shumëkujt, për të mos thënë çdokujt, mirëpo me mbështetjen në Allahun dhe me kërkimin e mbrojtjes nga Allahu, atij i largohen ato cytje me emrin e Allahut xh.sh..

Allahu e di më së miri.

 

 

 

[22] Buhariu, nr. 3276; Muslimi, nr. (134) 214.

[23] Muslimi, nr. (134) 212.

[24] Muslimi, nr. (134) 211.

[25] E ka cekur autori në Mishkat el-Mesabih, 1/241, Tuhfetu el-Ahvedhij, 6/315.

 

Marrë nga libri: FETVA 1, (fq. 43-45)

 Autor: Dr. Shefqet Krasniqi