Ish-futbollisti portugez i Galatasaray-it, Xavier: Falë Islamit rizbulova veten

Abel Xavier, një nga ish-lojtarët e Galatasaray-it dhe kombëtares së Portugalisë tha se ditët që kaloi në Stamboll e ndryshuan plotësisht pikëpamjen e tij për Islamin dhe se kanë pasur një ndikim të madh në konvertimin e tij në musliman.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Xavier tha se transferimi i tij tek Galatasaray dhe jetesa në Turqi në sezonin 2002-2003 ishte një bekim për të që të njihej me Islamin.

“Në veri të Mozambikut, ku kam lindur ka një popullsi të madhe muslimane, por në familjen time kishte katolikë të krishterë. Unë kam qenë katolik. E njihja edhe Islamin, por nuk mjafton të dish disa gjëra, ndonjëherë duhet ta jetosh atë. Fati im ishte transferimi në Galatasaray, të jetoja në Turqi. Fakti që luajta futboll në Turqi e ndryshoi plotësisht këndvështrimin tim për Islamin. Islamin e njoha më nga afër në Stamboll. Pasi lashë futbollin, në një konferencë për media deklarova se isha musliman. Kur luan futboll, nuk mund t’i shprehësh shumë disa gjëra, sepse fokusohesh vetëm në të luajturit futboll. Gjëja e rëndësishme në jetë është të jetosh në paqe dhe qetësi”, tha Xavier.

– “Ezani më qetëson”

Zëri i ezanit pesë herë në ditë për namazet në Stamboll me jepte qetësi, thotë futbollisti portugez. “Fjalët nuk i kuptoj plotësisht sepse ezani është në gjuhën arabe, por kur e dëgjoja ndjeja një qetësi, një relaksim të madh. Ezani më qetësonte. Edhe pse nuk e kuptoja gjuhën ai zë më qetësonte. Dëgjimi shpesh i ezanit në Stamboll më lumturonte. E pashë se feja islame është një fe aq qetësuese dhe relaksuese. Unë qetësinë dhe lirinë e gjeta në islam”, tha ai.

Xavier thekson se falë futbollit ka jetuar në vende të ndryshme dhe i është hapur horizonti. “Konvertimin tim në musliman e quaj si rizbulim. Falë Islamit, rizbulova veten. Të ndash është e rëndësishme për mua dhe Islami është një fe e përbashkët (për të ndarë me të tjerët). Pas futbollit, qëndrova për një kohë shumë të gjatë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Unë kam miq shumë të ngushtë nga familja e Emirit. Kam kaluar një kohë të gjatë me ta dhe kam ndarë shumë gjëra. Gjëja më e rëndësishme për një person është të ndihet rehat dhe i lirë teksa jeton fenë e tij. Këtë e gjeta bashkë me Islamin. Në të vërtetë, unë jam ende i njëjti person, por falë Islamit, këndvështrimi im për botën dhe ngjarjet është bërë më i ndryshëm dhe më i mirë. Për këtë arsye unë e quaj gjendjen time rizbulim i vetvetes”, u shpreh ai.

Ai bën të ditur se në Portugali nuk është përballur me reagime për shkak se ka zgjedhur Islamin.

“Portugalia është një vend multikulturor që hapë dyert për të gjithë. Kur deklarova se jam musliman nuk u përballa me asnjë reagim. Në Portugali më kritikuan shumë kur leva flokët me të verdhë dhe jo kur zgjodha Islamin. Madje, edhe sot njerëzit më njohin nga ngjyra e flokëve. Por, në të kaluarën jam kritikuar shumë për shkak të kësaj. Në shtesën e ndeshjes gjysmëfinale të EURO 2000 humbëm ndeshjen me golin e shënuar me penalti nga Zidane pasi unë kapa me dorë topin e Wiltord. Edhe në atë kohë u kritikova për shkak të pamjes time duke u nxjerrë në pah ngjyra e flokëve të mia. Por, për mua e rëndësishme është se si unë të jem i lumtur dhe jo çfarë mendojnë njerëzit”, tha Xavier.

– “22 vite më parë kisha imazhin që nuk ishte te askush tjetër, por nuk munda të fitoj para”

“Mund të shihem si një person shumë i çmendur, por brenda fushës nuk kam pasur asnjëherë lëvizje të çmendura”, tha ish futbollisti portugez i cili shtoi më tej se:

“Nëse flisni me trajnerët me të cilët kam punuar, ata të gjithë thonë këtë: ‘Abel Xavier është shumë punëtor, një profesionist shumë i madh’. Unë kurrë nuk kam pushuar së qenuri profesionist. Edhe pse ndonjëherë kam luajtur keq, gjithmonë kam bërë më të mirën e mundshme. Gjëja më e madhe që mund të quhet çmenduri është se i kam lyer flokët të verdhë. Në mesin e afrikanëve unë isha futbollisti i parë që i leva flokët të verdhë. Theva një tabu. Sepse në atë kohë kjo nuk ishte e mirëpritur në mesin e afrikanëve. Kjo mund të quhet çmenduri, por nuk duhet gjykuar një person nga rrobat që vesh apo nga ngjyra e flokëve”.

“Ka rëndësi ajo që është brenda kokës. Unë kështu i shoh të gjithë njerëzit. Tani me futbollistët bëhen kontrata si për të drejtat sportive ashtu edhe për imazhin. Futbollistët fitojnë para edhe nga të drejtat e tyre të imazhit. Unë kisha imazhin që askush nuk e kishte 22 vjet më parë, por nuk i fitova dot paratë”, tha Xavier.

– “Dëshiroj të jem drejtor teknik i Galatasaray-it”

Xavier tha se së fundmi ka qenë drejtor teknik i ekipit kombëtar të Mozambikut dhe se një prej objektivave të tij më të mëdha është të jetë drejtor teknik në ekipin e Galatasaray-it.

Ai potencoi se ka ndërprerë punën e drejtorit teknik për të ndarë kohë për familjen e tij gjatë pandemisë, por që ka filluar sërish bisedimet për t’u rikthyer në futboll. “Kur shikoni karrierën time, kam luajtur edhe në ekipe shumë të rëndësishme si PSV, Galatasaray, Benfica, Roma dhe Liverpool. Do të doja t’i përcjell këto përvoja si trajner. Puna në Turqi është një nga dëshirat e mia më të mëdha. Dëshiroj të jem drejtor teknik i Galatasaray-it. Drejtorët teknikë portugezë kanë drejtuar Fenerbahçen dhe Beshiktashin. Shpresoj që edhe unë të drejtoj Galatasaray-in”, tha Xavier.

Duke nënvizuar se ai ka një lidhje shumë të ndryshme me tifozët e Galatasaray-it, futbollisti portugez tha: “Njerëzit ishin shumë të sinqertë dhe shumë miqësorë ndaj meje. Kjo ishte një nga arsyet që më ndikoi. Ata nuk më trajtuan thjesht si lojtar, ata më donin shumë. Kjo dashuri e pastër që pashë më ndikoi shumë. Prandaj them ‘Turqia është shtëpia ime e dytë’. Ju jap garanci që një ditë do të kthehem patjetër në shtëpinë time të dytë”.

– “Kur shkova në Ali Sami Yen me Liverpoolin thashë ‘Shpresoj që një ditë të luaj tek Galatasaray‘”

“Gjëja që nuk kam mundur të harroj më shumë tek Galatasaray ishte pasioni”, tha Xavier, duke shtuar më tej:

“Në periudhën kur luaja në Liverpool, në grupin tonë të Ligës së Kampionëve ishte edhe Galatasaray. Ishte një grup shumë i vështirë, ku ishin edhe Barcelona dhe Roma. Ndeshjen e luajtëm në Ali Sami Yen, stadiumin e vjetër të Galatasaray-t, teksa po kryenim ushtrimet për ngrohje, pashë në tribunë pankartën ‘Mirë se vini në ferr’. Ishte një atmosferë shumë mbresëlënëse dhe mbytëse. Tifozët ishin shumë të zjarrtë. Ne e filluam ndeshjen, pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-0”.

“Pasi kisha vendosur një peshqir mbi kokë, thashë me vete: ‘Shpresoj që një ditë edhe unë të luaj tek Galatasaray’. Zërat e fansave dhe mbështetja që ata dhanë ishte e pabesueshme. Kur shkova në Ali Sami Yen me Liverpoolin thashë, ‘Shpresoj që një ditë të luaj tek Galatasaray’. Dëshira ime për të luajtur në Galatasaray u realizua një vit më vonë. Fatih Terim më donte mua dhe Rui Costa-n, me të cilin kishte punuar më parë tek Milani dhe Fiorentina. Kam ardhur nga Liverpooli si huazim. Nuk mund të harroj pritjen entuziaste në aeroportin Atatürk dhe derbin e Fenerbahçes”, tha ai.

– “Fatih Terim në vendin tim preferoi Frank de Boer”

“Isha shumë i lumtur në Galatasaray. I thashë Fatih Terim-it se doja të qëndroja dhe kisha rregulluar gjithçka me Liverpoolin. Do të luaja edhe 3 vite te Galatasaray-i, doja ta mbyllja karrierën te Galatasaray-i. Por, drejtuesi Terim në atë kohë në vendin tim preferoi Frank de Boer, i cili doli nga Barcelona pa pagesën e transferimit. Nuk munda të vazhdoja. Me Fatih Terimin kemi pasur një marrëdhënie shumë të sinqertë dhe të bukur. Galatasaray po përjetonte vështirësi ekonomike”, tregon Xavier dhe shton:

“Profesori Terim më kishte thënë: ‘Abel, do të doja të të shihja këtu nëse ata heqin dorë nga pagesa e transferimit, bisedo me trajnerin tënd Houllier, në Liverpool’. Fatih Terim më shihte si një nga drejtuesit e ekipit. Ne kishim një marrëdhënie të jashtëzakonshme, por ky është futbolli. Doja shumë të përfundoja karrierën time te Galatasaray, por nuk ndodhi. Ky është një trishtim që unë ende e përjetoj brenda meje. U ktheva sërish në Britani dhe më pas përfundova karrierën time në MLS bashkë me David Beckham”, tha Xavier i cili nënvizoi se kurrë nuk ka dashur të largohet nga Galatasaray-i.

– “Fatih Terim mund të bëhet president i Galatasaray-it”

Ish-futbollisti portugez tha se Fatih Terim është një emër shumë i rëndësishëm jo vetëm për Galatasaray-in por edhe për futbollin turk. “Fatih Terim njihet në arenën ndërkombëtare dhe është një figurë e rëndësishme për futbollin turk me karizmën, historinë dhe arritjet e tij. Rrugët e tyre tashmë janë ndarë, por ai mund të kthehet si trajner në të ardhmen, madje Fatih Terim mund të bëhet edhe president i Galatasaray-it. Ai do të jetë gjithmonë në futboll. Kam shumë respekt për të, shpresoj të takohemi sërish. Ai më dërgoi mesazh kur u largova nga Galatasaray-i”, tha Xavier.​​​​​​​

Ai thekson se kur luante tek Galatasaray-i kishte lojtarë shumë të mirë në skuadër. “Kishte një portier të nivelit shumë të lartë si Mondragon. Kishte emra shumë të mirë si kapiteni Bülent Korkmaz, Ergün, Hasan Şaş. Ishim një skuadër shumë e mirë, kishte shumë lojtarë kryesorë. Shumica e lojtarëve ishin lojtarë me të cilët ishin bashkë në periudhën kur Fatih Terim fitoi Kupën e UEFA-së. Për mendimin tim problemi në atë kohë mendoj se ishte se po u mbaronte koha disa lojtarëve që kishin status, po humbnin fuqinë e tyre të vjetër me kalimin e moshës. Megjithatë, tranzicioni mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë nuk mundi të arrihej shumë mirë”, tha Xavier.