Krahas qytetarëve, turistët e huaj gjithashtu shfaqin interes të madh për Xhaminë e Taksimit, e cila u hap për adhurim me faljen e xhumasë më 28 maj, me pjesëmarrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Përveç qytetarëve që vijnë nga provinca të ndryshme të Turqisë për të parë këtë xhami në sheshin emblematik të Stambollit, aty kryejnë ritet fetare edhe një pjesë e vizitorëve të huaj. Ndërsa pjesa dërrmuese e turistëve të huaj shkrepin fotografi para xhamisë për ta përjetësuar atë në kujtimet e tyre.
Wedaa Dapty, e cila ka ardhur në Turqi nga Indonezia për një udhëtim turistik, u shpreh se i kishte pëlqyer shumë arkitektura dhe dizajni i xhamisë.
“Kjo rezultoi një surprizë e madhe për mua, sepse objekti sapo qenka inauguruar të premten e kaluar. Brendia e xhamisë është madhështore”, deklaroi ajo.
Fatiha Dawa, turiste nga Xhibuti, tha se ajo vetë dhe familja e saj e vizituan xhaminë dhe u lutën aty.
“Unë jam shumë e emocionuar që jam këtu. Është një ndjenjë e bukur të dëshmosh hijeshinë e kësaj xhamie”, u shpreh ajo.
Kurse Zahra Indi, vizitore nga Libia, tha se i pëlqente arkitektura e xhamisë, të cilën e vizitoi me familjen e saj.
Projekti i Xhamisë së Taksimit, themelet e së cilës u hodhën më 17 shkurt 2017, konsiderohet si “perla e re e Bosforit” dhe mban firmën e arkitektëve Sefik Birkiye dhe Selim Dalaman.
Faltorja e re, e shndërruar menjëherë në një simbol të sheshit të famshëm të Taksimit, ndodhet në afërsi të Patrikanës Ortodokse Greke të Fanarit dhe do të përfaqësojë një tërësi ekskluzive.
Kompleksi i xhamisë ndodhet në pllajën e Taksimit dhe përfshin vend parkimi, sallë konferencash e ekspozitash, si dhe një bibliotekë digjitale islame.
Lartësia e xhamisë është 21 m. Kupola kryesore, me diametër 28 m, është e lartë 9 m. Ndërsa dy minaret janë nga 61 m secila.
Zbukurimet kaligrafike dhe dekorimi i xhamisë u realizuan nga artistët Davut Bektas dhe Adem Turan.
Në kupolën qendrore të saj janë gdhendur ajetet e suresë “Fatiha”. Xhamia hijeshohet gjithashtu nga vargje të zgjedhura të kapitujve “Ali Imran”, “Al-Bakara”, “Hasr”, “Ihlas”, “En-Nisa” dhe “Ra’d” nga Kurani Famëlartë.
Interieri i xhamisë, tipik i xhamive të ndërtuara sipas arkitekturës osmane, ka gjashtë gdhendje kaligrafike në mure: Allah, Muhamed, Abu Bakr, Umar, Uthman dhe Ali.
Lartësia e mihrabit të xhamisë është 8,5 m. Në sipërfaqen e mihrabit janë shkruar 99 emrat e Allahut, kurse në mes: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i Dërguari i Tij!” Kurse në pjesën e poshtme të mihrabit është shkruar një ajet nga Kurani në turqisht, domethënia e të cilit është: “Xhamitë janë për hir të Allahut dhe mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut!”
Minberi dhe kursia janë dizajnuar posaçërisht gjithashtu për këtë xhami. Mbi to janë punuar 99 emrat e Allahut.
Xhamia ndriçohet nga një llambadar i gjerë 12 m dhe i gjatë 20 metra, me gjithsej 60 poçe.
Porta kryesore e xhamisë, e cila ka gjithsej 4 hyrje, është prej çeliku, me lartësi 7 m dhe gjerësi 3,1 m.
Kompleksi i Xhamisë së Taksimit ka gjithashtu një parking trekatësh për gjithsej 165 automjete.