PERPAK

IMAMI I XHAMISË DHE VOZITËSI I AUTOBUSIT

Para disa viteve, imami i një nga xhamive të qytetit u transferua në qytetin e Londrës dhe në javët e para të shpërnguljes së tij, udhëtonte me autobus nga shtëpia e vet e deri në qytetin tjetër.

Një ditë, pasi që hipi në autobus dhe e pagoi çmimin e biletës, u ul dhe e vërejti se vozitësi i autobusit ia kishte kthyer disa të holla më tepër. Mendoi imami dhe tha në vete se duhet patjetër t’ia kthejë këto të holla se nuk ishin të tij. Edhe një herë mendoi në vete dhe vendosi që më mirë ta harrojë këtë çështje dhe të mos ia kthejë të hollat, sepse ato ishin pak dhe askujt nuk do t’i interesojë për to, e sidomos kur dihet se kompanitë e autobusëve marrin shumë të holla nga shitja e biletave. Pra, më mirë t’i mbajë dhe t’i konsiderojë si dhuratë nga ana e Allahut dhe të heshtë.

Autobusi u ndal te stacioni që e dëshironte imami, mirëpo para se të zbresë, u ndal një çast, e nxori dorën nga xhepi, ia dha shoferit të hollat dhe i tha:

– Urdhëro, më ktheve më shumë të holla se sa duhej!

Shoferi i mori të hollat, buzëqeshi dhe e pyeti:

– A je ti imami i ri në këtë rajon? Unë ka kohë që mendoj të vij te xhamia juaj, që ta njoftoj Islamin dhe të hollat më tepër t’i dhashë me qëllim që ta shoh se si do të sillesh me to.

Imami kur zbriti nga autobusi ndjeu dobësi në këmbët e tij dhe vetëm se nuk u rrëzua për toke, por fatmirësisht u mbajt për shtyllën më të përafërt që e kishte. Shikoi kah qielli dhe u lut duke qarë: “O Zot, për pak sa nuk e shita Islamin për disa të holla!”

Të dashur miq, qëllimi i rrëfimit është që të përçojë vetëdijesim deri te ne për veprat tona, sepse asnjëherë nuk i shohim mendimet dhe qëndrimet e të tjerëve për atë që e veprojmë. Kjo është arsyeja që duhet të na stimulojë të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm dhe të jemi të sinqertë në to, sepse nuk e dimë se kush i përcjellë sjelljet tona, e pastaj mund që njerëzit, e në veçanti jobesimtarët, të gjykojnë mbi ne si mysliman në përgjithësi e jo si individë, apo të gjykojnë mbi Islamin si fe.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU