Mikoplazmat janë një grup mikroorganizmash të cilat shumë shpesh vendosen në mukozën e traktit respirator dhe gjenital.
I porsalinduri mund të infektohet nga mikoplazmat gjenitale gjatë procesit të lindjes, ndërsa lindja me prerje cezariane zvogëlon rrezikun nga ky infeksion. Mikoplazmat gjenitale janë të rralla te vajzat para pubertetit, ndërsa kolonizimi i traktit gjenital nga ato bëhet pas kontaktit seksual.
Infektimi i grave shtatzëna është i ngjashëm me gratë jo shtatzëna.
Shkencëtarët kanë izoluar mikoplazmat gjenitale nga mukoza e mitrës te femrat të cilat kanë pasur abort spontan apo lindje të foshnjës së vdekur, mirëpo ende nuk është sqaruar lidhshmëria ndërmjet tyre.
Supozohet se mikoplazmat mund të jenë shkaktar i pëlcitjes së parakohshme të mbështjellësve të fetusit, lindjes së parakohshme dhe peshës së vogël të foshnjës, po ashtu mund të shkaktojnë edhe sepsë dhe meningjit të foshnjës deri në moshën tremujore.
Për mjekimin e këtij infeksioni përdoren antibiotikë me spektër të gjerë veprimi (tetraciklinat, aminoglikozidet, linkomicina, kloramfenikoli), ndërsa është me rëndësi se duhet të mjekohen të dy partnerët. /Telegrafi/