Indonezi, 9 specie zogjsh përballen me zhdukjen

Nëntë specie zogjsh në Indonezi kërcënohen të zhduken këtë vit, tha një grup lokal për ruajtjen e kafshëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Speciet e rrezikuara përfshijnë papagallin gushekuq (Trichoglossus forsteni), bilbilin faqekafe (Alophoixus bres), bilbilin faqegri (Alophoixus tephrogenys), bilbilin Aceh (Pycnonotus snouckaerti) dhe mëllenjën me kokë të gështenjtë (Geokichla interpres), njoftoi organizata Burung Indonesia.

“Popullsia e specieve të bilbilit faqekafe tani vlerësohet të jetë ulur deri në 50 për qind në zonat e saj të jetesës në ishujt Java dhe Bali”, thuhet në një deklaratë të organizatës.

Ai përmendi shpyllëzimet, gjuetinë dhe kapjen e zogjve si faktorët kryesorë për rënien e popullatave të shpendëve.

Grupi theksoi nevojën për përpjekje më serioze për të zbutur ndikimin e aktiviteteve të dëmshme, të tilla si gjuetia.

Sipas BirdLife International, një grup global i ruajtjes së kafshëve, Indonezia është shtëpia e të paktën 17 për qind të të gjitha specieve të njohura të zogjve dhe renditet e katërta në botë për nga shumëllojshmëria.

Indonezia është gjithashtu e para në botë kur bëhet fjalë për speciet endemike të shpendëve.