INJORIMI SHTETËROR I ROLIT KOMBËTAR TË PRIJËSVE MYSLIMANË

Sapo jemi ndarë nga kremtimet e shumta që u bënë për 100 vjetorin e
pavarësisë së shtetit amë të shqiptarëve, Shqipërisë, dhe, ndër gjërat që nuk
mund të kaloje pa vërejtur, ishte edhe injorimi i elitës myslimane,
respektivisht kontributit të tyre për çështjen kombëtare. U ndanë epitete dhe
mirënjohje, u folën fjalë miradije dhe u thurën lëvdata, por gjithnjë për ata
që nuk identifikoheshin me Islamin drejtpërdrejtë. Nuk di si ta kuptoj këtë
pasi që edhe tek ne, këtu në Kosovë, u luajt një lojë e tillë, a dihet fakti se
në mesin e firmëtarëve të Pavarësisë ishin një numër i madh hoxhallarësh, sikur
që shumë kishte edhe në luftën e UÇK-së.

Të veprohet kështu në këtë 100 vjetor të parë të pavarësisë tingëllon sikur
duam vërtet një shkëputje nga e kaluara jonë, ose të paktën këtë po e mendon si
strategji klasa politike sekulare. Unë, edhe më parë, në shkrime të publikuara
gjatë këtij viti, kam nënvizuar rolin dhe kontributin e madh të faktorit
mysliman në pavarësimin e Shqipërisë, atëherë, dhe tash të Kosovës, madje edhe
vet kam qenë në shërbim të atdheut tim si ushtar i UÇK-së, vetëm se sot, kur
shoh këto qëndrime, që për Zotin më duken shumë tendencioze, mendoj sikur pas
kësaj fshihet diç. Le të jemi real. Para ca muajsh, u vërtetua se 96% e
kosovarëve, shumica absolute e të cilëve shqiptarë, kanë përkatësi islame,
ndërsa tash, respektivisht javën që lamë pas, dolën në shesh edhe statistikat e
regjistrimit në Shqipëri, ku prapë myslimanët janë shumicë absolute,
respektivisht: myslimanë janë 57.12%, katolikë 10.11%, ortodoksë 6.8%,
bektashinj 2.11, evangjelistë 0.11%, të krishterë të tjerë 0.1%, ateistë 2.52%,
besimtarë të pa karakterizuar 5.53%, besime të ndryshme 0.2%, nuk u përgjigjën
13.89%.

Ajo që dua të them me këtë është se përkundër asaj që shihet se faktori
politik gjithnjë insiston në mosidentifikimin me Islamin, të dhënat flasin se
Islami është pjesa më e theksuar e vetes së tyre, e shtetit të tyre, e
historisë së tyre, e identitetit të tyre, andaj, konsideroi ajo që duhet bërë,
është që këtë pjesë të pandarë të çdo gjëje të tyre ta trajtojnë pak me më
seriozitet. Të gjithëve duhet t’i njihen të drejtat, pavarësisht se çfarë
përkatësie fetare kanë qenë, përderisa kanë punuar e kontribuar në çlirimin e
vendit dhe çuarjen e shtetit para. Ne nuk jemi duke thënë se duhen përmendur
vetëm myslimanët, e të tjerët të ngelin në harresë, jo, asnjëherë, por
realiteti qëndron se myslimanët në krye me hoxhallarët më së shumti kanë
kontribuar në çështjen kombëtare. Andaj le të përmenden ata njerëz, le të dihen
kush janë, le t’iu mësohet gjeneratave të ardhshme se feja ka luajtur një rol
tejet të rëndësishëm në ruajtjen e trojeve tona shqiptare dhe shpalljen e
pavarësisë së Shqipërisë, rol të cilin vazhdon të luaj rol të madh edhe më tej
në çdo fushë. E të mohohet ky realitet mendoj se është një gabim i pafalshëm,
është një mohim i një pjese shumë të madhe dhe të rëndësishme të historisë
sate, të kulturës dhe identitetit tënd.
Nuk mund të ecë para një shoqëri e cila i ikë realitetit, e fsheh
identitetin e vet, sepse i bije me qenë fals. Nga ana tjetër e gjithë bota
krenohet me të kaluarën e saj, me kulturën e saj, me identitetin e saj.

Nuk gjej ngjashmëri me këtë çka është duke u bërë tek ne pos me sistemin
komunist i cili tentonte me çdo kusht të na zhvesh nga petku fetar, të na zhduk
identitetin fetar, por nuk i shkoi larg dhe e shkatërroi Zoti.

Ne jemi këta që jemi, dhe, fatbardhësisht, edhe bota perëndimore,
veçanërisht SHBA-të, na njohin kështu, si myslimanë, andaj mos mundohemi të
bëhemi më katolikë se papa.  Por në vend
të kësaj, le të mundohemi të luajmë rolin e një myslimani qytetërues, myslimani
model, të cilin perëndimi, për shkak të autoktonisë së tij do ta pranojnë
-kushtimisht- më lehtë se arabin. Kështu do të jemi vetvetja, do të jemi
origjinali, na pranuan apo refuzuan të tjerët. Allahu na drejtoftë të gjithëve
dhe na bëftë të mirë e të vyeshëm dhe të sinqertë me punuar për fe dhe atdhe,
për dynja dhe për ahiret. Amin dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër selam
alejkum.