I RRITURI NË BOTËN E FËMIJËS

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të) i donte shumë nipat e vet, Hasanin dhe Husejnin, lozte me ta, madje i lejonte ti hipnin në shpinë edhe duke qenë ai në namaz. Këtë e bënte në shtëpi por edhe në publik. Me bashkëshortet e veta sillej me shumë kujdes, dashuri dhe butësi. Në botën intime ishte shumë i sjellshëm dhe romantik, në kulminacionin e mirësisë dhe shembëlltyrës. Është transmetuar, madje, se me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) kishte bërë garë në vrapim dhe atë më tepër se një herë.
Kjo tregon se, me gjithë madhështinë e personalitetit dhe seriozitetin e misionit, ai i bekuar (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të) gjente mundësinë dhe kohën që familjarëve tu ofronte ngrohtësinë e nevojshme. Afrohej me botën dhe nivelin e tyre ashtuqë bëhej shumë i afërt, u ofronte të gjithëve mundësinë të përjetojnë një prekje të shpirtit, një inspirim të padiktuar. Mu për këtë arsye, secili shok i tij ndjente se e kishte kujdesin maksimal dhe sikur thonte ndonjëri prej tyre: Mua më do më shumë prej të gjithëve i Dërguari i Allahut.
Dijetarët thonë se njeriu i pjekur kur shkon në shtëpi, autoritetin duhet ta lëjë në një qoshe të shtëpisë, të zhvishet nga e gjithë ngarkesa e seriozitetit të jetës dhe me familjarët të komunikojë nga niveli i tyre e jo nga niveli i tij. Në këtë mënyrë do të jetë në gjendje që familjes (bashkëshortes) ti dhurojë kujdesin dhe ngrohtësinë që e meriton, ndërsa kur është me fëmijët e vet duhet të jetë qenie me përmasa të të rriturit që futet në botën e fëmijës.

Hoxhë Ekrem Avdiu