thumbs_b_c_d3c5cba6def21fcd233744ec8c151408

Ish-ambasadorët kosovarë diskutojnë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Në Prishtinë është mbajtur konferenca e Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës që përshkruan rrugën e Kosovës “25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe kërkimit për anëtarësim në NATO”, raporton Anadolu.

Në këtë konferencë morën pjesë ish-diplomatë të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme të botës si dhe zyrtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë gjatë kohës së luftës në Kosovë ndërsa u vlerësua rrugëtimi i Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s më 24 mars 1999, siguria dhe demokracia si marrëdhëniet Kosovë-NATO.

Profesori David Philipps i cili ishte pjesë e ekipit të diplomatit amerikan Richard Holbrooke gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha se ka komunikuar me Holbrooke dhe shqiptarët në Amerikë në kohën kur po përgatitej ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.

“Negociatat në Beograd kishin dështuar dhe Holbrooke do të largohej nga Beogradi dhe ai më kërkoi mua që të thirrja gjithë shokët shqiptaro-amerikanë, ngase për Holbrooke isha personi kyç për ta bërë këtë dhe t’u tregoja që bombardimet e NATO-s fillojnë të nesërmen. Por, nuk mund ta shpjegoj ndjesinë që pata nga ky lajm”, theksoi Philipps.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA si dhe në Türkiye, Avni Spahiu tha se janë bërë 25 vjet nga ndërhyrja e madhe e NATO-s në mbështetje të vuajtjeve të njerëzve në Kosovë dhe që nga atëherë ka pasur rritje e mbështetjes për të ndërtuar një shoqëri të re në Kosovë.

“Progresi i Kosovës që është bërë në kapacitetin e shtet-ndërtimit përfshinë gjithashtu edhe përparimin e çështjeve të sigurisë për Kosovën dhe rajonin”, theksoi Spahiu.

Ai tha se Kosova është ballafaquar me shumë sfida që nga koha e ndërhyrjes së NATO-s, derisa shtoi se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më shpejtë i mundshëm në NATO.

Ish-përfaqësuesi i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, Lulzim Peci, duke folur për kontekstin historik që çoi në ndërhyrjen e NATO-s në Serbi për shkak të Kosovës, theksoi shpërbërjen e Jugosllavisë, krimet e luftës dhe gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, konsideratën gjeopolitike dhe presionin, krimet dhe tentativat për gjenocid të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Peci kujtoi se shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, luftuan në mënyrë paqësore për disa vite kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndërsa kjo ishte në kohën kur i gjithë rajoni ishte në luftë.

Ambasadori Peci tha se më vonë u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila në mars të vitit 1998 ishte simbolike me rreth 200 burra të armatosur, por pas vrasjes së komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes së tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, numri u rrit në më shumë se 15 mijë luftëtarë, dhe u vendos kontroll mbi disa zona rurale.

“Në anën tjetër mësimet e nxjerra nga mizoritë në Bosnjë e Hercegovinë e bënë të qartë për forcat kyçe aleate në NATO për intervenim në kohë rajon. Reagimi internacional për të zgjidhur krizën në Kosovë filloi me një takim të grupit të kontaktit më 10 mars 1998 ku u vendos për sanksione diplomatike dhe ekonomike për Jugosllavinë”, tha ai.

Më 24 mars bëhen 25 vjet që kur NATO-ja nisi bombardimet e që rezultuan me çlirimin e Kosovës.

25 vjet më parë, NATO-ja filloi operacionin “Forcat Aleate” për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, pasi ishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit.