O muslimanë!
Frikojuni Allahut, mos harroni se jeni duke jetuar në një botë kalimtare ku statusi i juaj në të është ai i mysafirit dhe se tek Allahu është kthimi i vërtetë. Tani jemi në prag të muajit Dhul Hixhe, muaj madhështor i cili në vete përmban shumë begati e merita dhe adhurime të llojllojshme. Dhjetë ditët e para të këtij muaji Allahu i theksoi në Kur’an duke thënë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhe)!” (El-Fexhr: 1-2)
Imam Buhari, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes”. Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në xhihad?!” Profeti, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “As pjesëmarrja në xhihad, përveç një burri i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.
Në një transmetim tjetër: “Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë”. Shokët e tij, të çuditur e pyetën: “Edhe se pjesëmarrja në xhihad, o i Dërguar i Allahut?!” Profeti, salallahu alejhi ue selem, ua ktheu: “Përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.
Këto dy hadithe, janë tregues se dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit pa përjashtim, madje janë më të mira edhe se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, pasi në to gjendet nata e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kështu, kuptohen më mirë hadithet dhe vlerat e secilit sezon.
Po ashtu hadithet na mësojnë se veprat që kryhen në dhjetë ditët e para të këtij muaji janë më të dashura tek Allahu se sa veprat e ditëve të tjera të çdo muaji, dhe se këto ditë janë më të mira se lufta në rrugë të Allahut, duke e bërë përjashtim këtu luftën në të cilën burri del me veten dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën. I vetmi ky lloj i luftës në rrugë të Allahut është më me vlerë se sa dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe.
Allahu në këto ditë e preferoi agjërimin duke e përjashtuar këtu ditën e dhjetë, për shkak se ajo është dita e Kurban Bajramit. Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, katër gjëra nuk i linte kurrë: “Agjërimin e Ashuras (ditës së dhjetë të Muharremit), agjërimin në dhjetë ditët e Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para sabahut”.
Në këto ditë po ashtu preferohet shpeshtimi i përmendjes së Allahut, falënderimi i Tij, madhërimi i Tij dhe është mirë që të ngritët zëri gjatë përmendjes së Allahut nëpër tregje . Allahu, azze ue xhel, thotë: “të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara.” (El-Haxh: 28)
Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon prej Ibën Omerit dhe Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se ata dy dilnin në tregje, e madhëronin Allahun me tekbire dhe njerëzit e madhëronin se bashku me ta.
Tekbiret janë Sunet të thuhen gjatë tërë ditëve të dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes dhe ditëve të bajrameve, në çdo kohë. Kurse në mëngjesin e ditës së Arafatit, pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë është sunet pas çdo namazi t’i këndojmë tekbiret pas namazeve të detyruara (farze). Forma e tekbireve është: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu uallahu Ekber. Allahu Ekber ue lilahil hamd”.
Pasi që secili njeri nuk mundet të shkojë në Haxh, Allahu ia zëvendësoi robit Haxhin me këto ditë të bekuara e të vlefshme, dhe e mësoi se veprimi i punëve të mira në to ia tejkalon në shpërblim edhe luftës në rrugë të Allahut. Në këto ditë bie dita e Arafatit e cila është dita më e mirë. Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dita më e mirë është dita e Arafatit”. Agjërimi i kësaj dite është shkak për faljen e mëkateve të vogla të vitit të kaluar dhe atij që e pason. Është pyetur Profeti, salallahu alejhi ue selem, për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”. Po ashtu thoshte, salallahu alejhi ue selem: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të mi falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”
Kjo ditë pëlqehet të agjërohet nga ai i cili nuk është në Haxh, ndërsa haxhiu nuk duhet ta agjërojë për arsye se atë ditë duhet të jetë i fortë që ta adhurojë Allahun më tepër, ta përmend më tepër, të lutet më tepër, se ajo ditë është ditë e faljes së gjynaheve dhe lirim prej zjarri. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti nga zjarri i Xhehenemit se dita e Arafatit, Allahu u afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para melaqeve dhe thotë: “Çfarë dëshirojnë ata?!”
Ibën Abdulberri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, për shkak se Allahu nuk lavdërohet me gabimtarët dhe mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes”.
Gjithashtu, Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, transmeton se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek Allahu se dita e Arafatit. Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit”. Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Allahu i Lartësuar lavdërohet me ata që qëndrojnë në Arafat tek engjëjt dhe thotë: “O melaqet e Mia, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar”.
Profeti, salallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).
Në këtë muaj të begatshëm bie edhe dita e Kurban Bajramit, e cila njihet edhe si dita e Haxhit të Madh. Në këtë ditë haxhilerët e plotësojnë Haxhin e tyre, pasi që qëndruan në Arafat, i therin kurbanët, i gjuajnë gurët, i rruajnë ose i shkurtojnë flokët, e kryejnë Tavafin në Qabe, ecin mes Safës dhe Meruas, ndërsa muslimanët anekënd botës e falin namazin e Bajramit dhe e përmendin Allahun.
Në këtë muaj të begatshëm bien edhe ditët e ashtuquajtura “të caktuara”, të cilat janë ditët e qëndrimit në Mina. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Profetit, salallahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut”.
Këto ditë janë ditët e numëruara, të caktuara, të cilat i thekson Allahu në Kur’an: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”. (El-Bekare: 203)
Këto tre ditë janë pas ditës së Bajramit, preferohet në to përmendja e Allahut, duke filluar prej tekbireve të caktuara pas çdo namazit të detyruar, pastaj përmendja dhe madhërimi i Allahut gjatë prerjes së Kurbanit, gjatë gjuajtjes së gurëve, gjatë ngrënies dhe pirjes, e kështu me radhë.
Në përgjithësi muaji i Dhul Hixhes është muaj i adhurimeve të llojllojshme, muaj i begative të ndryshme, është muaj prej muajve të Haxhit ku ndalohen luftërat dhe në këtë muaj kryhet Haxhi në Qabe.
Prandaj, o muslimanë, falënderoni Allahun për këtë begati të madhe, shfrytëzoni mirësitë e saj dhe mos u bëni prej të shkujdesurve.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!” (El-Bekare: 198-203)
O muslimanë!
Frikojuni Allahut dhe dijeni se agjërimi i ditëve të Caktuara (tre ditëve pas Bajramit) është i ndaluar. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë të ndaluara për agjërim. Ato janë ditë të ngrënies dhe pijes”.
Në një transmetim tjetër: “Dita e Arafatit, dita e Bajramit dhe ditët e Teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pijes”.
Në ndalesën e agjërimit të këtyre ditëve gjejmë urtësi të madhe. Allahu, azze ue xhel, duke i ditur vështirësitë e haxhiut që i përjeton gjatë udhëtimit, lodhjet e tij gjatë periudhës së qëndrimit në Ihram, pastaj luftës shpirtërore dhe asaj trupore gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, ia ligjësoi atij qëndrimin në Mina, ditën e Bajramit dhe tre ditë pas saj, që të jetë për haxhiun pushim, të han e të pinë në to, për shkak se ai është mysafir i Allahut dhe është në gostinë e Tij.
Ata i shoqërojnë edhe muslimanët tjerë anekënd botës të cilët nuk janë pjesëmarrës të Haxhit, për shkak se ata iu bashkëngjitën haxhilerëve në dhjetë ditët e para të muajit, me agjërim, me lutje, me përmendje të shpeshtë të Allahut, me tekbire, me afrim kah Allahu me therje të kurbanit në ditën e Bajramit. Të gjithë morën pjesë në faljen e Bajramit, në ritet e tij, atë ditë u ushqyen dhe pushuan prej lodhjeve të agjërimit, kështu që të gjithë muslimanët morën pjesë në gostinë e Allahut.
Këto ditë muslimanët hanë dhe pinë prej furnizimit të Tij, e falënderojnë për të mirat e Tij, prandaj edhe ndalohen prej agjërimit të këtyre ditëve.
E lus Allahun, azze ue xhel, të na mundësojë agjërimin e këtyre ditëve, po ashtu lehtësimin e veprimit të adhurimeve dhe faljen e mëkateve.
Dr. Salih El Feuzan
Nga arabishtja: Irfan JAHIU