Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) me qendër në Turqi, pajisi me inventar shkollën profesionale “Gjoce Stojçevski” në Tetovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e rastit, të organizuar në bashkëpunim me Shoqatën për Kulturë dhe Arsim “Kalkandelen”, të pranishëm ishin anëtari i bordit të administratorëve të IHH-së, Osman Atalay, drejtoresha e shkollës Sevdije Mustafai, politikanë, zyrtarë të Komunës së Tetovës, mësues dhe të ftuar të tjerë.
Atalay, në një deklaratë për gazetarët tha se IHH këtë shkollë profesionale e ka pranuar si shkollë vëllazërore, duke shtuar se tri herë, edhe atë në vitet 2019, 2020 dhe 2022, e kanë mbështetur këtë shkollë me ndihma.
“Në vitin 2019 ndërtuam një klasë me pajisje teknike për vëllezërit tanë me aftësi të kufizuara që ata të arsimohen këtu. Ndërsa në vitin 2020, rinovuam tetë klasa me banka dhe karrige. Ndërkaq, sot ofruam 100 banka, 200 karrige dhe karrige për mësuesit”, tha Atalay.
Ai tha se komuniteti ballkanik është multifetar, shumëkombësh dhe multikulturor, duke theksuar se gjëja më e rëndësishme që ky komunitet të jetojë së bashku në paqe është ngritja e cilësisë së arsimimit të nxënësve dhe shkollave.
“Ajo që ne në fakt mundohemi të bëjmë është të mbështesim cilësisë, standardin e shkollës, të arsimit. Të japim mbështetje në arsim këtu. Politikën tonë të ndihmës në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan planifikojmë ta realizojmë nëpërmjet projekteve sociale, kulturore, arsimore dhe shëndetësore”, shtoi ai.
Nga ana e saj, drejtoresha Mustafai tha se bashkëpunimi me këtë shoqatë vazhdon prej katër vitesh.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe ne kemi bërë realizim të projekteve të ndryshme së bashku. Edhe sot bëjmë promovimin e projektit të fundit që ka të bëjë me pajisjen e shkollës sonë me 100 banka për nxënësit, 200 karrige po ashtu për klasat dhe 30 karrige për zyrë”, tha Mustafai.
“Bashkëpunimi me ketë shoqatë është shumë i mirë dhe ne në vazhdimësi shpresojmë qe edhe më tutje të realizojmë projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor”, shtoi ajo.
Besar Durmishi, kryetari i këshillit në Komunën e Tetovës, tha se donacionet nga shtetet me të cilët kanë bashkëpunim janë të mirëpritura, duke falënderuar donatorët.
Renovimi i klasave, dhomave të mësuesve, pajisje me banka, dërrasë të mençur dhe kompjuterë për nevojat e shkollës janë plotësuar nga IHH gjatë këtyre viteve. Shkolla ka 820 nxënës dhe 75 mësues.
IHH deri më tani kësaj shkolle i ka ndihmuar me mbi 31 mijë euro. IHH kësaj shkolle deri më tani i ka dhuruar 190 banka, 340 karrige, 30 karrige për mësues, 10 këmbalecë, 1 dërrasë të mençur, 1 kompjuter, tualet për personat me aftësi të kufizuar, si dhe ka renovuar klasat dhe ndriçimin.