Iran, 20 të vdekur si pasojë e përmbytjeve

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në provincën Fars në jug të Iranit, ndërsa tre persona janë zhdukur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit IRNA, drejtori i menaxhimit të krizave në provincën Fars, Khalil Abdullahi, në një deklaratë në lidhje me fatkeqësinë e përmbytjeve pas shiut të dendur, tha se viktimat janë përfshirë nga përmbytjet në rrethinën e qyteteve Estehban dhe Darab.

Abdullahi tha se krahas 20 të vdekurve dhe 3 të zhdukurve, 15 automjete po ashtu janë përmbytur nga ujërat.

Ai tha po ashtu se janë shpëtuar 55 persona të përfshirë nga ujërat si pasojë daljes nga shtrati të lumit Rudbal, duke shtuar se vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit për 3 personat e zhdukur.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Provincës Fars, Huseyin Dervishi, deklaroi se përpjekjet e kërkimit në Estehban vazhdojnë me 22 ekipe dhe 125 pjesëtarë të personelit, dhe se 74 persona janë shpëtuar.

Dervishi tha se nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut janë prekur 51 shtëpi dhe se do të dërgohet ndihmë për të përmbyturit.