Imam bajalldi

Nevojitën për katër persona :

Dy-tre kokrra të mëdha qepësh

4-5 thelpinj hudhre

3-4 domate të pjekura mirë

4 patlixhana të mëdhenj të zi

Për ata që janë jo vegjetarian:

500g mish të prerë në kubikë të vegjël

Vaj ulliri

Kripë

Pipër i zi

Majdanoz

 

Përgatitja Ndajini patlixhanët e zinë gjysmë dhe, me një lugë të vogël, hiquani tulin. Këtë te fundit, priteni ne copa te vogla dhe lëreni mënjanë për më vonë. Sipas dëshirës, mund t’u jepni patlixhanave një të skuqur të lehtë.

Në një tenxhere të madhe hidhni me bollek vaj ulliri, dhe kur ky të jetë nxehur, hidhni për t’u kaurdisur qepet e grira holle dhe hudhrat. Kur qepa të këtë marrë një ngjyrë të lehtë të artë, shtoni copat e mishit. Kaurdisini mire deri sa uji që lëshon mishi të jetë avulluar. Ata që e duan vegjetarian, lë të kalojnë direkt tek hapi tjetër.

 

Shtoni domatet e prera holle dhe majdanozin e grirë. Domatet, përpara se t’i grini, hidhini në ujë të nxehtë për disa minuta derisa t’u hapet cipa. Hiqeni cipen e domates me thikë dhe tulin priteni në copa të vogla. Është mirë ta shmangni cipën e domates sepse është pak e sikletshme gjatë ngrënies dhe aspak estetike në gjellë.

Shtoni, se fundmi, edhe tulin e patlixhaneve që hoqët mënjanë në fillim. Lëreni të zihen të gjitha se bashku për 10 minuta. Shtoni kripën dhe piperin e zi. Hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet pak dhe filloni dhe mbushni patlixhanat. Tepricën shpërndajeni midis patlixhanave dhe sipër tyre.

Futeni në furrë, në 220°C dhe piqeni deri sa te marri një kore të lehtë të kuqe sipër.