Rtv Pendimi

“Institucionet kosovare dështuan në mbrojtjen e fëmijëve viktima të abuzimit”

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka shprehur shqetësimin për trajtimin e rasteve kur fëmijët janë viktima të formave të ndryshme të abuzimit seksual dhe dhunës, si dhe u bëri thirrje institucioneve që të përgjigjen urgjentisht në raste të tilla, raporton Anadolu Agency (AA).

Donjeta Kelmendi, drejtore ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në një konferencë të jashtëzakonshme për media theksoi se vazhdimisht paraqiten raste të dështimit të sistemit për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve viktima të abuzimit, pasi autorët e këtyre veprave u lejohet që të mbrohen në liri.

“Një rast i ngjashëm i njohur për opinionin ndodh vitin e kaluar kur prokuroria liroi në një procedurë të rregullt të dyshuarin për përdhunim të fëmijës së mitur, rast i cili përfundoi me vrasjen makabre të fëmijës nga Fushë Kosova. Si Koalicion, jemi të shokuar për faktin që raste të tilla, siç ishte edhe rasti tragjik i fëmijës nga Fushë Kosova i cili përfundoi me vrasje, nuk kanë ndikuar aspak në reflektim, mobilizim e as në ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës, e sidomos të prokurorisë”, tha Kelmendi.

Ajo gjithashtu theksoi se për koalicionin të cilin e udhëheq, raste të tilla janë skandaloze dhe të patolerueshme, duke shtuar se për këtë arsye qasja institucionale duhet të jetë efektive dhe të mos rezultojë në vrasje apo viktima të tjera të abuzimit.

Kelmendi tha se Koalicioni kishte dërguar një kërkesë për veprim drejtuar ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, Prokurorit të Përgjithshëm Aleksandër Lumezi dhe kryetarëve të komunave të Fushë Kosovës dhe Prishtinës.

“Si Koalicion për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, kërkojmë nga shteti që të kërkojë përgjegjësi penale nga të gjitha palët e sistemit të mbrojtjes që dështuan të ushtrojnë obligimin e tyre ligjor në mbrojtjen e fëmijës, duke përfshirë këtu rastin nga Fushë Kosova, duke shqiptuar dënimet e merituara”, tha Kelmendi.

Ajo shtoi se në kërkesë janë përcjellë informacionet konkrete për rastet në të cilat sistemi kishte dështuar, për të cilat tha se nuk mund të publikohen për shkak të konfidencialitetit. Ajo gjithashtu tha se ka pasur raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve për të cilët ishin shqiptuar dënime, por është vërejtur neglizhenca e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve, në vend që këto raste të kishin prioritet dhe të trajtoheshin urgjentisht.

TË NGJAJSHME