Ideografia Halloween

Nga Redi Shehu

 

Aspak e habitshme per dikë, por shumë e çuditshme ama për shumë të tjerë, ishte shfaqja intensive e festimit të importit të radhës tashmë jo në fushën e produkteve industriale, por produkteve të industrisë së kulturës dhe imazhit të quajtur  Halloween. Ajo që në fakt ka infektuar të ashtuquajturat shoqëri postmoderne, është risjellja e të shkuarës historike të atyre vendeve në formatin ku legjenda, mite, bestytni të asaj kohe, sillen për të mbushur vakumin shpirtëror që të lë modernizmi, në një design hollywood-ian me kulminacion shprehës të fokusuar mbi triumfin historicist të së mirës ndaj së keqes. Për këtë arsye, buxhete marramendëse të produksionit të filmave me tema të tilla, ku që nga lashtësia e mesjeta, që nga “Hercules” e deri tek“The Lord of the Rings”, përpiqen të iluminojnë të shkuarën problematike të atyre vendeve duke e trajuar trashëgiminë kulturore, me ose pa problemet e veta, në mall tregu e konsumi, i cili për t’i rrezistuar konkurencës, do të duhej të shoqërohej doemos me hiperbolën dhe ekzagjerimin.

 

Parë në këtë këndvështrim,  praktika të tilla kulturore në momentin që futen në botën e tregut, dalin nga koherenca e tyre historike, qoftë edhe në kotësinë e vet, dhe projektohen si imazhe e simbole të një realiteti i cili kërkon të komunikojë me të tashmen vet përmes një gjuhe ikonash të së shkuarës. Për këtë, është e nevojshme që industria e imazhit e përmbledhur në Ideografinë, pra në ideologjinë të shprehur përmes grafikës, të komunikojë me të tashmen e dështuar të modernitetit në përpjekje për ta rimodeluar atë. Mirëpo, këtu ka një problem, ristrukturimi apo meremetimi i humnerave të modernitetit kërkohet të bëhet me mjete dhe mekanizma po të modernitetit, i cili në fund të fundit në vend që të prodhojë një ilaç shërues, përmes ideografisë aliene, i konfuzon më tej shoqëritë e veta.

 

Edhe Halloween, një soj feste, e cila për herë të parë shkëputet nga gëzimi si produkt festiv e që futet në psikologjinë  çuditshme të të festuarit përmes frikës, ka ardhur tek shqiptarët së pari përmes ideografisë hollywood-iane, ku filma pafund, transmetonin audiencës pasazhe të mënyrës së si kjo ngjarje zhvillohej në ato vende. Në sajë të aftësisë kapërcyese kulturore që mediat emetojnë, proçesi i parë i familjarizimit tonë me këtë festë, filloi pikërisht, kur bestytnitë e së shkuarës u trajtuan si mall tregu kinematografik duke injektuar një standart kulturor krejtësisht të ri për praktikat tona të përditshme. E në fakt, kjo soj profilaksie e kulturës së imazhit, është zgjidhja me të cilën shoqëritë moderne, që në të njëjtën kohë janë edhe liberale ngase liberalizmi për ta merr kuptim vetëm përmes modernitetit, kanë aplikuar për të sendërtuar një konstrukt apo arketip social si modeli i zhvillimit.

 

Ajo që është aspak e habitshme, është se edhe tek ne, gjurmë të ideografisë së kulturës së imazhit modern të gjejnë terren në thurjen sociale shqiptare, për arsye se fati ynë i paracaktuar politikisht është keqkuptueshëm i sanksionuar të jetë vetëm me shfaqjet më utilitare të shoqërive moderne pa hyrë dhe marrë aspak nga elementet e  tyre pozitive. Por, ajo që është e habitshme për shoqërinë shqiptare, është fakti i institucionalizimit të kësaj ideografie në sistemin arsimor shqiptar. Shkolla të tëra në të gjithë republikën, me urdhër të Drejtorive Arsimore Rajonale, kishin porositur të gjithë nxënësit të blinin maska se do të celebrohej në ambientet e shkollave “festa” e Halloween.

 

Këtu ka disa probleme mendoj thelbësore kur bëhet fjalë për sistemin arsimor. Së pari, nxënësit dhe prindërit vazhdojnë të konsiderohen me frymën e “diktaturës së proletariatit” e cila sanksiononte shijet estetike të Partisë si dhe axhendën e saj, masave kokëulura. Ashtu siç festat dhe simbolet e më të fortit të kohës mbushnin koridoret e shkollave tona dikur, edhe sot, shijet dhe axhenda e asaj se çfarë duhet të festohet bëhen të mandatuar nga lart.  Së dyti, shkolla si hapësirë publike, personalizohet në funksionit të aleatit të radhës dhe nga rusishtja si lëndë dhe këngët për Mao Ce Dun-in, sot imponohet  jo vetëm laicizmi i selektuar në raport me religjionet, por edhe se cili është trendy i radhës për të bërë qejf. Nga njëra anë hapësira publike  e artikuluar nga pushteti, përjashton religjionet në emër të asnjanësisë, dhe nga ana tjetër, merr Halloween-in dhe përpiqet  t’i  jepë status quasi religjioz për nga intensiteti dhe imponimi. Kjo me qëllim që imazhi i radhës të transformohet në një shprehje konsensuale të të kuptuarit të përbashkët, një lloj gjuhe e shoqërisë me të cilën komunikon me veten dhe të tjerët jashtë saj, për të negociuar kuptime kulturore shpesh të huaja dhe të pakuptueshme.

 

Është lehtësisht e provueshme fuqia e imazheve në kohët e sotme. Në këtë botë komunikimi, ku gjithçka dihet tashmë, imazhi është kthyer në gjuhën më efikase të komunikimit duke thyer barriera kulturore e gjuhësore, dhe në të njëjtën kohë, imazhi është bërë mjeti më i zgjedhur i hegjemonisë kulturore, të atyre kulturave imponuese të boshteve qytetërimore domimante sot në planet, karshi qytetërimeve të ashtuquajtura inferiore. Imazhi sot, të lejon që përmes tij të përcjellësh domethënie ideologjike të të gjitha llojeve, të cilat nga ana e tyre ndikojnë realitetet sociale dhe politike duke u bërë kështu promotorë për lëvizje dhe veprime të audiencave tashmë të ndikuara prej tyre. Pra, imazhi nuk është thjesht një pasqyrim, por në vetvehte ai përmban një bashkësi kuptimesh të cilat të alternuara me njëra-tjetrën formojnë domethënien e tij e cila kulmon me fuqinë e kësaj domethënie për të ndikuar një individ apo një bashkësi individësh. Deri  këtu ne jemi dakort, por ajo që ne duhet të bëjmë në këto raste, është përpjekja për të gjetur imazhin e duhur të ngarkuar me vlera dhe frymëzues në të njëjtën kohë.