i-panjohuri-lorena-stroka

I PANJOHURI DHE “I BIRI IM RA’DI”

Letrën time po ta lë pranë vetes sate, ashtu që të argumentosh me të, kur t’i këshillosh njerëzit.

Këto ishin fjalët e fundit në letrën e tij të gjatë që ma dërgoi, ku në të e rrëfeu tregimin e tij me gjynahun që e shoqëroi dhe për shkak të tij u godit me shumë zarare.

Letra e tij më shqetësoi. E vërejta kujdesin e tij që problemin ta shfrytëzonte në dobi të të tjerëve. Ky ishte kulmi i asaj që ai e posedonte. Ndoshta rrëfimin e tij do ta dëgjojë një i zhytur në baltën e gjynaheve, apo një i humbur në pakujdesi e të jetë shkak për udhëzimin dhe shpëtimin e tij. Në këtë mënyrë do ta marrë shpërblimin e atij që udhëzohet pa i pakësuar këtij të fundit nga të mirat e tij.

Kështu më thoshte vetja në momentin që e lexova letrën, se ndoshta do të lërë gjurmë te dëgjuesi rrëfimi i tregimit të tij. Rrëfimet e luajnë rolin e vet në shpirtra. Më tërheqës dhe me ndikim rrëfimi bëhet kur gjenden gjëra të pazakonta në të.

Iu ktheva edhe një herë rrëfimit në letër. E vërejta që i mungonin rregullat e thjeshta të logjikës. Autori i letrës ose vuante nga psikopatia, ose nga mendjeshkurtësia. Apo ndoshta e kishte fabrikuar rrëfimin të ma mbushte mendjen dhe ta nxirrja në pah cekëtinën e disave që lajkatohen dhe mashtrohen lehtë në pranimin e çdo rrëfimi, që më vonë me të t’i këshillojë njerëzit.

Disa vite më vonë më takoi një djalë i ri në xhaminë e Pejgamberit g në Medine. Nisi ta tregonte të kaluarën e tij të keqe dhe si Allahu e udhëzoi në rrugë të drejtë. Më herët kishte qenë në kontakte të ndaluara fetarisht me disa femra. Më tregoi që kishte shkuar edhe në shtëpinë e njërës prej tyre, që fisi i saj njihej për ndershmëri, e kishte mirëpritur prindi i saj te dera dhe djali kishte kërkuar prej tij ta takonte vajzën. Prindi e thirrte vajzën e vet, i linte ata të dy vetëm të vazhdonin dhe pastaj dilte jashtë. Ky ishte një rast prej rasteve, kishte edhe shumë të tjera të ngjashme.

Bisedën e përfundoi me fjalët se këto përjetime po m’i dhuron që unë t’i përdori për këshillimin e njerëzve. Pas këtyre fjalëve, nuk m’u desh shumë kohë të mendoja për palogjikshmërinë e këtyre rasteve e, sidomos, kur përsëriten.

– E kuptoj që mund të ndodhë diçka e pazakontë te çdo rast, mirëpo përsëritja e çudirave dhe gjërave të jashtëzakonshme te një person i njëjtë, e pakëson mundësinë e besueshmërisë apo pranimit të rastit si i veçantë.

Ndërsa “i biri im” Ra’di, ashtu si e emërtonte veten ai që më kontaktonte, ndodhia e tij ishte e vërtetë. Kapitujt e përjetimeve të tij i përjetova një nga një, bashkë me të dhe me vëllanë e tij, i cili ishte mendjehollë dhe fetar. Ra’di ishte një djalë i ri i dashur dhe kishte mendim të mirë për të tjerët, bile të tepruar pakëz. U mundua një i degjeneruar ta mashtronte dhe ta trembte me rrëmbim. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mia që ta bindi se ai është një rrenacak i cili nuk posedonte asnjë aftësi të jashtëzakonshme, Ra’di i besoi trembjes së atij krimineli dhe pretendimeve të tij se ai posedonte aftësi të jashtëzakonshme. Kjo e çoi të provonte të vetëvritej. Me shumë vështirësi e shpëtuan, megjithatë vuajtjet e tij nuk përfunduan këtu.

M’u lajmërua vëllai i tij të më tregonte se Ra’di kishte pësuar infarkt në zemër dhe kishte ndërruar jetë. Ma kishte lënë amanet këtë letër:

Nuk di me cilat fjalë t’ia filloj letrës. Unë jam Ra’di, jam 17 vjeç, mësoj në shkollë të mesme në drejtimin shkencor. Po e shkruaj këtë letër, ndërsa lotët e mi po ua tejkalojnë shkronjave të mia. Për këtë jetë nuk po ndiej ëmbëlsi. Zemra po ma ndien se vdekjen e kam më afër. Nisa ta urrej ndejën me njerëz, e zbulova që ata ishin njerëz me zemra të sëmura dhe të prishura, ndërsa zemërmirët ishin pak në këtë kohë. Në letër i vendosa disa foto të miat të më kujtosh dhe të lutesh për mua. Unë jam “i biri yt” Ra’di. Tani e kam një ndjenjë se jeta po më përfundon, por ajo që tani më gëzon dhe më mjafton është se u largova nga ajo kafsha e mallkuar. Ma bëj hallall, o hoxhë i dashur, se të kam lodhur shumë!

Bënte shaka njëri prej nxënësve të mi dhe më thoshte: “Pse nuk e tregon këtë ngjarje? Sikur t’i kishte ndodhur dikujt tjetër, për të do të ishte gjah i shtrenjtë dhe rastin do ta përdorte më ndryshe.”

I thashë: Nuk është kusht që njerëzit ta pranojnë çdo gjë që ti e beson se është e saktë. Nuk është prej urtësisë që prej një rrëfimi të krijosh betejë, e cila njerëzit do t’i shpërqendrojë nga thelbi i temës dhe nga qëllimi i argumentimit. Madje, ndoshta kjo mund të çojë deri në atë shkallë saqë folësi të akuzohet për gënjeshtër me qëllim, i cili pretendon të arrijë deri te fama dhe nami.

Tregimi i ngjarjeve jo çdoherë dhe çdo kohë qortohet. Si të ndodhë kjo kur Libri i Allahut (Kurani) është i mbushur me rrëfime. Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij g t’i tregonte ngjarjet e Kuranit, duke i thënë: “…Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (El-Earaf: 176)

Kur u përhap dukuria e kallëzimtarëve të tregimeve, dijetarët e selefit e trajtuan këtë dukuri me baraspeshë dhe drejtësi. Ibn el-Xheuzij e përmblodhi qëndrimin e tij karshi kallëzimtarëve të tregimeve me fjalët: “Nga mashtrimi i Iblisit që u bën fukahave (dijetarëve të jurisprudencës islame) është t’ua zbukurojë qëndrimin kritik ndaj vaizëve (atyre që japin këshilla dhe kallëzimtarëve) dhe t’i pengojnë të prezentojnë në ndejat e tyre. Ata thoshin: ‘Kush janë këta, kallëzuesit e tregimeve?!’ Synimi i shejtanit është që ata mos të marrin pjesë në ato vende ku zbutet dhe përulet zemra. Kallëzuesit e tregimeve nuk qortohen për shkak të emrit të tyre, sepse Allahu thotë: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur…” (Jusuf: 2), dhe po ashtu thotë: “…Tregojua atyre këto ngjarje…” (El-Earaf: 176), por qortimi vjen sepse shumë prej tyre zgjerohen në rrëfimin e tregimeve, pa treguar dijeni të dobishme. Pastaj shumica e tyre i ngatërrojnë tregimet, apo ndodh nganjëherë të bazohen në ngjarje që e pamundur është të ndodhin. Megjithatë, nëse ngjarja është e vërtetë dhe në rrëfimin e saj ka dobi, atëherë ajo pëlqehet. Imami Ahmed ibn Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thoshte: ‘Njerëzit kanë nevojë për kallëzues të sinqertë të ngjarjeve.’!”[1]

Imami Ahmed ibn Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Më mahnit puna e kallëzuesve të ngjarjeve, sepse ata na e kujtojnë mizanin (peshoren ku do të maten veprat në Ditën e Kiametit) dhe dënimin e varrit.”[2]

– Rastet e mëhershme më mësuan se nëse ti je i bindur në vërtetësinë e asaj që e thua dhe je i sigurt në atë që ke arritur si konkluzion, nuk mjafton për ta justifikuar të folurit tënd për një çështje të caktuar, apo të bazosh mbi të një ngjarje prej ngjarjeve. Ky kusht është i domosdoshëm, megjithatë nuk mjafton. E pamundshme është t’i iket pyetjeve shumë të rëndësishme: A ka dobi të flas për rastin dhe ta rrëfej atë? Si do ta presin njerëzit?

Njëri prej tyre më tha: “Ndoshta ngjarja mund të jetë e saktë, sepse jo patjetër çdo gjë që duket e palogjikshme, është gënjeshtër.”

Iu përgjigja: Merre që është e vërtetë, por, prapëseprapë, sa njerëz kur do ta dëgjojnë, do ta refuzojnë?

Tha: “Ndoshta janë më shumë se ata që do ta pranojnë.”

I thashë: Po qe se njerëzve u flet për ndonjë ngjarje që e ke ndier dhe vetë e ke përjetuar në lëkurën tënde, a nuk do të ketë prej tyre që prapë do të të akuzojnë për gabim e, ndoshta, për shtim apo pakësim në tregimin e ngjarjes?

Selefi (gjeneratat e para të drejta) ishin të vetëdijshëm dhe kujdeseshin për realitetin e njerëzve kur flisnin me ta. Aliu h thoshte: “Foljuni njerëzve me gjuhën që e kuptojnë. Ju a po doni të kundërshtohet Allahu dhe Pejgamberi i Tij g?”[3]

Hisham ibn Urve, Allahu e mëshiroftë, tregon: “Babai im më tha: ‘Dije se secilën herë që i flet ndonjërit me dituri që mendja e tij nuk e kupton, kjo për të do të jetë devijim dhe humbje’.”[4]

Ebu Kilabe, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Mos i fol ndonjërit me fjalë që nuk i kupton, sepse atij do t’i bëjnë dëm dhe jo dobi.”[5]

– Po ashtu, mësova se dëgjimi i bisedës me vëmendje, mund të t’i hapë disa dyer që më herët karshi tyre ishe i pavëmendshëm, ndërsa rishikimi i gjërave dhe meditimi rreth saj të zbulon gjëra që të kanë ikur në momentin e parë.

Kjo nuk përkufizohet vetëm te bisedat që flasim me to para njerëzve, ngase shumë prej gjërave që vendosim t’i veprojmë në jetën tonë, pasi mendojmë më thellë rreth tyre, na duken më ndryshe se herën e parë. Ndoshta jemi nisur ta pranojmë një çështje apo ta refuzojmë, por pas një apo dy ditëve, na është dukur që më e mira është e kundërta e asaj që e kemi menduar në fillim.

Për këtë arsye arabët e tërhiqnin vëmendjen prej mendimit të të papjekurit (në gjuhën arabe el-fetir), për të cilin dijetari i gjuhës arabe Ibn Mendhur thotë: “Ai i cili ngutet në kuptimin e çdo gjëje llogaritet ‘el-fetir’ (i papjekur tamam). Thuhet: Ruhu nga mendimi i të papjekurit e për këtë shkak ka ardhur thënia e njerëzve se mendimi i të papjekurit është sherr.”[6]

[1] Telbisu Iblis, Ibn Xheuzij (fq. 110-111).

[2] El-Kasasu uel mudhekkerin, Ibn el-Xheuzij (fq. 174).

[3] Buhariu (127).

[4] Xhami’ bejanul ilmi ue fadlihi, (fq.889).

[5] Xhami’ bejanul ilmi ue fadlihi, (fq.890).

[6] Lisanul Arab (5/59).

 

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”