Rtv Pendimi

Intervistë me hoxhën e vjetër mulla Iljas Rrahmani

Intervistoi: Labinot Kunushevci
Dt. 28.1.2013
Intervista është zhvilluar në qytetin Prishtinë, në klasën e mësimit pranë xhamisë së madhe, ku mulla Iljasi vazhdon t’i mësoj nxënësit e tij.
– Na tregoni diçka për jetën tuaj në pika të shkurtëra?
Bismilahi Rrahmani Rrahim. Do të ju tregoj diçka, jam i lindur më 1923, kam jetuar në fshatin Prapashticë, aty kam qenë imam i xhamisë. Në ato vitet e mia jam munduar me dhënë mësim-besimin me nxënës. Ka qenë kohë e vështirë, shteti komunist, por kemi pas gjithherë vullnet në dituri, megjithëse ishte kohë e vështirë, kemi dhënë kontribut me nxënës. Pastaj kam shku me kry detyrën e imamit në fshatin Majac, aty kam qenë imam tre vjet, edhe aty e kam kryer detyrën e imamit të hatibit po edhe si mualim i mësim-besimit. Erdhë radha me urdhërin e Bashkësisë Islame mu ndërru, prej Majacit me shku në Dumnicë. E në Majac sa kam qenë, kam qenë i kënaqur, e dashamir e miq me ta. Në Dumnicë gjithashtu kam kryer detyrën e imamit dhe jam munduar me dhënë mësim-besimin, por kishim pengesa të mëdhaja prej pushtetit serb, po edhe prej disa njerëzve tonë që ishin

mësues e që ishin habitur pas komunizmit. Aty kam kryer detyrë shtatë vjet edhe e falënderoj atë xhemat, kam kaluar mirë me ta. Prej Dumnice jam transferuar dhe jam shkuar në Istog. Edhe aty kam kryer detyrë si imam e mualim tetë vjet dhe jam mbetë i kënaqur me ta, por këshilli i bashkësisë islame më ndërroj prej aty dhe më kthej në Podujevë. Në Podujevë dhjetë vjet kam kryer detyrë fetare. Në Podujevë më tepër kam dhënë kontribut se në vendet tjera se më ndihmojshin edhe xhemati, po edhe nxënësit vinin edhe meshkuj edhe femra. Edhe gjithë ato detyra që detyrohet imami si imam xhamie; me dhënë këshilla, apo me kryer detyra kur ndodhnin vdekje, në të gjitha ato merrshin pjesë. Mirëpo aty rinia, djemtë tonë kërkuan me ua lëshu xhaminë edhe me mbajtë mbledhje në xhami, unë ua lejova xhaminë, mirëpo pushteti serb e morri vesh menjëherë dhe më thirrën menjëherë me shku me dhënë përgjegjësi: “Pse po e lejon xhaminë me mbajtë mbledhje politike kundër pushtetit serb?” Unë u përgjigja se xhamia nuk është e imja po është e popullit e populli e ka ndërtuar e unë e kryej detyrën, populli e përdor për çka donë. Ata më thanë: “Jo, ti je fajtor, se ti je kryesor, ti i ki çelsat e xhamisë, ti ki me dhënë përgjegjësi se ke mbajtë mbledhje politike në xhami, ndërsa xhamia është e ndërtuar me ju lut Zotit e jo me mbajtë mbledhje kundër pushtetit serb”. Me të vërtetë ju thash se s’mundem me i ndalë me mbajtë mbledhje në xhami se atë xhemati e ka ndërtu, edhe në kish po mbajnë mbledhje politike, edhe atje po mbajnë, e pse me mbajtë? Ata më thanë në mënyrë diplomatike: “Ki me dhënë përgjegjësi se na ta mbyllim xhaminë”. Unë ju thash se mundeni me mbyllë xhaminë se jeni pushtet e keni fuqi. Atyre ju erdhë keq, thanë: “Jo se kemi fuqi, po është e drejtë me ju mbyllë xhaminë”. Tani prej aty jam kthy e jam shku në xhami, prapë më kanë marrë me kerr e më kanë kthy me kerr. Unë prapë ato detyrat e mia fetare i kam kry e nuk i kam ndal. Pasi që i kam kryer dhjetë vjet detyrë këtu, erdhë rendi me shku në pension edhe me shku në Shqipëri me ju ndihmu shqiptarëve atje për detyra fetare, për mësim-besim. Atje kam qëndru tri vjet pa ndërpre, kam dhënë mësim, po edhe mësim në Vlorë për meshkuj, femra, pleq e të ri. E jam mbetë i kënaqur me të gjithë ata që vinin në xhami. Edhe e kam dhënë një mësim brenda tri viteve shumë mirë se vullneti i tyre ishte kanë i etur. Kam mbetë i kënaqur edhe me ata të Shqiprisë, të cilët shumë herë më qojnë selam dhe vijnë të më bëjnë vizitë ndonjëherë. Në xhami vinin djem e vajza, por duhej ditë mu ballafaqu, se ata që ishin kanë në komunizëm 40-50 vjet me shenja të komunizmit e vinin me kryq në xhami me mësu, i pyetsha a je musliman a jo, më thoshte: “Po, musliman jam!” Po nënë e babë a i ke muslimanë? Shumë kujt prej tyre ju dilshin “kaurr” – ortodoks. Ju thosha pse s’po thua ortodoks, po “kaurr”? Thonin: “Ashtu turku na e ka lanë”. E nxënësi më pyetke mua: “Pse po më pyet çfarë feje kam?” Unë i thash se ta pash kryqin në gjoks! Atëherë më thojke: “A e hjeki?” I thosha jo, pse e paske nënën ose babën jomuslimanë, ai të ndal tani prej mësimit si ta hjekësh kryqin e unë po dua që ti me ardhë këtu e me mësu fenë, ta mësojsh Kur’anin e tani kur ta hjekësh vet, kërkursh s’mund ta qet më. Me ndihmën e Zotit arritëm këtu.
– Sa jeni të kënaqur me kuadrot që keni nxjerrë deri më tani, keni pasur bukur shumë një numër të madh të nxënësve të dijes, keni nxjerrë gjenerata dhe kuadro të shumta të dijes dhe vazhdoni ende të jeni aktivë, opinion juaj për këtë?
Jam i kënaqur plotësisht me gjithë zemër me nxënësa, të gjithë ata që kanë mësuar e kanë vazhduar mandej, por shumica kanë shkuar në shtete arabe dhe kanë vazhduar fakultetin e janë kthyer me dituri më të madhe. Edhe ata që janë mbetë kësajde, janë gjetur me Kur’an në dorë e me namaz, gjithherë vullnetarisht të kënaqur me këtë mësim që e kanë bë, kjo më ka dhënë vullnet. Puna ime ka shkuar në dobi të përgjithshme.
– Ju si hoxhë i vjetër keni përjetuar shumë gjëra, keni kaluar shumë sfida, keni një përvojë të gjatë me shqiptarët muslimanë, na tregoni diçka për gjendjen e muslimanëve se si ishte në kohën kur komunizmi kishte ndikim mbi shqiptarët?
Muslimanët janë kanë të njoftuar me fe, e kanë pas fenë në zemër, gjithherë i kanë kryer detyrat fetare sipas mundësisë, se kanë pas shtrëngime. Ata që janë kanë të dobët, ka pas prej tyre që janë shkruar të pa fe. Pse? Shpresojke që do të arritë pa fe në ndonjë gradë më të lartë! Por Elhamduililah prej Zotit që ata ishin pak, pjesa e madhe ishin të bindur në Islam dhe ata ishin një pakic e vogël. Kush ka qenë në detyrë të serbit, ai e ka përjashtu kur e ka pa që po falet e po shkon në xhami. Ramazanin e ka mbajtë haptazi. Pushteti ka nxjerr leje për mi fal taravitë, edhe atij që e lëshojke, e ka pagu një taks se ku po falet taravia, se mos po mbahet ndonjë mbledhje kundër.
– Çfarë mund të na thoni për politikat tendencioze të regjimit serb për sllavizimin dhe shkombëtarizimin e muslimanëve shqiptarë që ishin prezente në mesin tonë vite e shekuj me radhë?
Nuk ka pas ndonjë shtrëngim të tillë, por vetëm se u kanë kjo që shkollë shqipe s’ka pas, s’na kanë leju. Germat – shkronjat shqip me t’u gjet ka qenë më rrezik se me t’u gjet arma. Shqipja e ndaluar u kanë.
– Pse urrehen dhe luftohen kaq shumë shqiptarët muslimanë nga armiqët serbo-sllav të Ballkanit, besa kohëve të fundit ky Islam dhe këta muslimanë po luftohen, akuzohen dhe etiketohen edhe nga disa shqipfolës, opinion juaj për këtë?
Kjo është pyetje me rëndësi shumë, por mendimi im është se ata janë të prisht në zemra, fenë se kuptojnë, edhe tash ai me mish e me shpirt gjendet kundër Islamit se nuk e kupton. Ose e ka një interes të madh e për me ruajt interesin e lufton Islamin. Ose është armik i Islamit megjithëse e njeh deri diku, por ka mohim “kufri-inadi” – mohim prej pikës së inatit. U bind kundër edhe tash inati shkon gjithherë ashtu. Veç ma tepër është padituria, që nuk e njohin Islamin.
– Sa kanë përparuar shqiptarët muslimanë në aspektin fetar dhe atë kombëtar pas luftës së fundit me regjimin serbo-sllav?
U bë një përparim i madh shumë. Përpara s’kemi ditë me mendu që kemi me fitu lirinë, e po se di a e kupton gjithkush që u fitu kjo liri; shkollat e lira, edhe të pushtetit, shkencë, po edhe shkollat fetare; medrese, fakultet. Edhe xhamitë e lira, edhe shtypi i lirë, u ba përparim i madh që veç Zoti që na ka ndihmu u ba ky përparim. Edhe duhet mu ndal me mendu secili musliman shqiptar që po flitet gjuha shqipe, janë librat shqip, janë shkollat shqip, nuk shohim ushtar serb, nuk shohim polic serb, po jemi të lirë, edhe shkrimet ku shihen nëpër rrugë, nëpër ndërtesa janë në gjuhën shqipe. E këto përpara asnjë si kemi pas. Kah ana fetare u bë një përparim i madh; libra plot, xhamitë e lira, medreseja vazhdon, fakulteti fetar vazhdon, ka edhe tubime që shpjegohet feja nëpër vende e xhamia tjera, kush donë me bë dituri, kurrë ma mirë për me mësu e me përparu su kanë. Kjo është behane, e metë që se kanë fut fenë, mësim-besimin në shoklla. Sendet mbërrijnë gradualisht, jo t’u ngut, e jo t’u armiqësu në mes veti, po gjithherë të vërtetën ta kërkojnë. Se ai që troket në derë e në zile e nuk ndahet, do e mos hyn brenda, ai që veç njëherë troket, mbetë në rrugë. Edhe këta e kërkojmë, e me ndihmën e Zotit ka me mbërri.
– Çfarë mendimi keni për partitë dhe politikat e sotshme që zhvillohen në vendin tonë, çfarë qasje duhet të kenë shqiptarët muslimanë në këtë rast, populli jonë joshet dhe thirret për t’u votuar një x parti, opinion juaj për këtë?
Mendoj që gjithherë njerëzve ju vijnë do sende që ju vjen vështirë me i pranu, por ngadal t’u e njohë, t’u e kërku të vërtetën, bijnë në bindje e kthehen edhe ata që janë kanë me mish e me shpirt kundër. Se atë na e thotë Zoti në Kur’an: Bismilahi Rrahmani Rrahim: – “Thirr në rrugën e Zotit me menquri, me këshilla të mira, me diskutime të përshtatshme”. (Kur’an, 16:125) Ngadalë ngadalë, dikur armiku që ka qenë armik mundet me t’u bë mik i afërm edhe i dashur. “Ndihma vjen vetëm prej Allahut”. (Kur’an, 3:126)
– Si e shihni gjendjen e komunitetit të muslimanëve në të gjitha trojet shqiptare, duke filluar nga myftilerët, hoxhallarët, muezinët dhe muslimanët në përgjithësi, sa janë aktivë dhe të bashkuar?
Ulemaja – dijetarët, pas lufte, kanë mbërri shumë, ajo shihet, edhe pjesa e madhe e tyre janë t’u dhanë kontribut pa ndërpre, shihet që kanë dituri dhe nuk kanë prites, dembelllëk nuk kanë. Kanë vullnet me përhap fenë. Një pjesë e madhe kanë kryer fakultete deri te doktoratura, po edhe libra tash po vijnë prej shteteve muslimane, për ditë t’u shtyp libra lloj lloj, vetëm se kush është dembel se mund të përparoj patjetër. E dita ditës shihet që është t’u shku në përparim, megjithëse ka pengesa. Po ndihma e Zotit shihet që shkon në përparim.
– Çka e këshilloni rininë tonë, a është duke ecur në rrugë të drejtë?
Ka anë pozitive dhe negative; ana pozitive shihet që një pjesë e madhe e rinisë së sotit e donë fenë, e mëson, po është edhe një pjesë tjetër që nuk e donë, po e vërteta e mund të pavërtetën.
– Ku i shihni ju shqiptarët e të të gjitha trojeve shqiptare në të ardhmen?
Shpresën e kemi që në të ardhmen nëse nuk ndodhë ndonjë luftë me shku në përparim dhe bashkim të gjithë shqiptarët, gjithherë ne shqiptarët duhet me punu për interesin e përgjithshëm, e jo për interesin personal. E patjetër prej popullit shqiptarë duhet të hiqet urrejtja e armiqësia, xhelozia, e atëherë vijmë në bashkim e i japim krahun atij që është ma i zoti e ka dituri. Edhe ku është bashkimi është edhe Perëndia. Edhe Zoti na thërret: Bismilahi Rrahmani Rrahim: – “Kapuni të gjithë ju për litarin e Allahut e mos u përçani!” (Kur’an, 3:103) Litari është Islami, Kur’ani. “Mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë”. (Kur’an, 8:46) Edhe atëherë luan me juve edhe armiku edhe shejtani. E për atë Zoti na thotë: “Bëni durim”. (Kur’an, 3:200) Në kryerjen e urdhëresave, me ik prej ndalesave, kapuni në mes vete qysh jeni në namaz në saff – rresht, me ju dhanë krah njëri-tjetrit edhe në punë tjera. Lutja ime për fund:
O Allah na ruaj nga sherri i shejtanit, mos na ndaj prej Dinit (fesë) e Imanit (besimit)!

TË NGJAJSHME