b2ap3_large_scientific_miracles_in_quran-1-990x556

I RIU GJERMAN QË E PRANOI ISLAMIN

Një i ri mysliman vendosi të studiojë jashtë shtetit të tij dhe si vend për studimet e tij të ardhshme e zgjodhi Gjermaninë. Pasi që arrin në Gjermani, vendoset me një banesë ku si fqinj e kishte një të ri gjerman. Lidhja mes tyre ishte vetëm një lidhje fqinjësie, jo më tepër.

Pas një periudhe, i riu gjerman udhëton papritmas, kurse shpërndarësi i gazetave për çdo ditë ia vendoste gazetën para derës së tij. I riu mysliman, kur e vërejti se gazetat shtohen për çdo ditë para derës së fqinjit të tij, u interesua për të dhe u lajmërua se ai kishte udhëtuar.

I mori gazetat dhe i palosi në një raft të posaçëm. Për çdo ditë e merrte gazetën dhe e paloste në raft dhe i tubonte në një vend. Kur u kthye fqinji i tij pas dy apo tre muajve, i riu mysliman e përshëndeti dhe e përgëzoi për arritjen e tij me shëndet të mirë dhe ia dorëzoi të gjitha gazetat e tubuara dhe i tha:

– U frikova se je duke e përcjellë ndonjë artikull apo merr pjesë në ndonjë kuis dhe doja që të mos humbë asgjë nga informatat.

I riu gjerman filloi ta shikojë habitshëm dhe të çuditet nga përkujdesja e tij dhe i tha:

– A do të shpërblehesh apo do ndonjë shërbim për këtë vepër që e bëre?

I riu mysliman iu përgjigj:

– Jo. Neve feja na urdhëron në mirësi ndaj fqinjit, e ti je fqinji im dhe unë e kam patjetër të të bëj mirë!

Ky i ri mysliman e vazhdoi bamirësinë e tij ndaj fqinjit të vet edhe më tutje, derisa i riu gjerman e pranoi Islamin dhe u bë mysliman.

E tha të vërtetën Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kur tha: “Bëhuni thirrës të fesë së Allahut duke qenë të heshtur!” I thanë: “E si është e mundur kjo?” U përgjigj: “Me moralin dhe sjelljen tuaj.”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU