INTEGRIM NË DIJE E JO NË INJORANCË

Shkruan: Minire Pantina, Profesoreshë e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe (ish mësuese e Gjuhës Shqipe në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë)
Të jesh femër dhe të bartësh shami koke në Kosovë, siç po dëshmohet edhe me rastin e fundit të mësueses së matematikës Fatmire Bujupi në shkollën fillore në Drenoc të Malishevës, së pari, mendoj unë, duhet që pas vetës të bartësh vlerat civilizuese, etike dhe njerëzore, pra, ta respektosh lirinë tënde të zgjedhjes, të garantuara së paku nga ligjet shtetërore dhe ndërkombëtare, dhe, mbi të gjitha, nga i Madhi Zot, dhe, në anën tjetër, të përballesh me gjithë këtë diskriminim i cili ka mbështetje te shumë institucione shtetërore, dhe, tani, po shpërfaqet edhe në grupime qytetarësh.

Diskriminimin për shkak të shamisë e kam përjetuar personalisht para shtatë viteve. Punoja si mësuese e gjuhës shqipe, por, kur e vendosa shaminë në kokë, Drejtoria e Arsimit në Klinë këtë e quajti propagandë fetare. Ankesat e mia kanë qenë të shumta, por, një komision disiplinor komunal më vë kusht: Mund të punosh si mësuese vetëm pa shami. Natyrshëm që vendosa ta respektoj bindjen time. Përsëri ankesa e ankesa, por, rezultati i njëjtë. Në arkivën time një mal dokumentesh. Kam nga ato që çuditem se si zyrtarët komunal në çdo rresht e bëjnë nga një gabim gjuhësor. Arsimim se jo mahi! Nejse, të presësh drejtësinë në vendin tonë, mjerisht nganjëherë i ngjan sikur të presësh anijen në aeroport. Kështu, edhe unë më nuk prita pasi që mendova se këtë çështje duhet ta zgjidh drejtësia deri në shkallët e saja të fundit, ose, mbase i ka harruar ankesat e mia pas shkallës së pare, në ndonjë qoshe të pluhurosur. Nejse, përsëri punë dokumentesh e pritjesh të merzitshme.

Të largosh një mësuese nga shkolla sigurisht se nuk është fundi i botës. Por, të shpërfaqet e gjithë kjo intolerancë, e gjithë kjo urrjetje, të mos jesh në gjendje ta dallosh lirinë individuale të veshjes nga terrorizmi, të mos e njohësh sakrificën e gjysheve tona me shamia dhe ta anatemosh aq lehtë një kuadër të arsimuar, kjo shkon përtej çdo injorance. Mësuesja Fatmire Bujupi sot teston gatishmërinë e sinqeritetit tonë si shoqëri dhe gjithashtu teston performancën e institucioneve tona karshi së drejtës dhe arsimimit. Drita e shpresës megjithatë po duket, por, kjo dritë duhet të forcohet.

Mendoj se është e dëshmuar se një shoqëri nuk mund të prosperoj nëse nuk u jep mundësinë kuadrove dhe talenteve që të japin kontributin e tyre në vendin ku jetojnë. Ngushtimi i hapësirës së tyre vepruese dhe imponimi i bindjeve ndaj atyre që mendojnë ndryshe, janë dhe do të jenë përherë “specialitet” i kontradiktorëve, të shthururëve, amoralistëve, diktatorëve etj. Andaj, nëse nuk duam që fëmijët tanë të na i mësojnë kuadrot e shkolluara, që nuk pranojnë t’u nënshtrohen imponimeve të shthurura, atëherë do të presim leksione intelegjence dhe morali nga injorantët. Të zotët e mendjes nuk shohin se si i mbulon një femër flokët e saja, por, se çfarë ajo ka brenda kokës së saj.

Mësuesja e matematikës Fatmire Bujupi sot është shembulli i mirësjelljes (e cila edhe kërkoi monitorim për punën e saj në shkollë) por është edhe shembulli i avansimit të pozitës së femrës në shoqëri. Ata që suspendojnë, diskriminojnë, dhe, që për fat të keq, avansimin e femrës e shohin vetëm tek ekspozimi i saj si reklamë bukurie e mediale, ata gjithmonë kanë në mendje vetëm synimet e tyre personale. Personalisht unë sot vërtetë nuk punoj në shkollë, por, kam plot nxënës të shkëlqyer që me ta kam ndarë përvojën time prej mësueseje. Rris fëmijët, lekturoj dhe redaktoj libra, diturinë që ma ka dhënë i Madhi Zot e shpërndaj brenda mundësive të mia. Kjo është këshilla ime për të gjitha ato vajza e gra që përballen me diskriminimin. Të jenë krenare për punën e tyre. E, sa për ata që përjashtojnë, anatemojnë, diskriminojnë, le të vendosin vet se a do të krenohen apo do të turpërohen nga marrëzia e tyre.

 

Më poshtë po jua dergoj vetëm dy nga dokumentet e largimit tim nga puna. Nëse e botoni shkrimin, ju lutëm botojeni edhe njërin nga këto dy dokumentet ose të dyjat.